Ora 09:49 – Përfundon numërimi i votave për kandidatët në Kukës, kush janë 3 deputetët e rinj

Qarku i Kukës ka përfunduar dhe numërimin e votave për kandidatët. Shifrave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deputetët e ri do të jenë Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj nga Partia Demokratike dhe, Gerta Duraku nga Partia Socialiste.  Kandidati më i votuar në këtë qark është Flamur Hoxha nga Partia Demokratike dhe ndiqet nga Gerta Duraku që vjen nga radhët e PS.

Votat për kandidatët e Partisë Demokratike: Flamur Hoxha 9159, Isuf çelaj 5257 dhe Shyrete Koka 3622.

Votat për kandidatët e Partisë Socialiste: Gerta Duraku 5368, Petrit Malaj 3666 dhe Halim Dauti 2059.

Ora 08:05 (28 Prill) – Mbyllet numërimi në Tiranë, si ndahen mandatet

Qarku i Tiranës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 18 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 15 mandate. Në këtë qark LSI ka arritur që të marrë 2 mandate, ndërsa PSD, 1 mandat.

E përkthyer në vota PS ka marrë 226,842 vota, ose 48.67%. Ndërsa PD-AN ka marrë 182,335 vota, ose 39.12% . LSI-ja ka marrë vota 27,945 ose 6.00%. PSD ka marrë 13,273 vota ose 2.85%.

Në qarkun e Tiranës në total ishin 1243 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 910,494. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 18422.

Ora 22:15 Thaçi uron Ramën nga burgu i Hagës: Entuziast për fitoren tënde vëllai im, sot dielli ngrohte zemrën e shqiptarit brenda meje

Kryeministri Edi Rama ka marrë një mesazh të veçantë urimi për fitoren në zgjedhjet e së dielës. Bëhet fjalë për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili i ka nisur një letër nga qelia në Hagë ku ndodhet. Thaçi thotë se a pritur me entuziazëm fitoren e Ramës ndërsa shtoi se sot “dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje”.

Ish-Presidenti i Kosovës flet në urimin e tij edhe për raportin e krijuar me Ramën. “Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura”, shkruan Thaçi. Në fund, Hashim Thaçi i shkruan Ramës që të kujdeset për Shqipërinë dhe Kosovën, sepse në këtë mënyrë kujdeset për të gjithë shqiptarët.

(Kliko këtu për letrën e plotë)

Orari 21:44 Plas sherri mes Vangjush Dakos dhe Ferdinand Xhaferrit

Ndërkohë që numërimi i kutive të votimit po shkonte drejt fundit, në Durrës ka pasur një konflikt mes ish-kryebashkiakut socialist Vangjush Dako dhe kandidatit të PD-së, Ferdinand Xhaferri.

Të dy janë përplasur me fyerje të ndërsjellta. Pas tyre edhe mbështetësit e dy partive politike, janë konfliktuar me njëri tjetrin, por pas ndërhyrjes së policisë situata është qetësuar.

Ora 20:57 Reagon Bujar Nishani: Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng PD-në

Ish-Presidenti dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani ka reaguar pas humbjes së kampit blu në zgjedhjet e 25 Prillit.

Nishani thotë në një postim në rrjetet sociale se rezultati është zhgënjim dhe dëshpërim për votuesit dhe mbështetësit e opozitës. Por sipas tij, Basha duhet të merrte përgjegjësi për dështimin, të cilin Nishani e konsideron si personal të kreut të PD-së.

“Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike”, shkruan Nishani.

Postimi i plotë:

Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.

Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve!

Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.

Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.

Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal!

Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh!

Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.

Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.

Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.

Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim!

Ora 20:30 Mbyllet numërimi në Durrës, si ndahen mandatet

Qarku i Durrësit ka përfunduar procesin e numërimit të votave.

Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 8 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 6 mandate.

E përkthyer në vota PS ka marrë 76,924  vota, ose 50,26%. Ndërsa PD-AN ka marrë 63,431 vota, ose 41.45 %.

Në këtë qark në total ishin 481 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 358,730. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 7808.

Ora 19:50 Reagimi i parë i Lulzim Bashës pas humbjes: Kush mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë, beteja vetëm sa ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund

(Kliko këtu për të lexuar të gjitha lajmet)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për herë të parë pas humbjes në votimet e 25 Prillit. Kreu i opozitës tha në një deklaratë të lëshuar nga ambientet e selisë blu se besonte që me këto zgjedhje do t’i kthehej Shqipërisë demokracia. Mirëpo sipas tij, kjo nuk mjaftoi pasi “këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë”.

Basha tha se kushdo që mendojnë se “do të dorëzohemi, nuk na njeh mirë”, duke paralajmëruar një vazhdim të betejës për demokraci. Zgjedhjet e 25 Prillit, Basha i konsideron vetëm si fillimin e betejës, për të cilën shprehet se do ta çojë deri në fund.

