Revista franceze rekomandon bregdetin e jugut për pushime

Riviera shqiptare ka zënë vend në faqet e një tjetër medie të huaj.

Këtë herë eshte revista franceze e udhëtimeve “Air Info” ajo që e ka ndalur lupën gazetareske në bregdetin Jonian, duke sugjeruar në veçanti për lexuesit Sarandën dhe Vlorën.

Në artikujt e dedikuar për secilin prej tyre, ujërat e bregdetit jonian krahasohen me ngjyrën e qiellit.

Saranda përshkruhet si perla e bregdetit shqiptar, që sipas revistës të ofron plazhe që të lënë pa frymë.

Fshatrat piktoreske bregdetare si Himara apo Dhërmiu janë perfekte për të shijuar plazhet e izoluara dhe për të zbuluar natyrën e paprekur të këtij rajoni, shkruhet në artikull.

I vendosur pak kilometra në jug të Sarandës, Ksamili po ashtu rekomandohet për disa nga plazhet më të bukura në rajon, i rrethuar nga ishuj të vegjël lehtësisht të aksesueshëm me varkë.

Ndërsa plazhi i Vlorës përmendet për ujërat e kristalta dhe panoramën mahnitëse të bregdetit mes maleve.

Për pushuesit nuk mbetet pa sugjeruar as trashëgimia e pasur kulturore.

Ndër ato që nuk duhen lënë pa vizituar sipas revistës janë zona arkeologjike e Butrintit, Gjirokastra me kështjellën mbresëlënëse, rrugët me kalldrëm dhe shtëpitë tradicionale osmane që nuk lënë askënd indiferent.

Një artikull të posaçëm ‘Air Info” ka edhe për Beratin, që sugjerohet si një qytet i këndshëm për tu shëtitur në këmbë teksa shquhet arkitektura karakteristike e shtëpive.

Tv Klan