Shqipëria siguron 50 mijë vaksina “Sputnik V”



Shqipëria siguron 50 mijë vaksina “Sputnik V”

15:41 14/04/2021

Manastirliu: Brenda Prillit vjen sasia e parë

Shqipëria ka siguruar 50 mijë doza të tjera të vaksinës ruse Sputnik V. Në një intervistë për Tv Klan, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se falë marrëveshjes me distributorin “Human Vaccine”, brenda Prillit do të vijnë sasia e parë e këtyre vaksinave.

“Janë 50 mijë doza vaksine, të cilat vijnë sipas një kalendari. Deri në fund të muajit Prill pritet të vijë një pjesë e vaksinave”.

E teksa në shumë vende vijon debati për vaksinën AstraZeneca, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se Komiteti i Vaksinimit nuk ka nxjerrë asnjë efekt anësor të rëndë për këtë vaksinë.

“Deri tani në vendin tonë në vendin tonë nuk kemi patur problematika në administrimin e vaksinës apo efekteve, apo shkak-pasojë që mund të sjellin këto vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha vaksinat dhe do të monitorojmë të gjitha proceset në një mbrojtje sa më efektive”.

E pyetur për procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë thotë se me mbërritjen e dozave të tjera synohet që imunizimi i popullsisë të përfundojë më shpejt se pritshmëritë.

“Sa më shumë doza vaksine të vijnë, aq më shpejt do të vaksinohet dhe popullata dhe kjo padyshim është një ndër prioritetet tona sepse procesi i vaksinimit duhet të jetë i shpejtë, efektiv në mënyrë që popullata të mbrohet nga ky risk. Ne kemi arritur në mbi 280 mijë doza të vaksinave duke përfshirë këtu mbi 190 mijë vaksina për të moshuarit”.

Në vend procesi i vaksinimit ka zbritur tek grupmosha 60 vjeç me sëmundje kronike, ndërsa vijon paralelisht vaksinimi i të moshuarve të tjerë, efektivë të policisë dhe punonjësve të medias. Deri në Maj, autoritetet thonë se do të vaksinohen mbi 500 mijë të moshuar dhe grupe të riskuara.

Tv Klan







Të ngjashme