Rama takon Melonin: Qendra e pritjes së refugjatëve do jetë në Shëngjin

Shqipëria do të bëhet strehë për refugjatët që mbërrijnë në Itali, e që synojnë jetën në Europë.  

Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorigia Meloni kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një qendre në Shëngjin që do të shërbejë për të pritur këta emigrantë, të cilët do të qëndrojnë derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil. Sipas kryeministres Meloni, fluksi në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona.

“Refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në Shqipëri dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë ose jo të fitojnë azil. Flasim nëpërmjet flukseve dhe ky fluks në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona. Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëne dhe personat e tjere vulnerabel.”

Kryeministri Edi Rama shpjegoi arsyet se përse Shqipëria iu përgjigj kësaj thirrjeje.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italisë dhe shqiptarëve e italianëve. Nuk besoj që do të jemi në gjendje që në vitet që do të vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë, popullit dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje.”

Marrëveshja mes dy vendeve nuk vlen për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por për ata të shpëtuar në Mesdhe nga anijet italiane.

Shqipëria do të japë mbështetjen e saj që të përdorë disa zona të vendit të Shqipërisë dhe Italia do të operojë me financat e saj.

Në portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit dhe do të krijojë një qendër pritjeje dhe kontrolli të parë, ndërsa në Gjadër në Lezhë, do të krijojë një strukturë për procedurat e mëpasshme.

Fluksi në muaj mund të arrijë deri në 3 mijë persona. Refugjatët e parë pritet të mbërrijnë në Shqipëri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Klan News