emigranteeeee

Gjermania dhe Spanja, më 1 Shtator i kërkuan Komisionit Europian përpilimin e listës “vende të sigurt origjine”, për të përcaktuar lehtësisht nëse kërkesat për azil të emigrantëve janë të vlefshmë ose jo.

Kohët e fundit janë shtuar thirrjet që Shqipëria, Kosova dhe Mal i Zi të jenë të përfshirë në një listë të tillë. Politika në Shqipëri, shkruan Deutsche Welle, bën thirrje që vendi të klasifikohet zyrtarisht “vend i sigurt origjine”.

Kryeministri malazez, Milo Gjukanovic tha se kjo duhet të ishte e vlefshme prej kohësh. Po kështu edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një letre, siç tregon David McAllister, i ngarkuari me Ballkanin në Parlamentin Europian ka thënë që, Kosova të klasifikohet vend i sigurt origjine.

Sipas Deutsche Welle arsyet janë të qarta, aspirata e këtyre shteteve për t’u afruar me Bashkimin Evropian nuk përshtaten me stigmën e një vendi “të pasigurt”.

Bernard Mesovic, nga Organizata Gjermane për të Drejtat e Njeriut “Pro Asyl”, thotë se këto deklarata publike përbëjnë një skandal, sepse asnjë vend nuk do të thotë të kundërtën, kur flitet për përcaktimin “vend i sigurt origjine”.

Shkrimtari malazez, Ruzhdija Sejdovic përmend romët e ardhur si refugjatë nga Kosova në Mal të Zi, të cilët nuk rregjistrohen zyrtarisht dhe u mohohet arsimimi dhe kujdesi shëndetësor. Sipas tij, ekzistenca e listës nuk do t’i ndalë ata të kërkojnë azil në Gjermani.

Ndërsa Frank Hantke, i Fondacionit “Fridrih Ebert” në Tiranë, është i mendimit se në Shqipëri nuk është vetëm varfëria, por është sistemi politik që nxit emigrimin.

Është e zakonshme që vëndet e punës të jepen sipas përkatësisë partiake dhe ata që e humbasin pas zgjedhjeve e ndjejnë veten viktimë të persekutim politik dhe kërkojnë azil, thotë ai.

Ekspertët janë të mendimit se pavarësisht klasifikimit “vend i sigurt origjine”, të rinjtë nuk do të heqin dorë nga kërkimi për një jetë më të mirë.

Tv Klan