Shqipëria të vlerësohet për reformat, jo peng i Shkupit



Shqipëria të vlerësohet për reformat, jo peng i Shkupit

13:44 12/05/2021

Várhelyi nuk heq dorë nga ideja e tij, të tregohemi të ndershëm, Shqipëria i ka përmbushur kushtet

Komisioneri per zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, nuk ka hequr dorë nga ideja e tij për të çuar para Shqipërinë drejt konferencës së parë ndërqeveritare në muajin Qershor nëse Shkupi nuk zgjidh deri atëherë mosmarrëveshjet me Sofjen. Ne konferencën e organizuar nga Këshilli i Atlantikut, Varhelyi ka shpjeguar idenë e tij për të ecur para vetëm me Shqipërinë në negociata nëse Sofja nuk heq dorë nga vetoja ndaj Shkupit.

“Ne po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Jemi të bindur se të dyja këto shtete i kanë përmbushur tashmë kushtet që iu kemi vënë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Duhet të keni parasysh se ka mbetur edhe pak kohë deri në fund të Qershorit për të realizuar këtë objektiv. Presidenca portugeze e BE-së po ashtu synon  që ta rikthejë këtë çështje në tavolinën e vendimarrjes para përfundimit të mandatit të saj gjashtë mujor”, tha Varhelyi.

Ideja e komisionerit për ndarjen e çiftit Tiranë-Shkup u la mënjanë për momentin nga ministrat e jashtëm në takimin dy ditor të fillim javës, por Oliver Varhelyi është i bindur se në fund të qershorit ata do të binden për variantin e tij.

“Nëse ne duam që të tregohemi të ndershëm, Shqipëria i ka përmbushur kushtet njësoj si Maqedonia e Veriut. Unë dua t`iu rikujtoj kohën kur dy vite më parë u hodh në tavoline opsioni për t’i veçuar këto dy shtete dhe ecur përpara vetëm me Maqedoninë e Veriut duke lënë  Shqipërinë mbrapa.  Pra i njëjti argument është përdorur asokohe në favor të Shkupit për t’i veçuar këto dy shtete. Çështja që unë kam ngritur personalisht është që na duhet që të kemi një rezultat deri në Qershor”, ishin fjalët e komisionerit.

Varhelyi është i bindur në faktin se deri në Qershor Bullgaria mund të mos heqë dorë nga bllokimi i Shkupit.

“Nëse ne shkojmë drejt fundit të Qershorit pa patur një zgjidhje për çështjet dy palëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që po bllokon hapjen e negociatave, jam i bindur që do të vihemi para situatës që në mënyrë të pashmangshme duhet t’i ndajmë Shkupin e Tiranën. Ky opsion nuk është larg në kohë për t’u shtruar. Këtë gjë jua bëra shumë të qartë edhe ministrave të jashtem”, tha ai.

Në Bullgari aktualisht është instaluar një qeveri teknike dhe do të zhvillohen zgjedhje të tjera parlamentare më 11 Korrik pas dështimit në krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve që u mbajtën më 4 Prill. Më 18 Maj liderët e Ballkanit Perëndimor do të kenë një darkë pune në Bruksel të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

Klan News










Të ngjashme