Ora 18:00 Rama: Dua të jem kryeministër i gjithë shqiptarëve. Fitorja më e madhe që nga ‘92-shi, nëse bashkojmë forcat me PD-në kjo dekadë do të hyjë në historinë e Shqipërisë

(Kliko këtu për të lexuar të gjitha lajmet)

Siç kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama zyrtarizoi fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit në një aktivitet në sheshin ‘Skënderbej’. Kreu i qeverisë tha gjatë fjalës së tij se fitorja në zgjedhjet e 25 Prillit ka thyer rekordin e vetë selisë rozë. Po ashtu ai i shtriu dorën e bashkëpunimit Partisë Demokratike ndërsa theksoi se nëse bashkohen forcat kjo dekadë ka për të qenë dekada ku Shqipëria do të hyjë në histori.  

Ora 17:59 Basha mbledh drejtuesit e qarqeve, pritet komunikimi për mediat

Kryedemokrati Lulzim Basha pritet që të ketë një komunikim për mediat gjatë orëve të pasdites. Sipas asaj që raporton Klan Neës, në fokus të kësaj deklarate pritet të jetë rezultati i këtij procesi zgjedhor. Në orën 18:30 minuta, Basha ka thirrur në një takim edhe drejtuesit e qarqeve.

Partia Demokratike deri në këto momente numëron 59 mandate në rang vendi, shifër që nuk pritet të ndryshojë me numërimin e kutive të fundit të mbetura në Tiranë dhe Durrës.

Teksa Kryeministri Edi Rama do të shpallë fitoren, mesa duket Basha do të pranojë humbjen. Ndonëse në këto situata gjithçka pritet, vlen për t’u përmendur që deri më tani në këto zgjedhje nuk ka pasur kontestime të rezultatit.

Ora 17:34 PS fiton thellë në Astir, Veliaj: Konfirmim se njerëzit duan punën

Drejtuesi Politik i Tiranës për Partinë Socialiste, Erion Veliaj, ka deklaruar se zona e Astirit ka votuar 60% për selinë rozë. Këtë lajm, Veliaj e konsideron si fantastik dhe qershinë mbi tortë për rezultatet për kryeqytetin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se kjo fitore konfirmon se në Astir njerëzit duan punën dhe jo abuzimin nga politika, duke folur në këtë mënyrë për përplasjet e shumta ndër vite me një pjesë të banorëve që preken nga projekti i Unazës së Re.

“Siç ju kisha premtuar, do kishte një qershi mbi tortë sot dhe qershia mbi tortë është që Astiri ka votuar 60% PS. Ata që punojnë, jo ata që bllokojnë. Është një lajm fantastik. Falenderoj banorët e Astirit, banorët e Unazës  Re. Të gjithë banorët e një zone që ka qenë pjesë e debatit publik prej kohësh. Kam besuar se betejën më të madhe në Shqipëri qofshin këto analistë apo këto grupet janë kryesisht minorancat e zhurmshme. Duke qenë se bëjnë shumë zhurmë dhe bërtasin gjithë kohës të japin përkohësisht idenë sikur janë shumica. E kuptova këtë për herë të parë tek këndi i lojërave. E provova këtë për herë të parë tek këndi i lodrave, me njerëz shumë të zellshëm dhe të zhurmshëm. Pastaj vjen Presidenti, pastaj vjen dhe një deputet me patllake, pastaj janë përditë në ekran. Ke një grup njerëzish të qetë që thonë “Lali mos ia vlen që ta ndërprejmë këtë punë se janë mërzitur disa njerëz”. Nëse nuk ke bindjen se janë një minorancë e zhurmshme që nuk përfaqësojnë shumicën e njerëzve të heshtur. Ia kam thënë këtë gjë vetes që nga ajo betejë e parë, tek beteja për sheshin Skënderbej, tek beteja për Pazarin e Ri, tek beteja tek Kalaja dhe tek Astiri. Ka qenë një debat që e kam pasur për 3 vjet me kolegët e transporteve. Gjithmonë krijohej ideja sikur Astiri përfaqësohej nga një grup njerëzish që bllokonte rrugën dhe për 3 vite pengoi zhvillimin e Tiranës. Për 3 vite kam besuar fort se një minorancë e zhurmshme nuk mund ta ndalojë shumicën e heshtur të njerëzve të mirë, të drejtë dhe të njerëzve të punës. Por pyetja që me të drejtë njerëzit thonë, çfarë na garanton që ti ke të drejtë. Përgjigja është, fitorja jonë sot. Ky është konfirmimi që në Astir, në atë zonë aq të përdorur keqazi nga politika, aq të abuzuar nga politika, shumica e njerëzve do punën dhe jo dhunën, do dhunën dhe jo urrejtjen. Do të ecë përpara dhe jo mbrapa. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.

Ora 17:06 Hetimet e SPAK për krimet elektorale, Kim: Kush shkel ligjin të ndiqet penalisht

Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar në rrjetet sociale pas njoftimit të SPAK-ut për nisjen e disa hetimeve të tjera për krime elektroale. Kim shkruan se ata që pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm duhet që të dënohen pasi askush nuk është mbi ligjin.

“Shumë mirë që të shohim njoftimin e SPAK për hetimin e krimeve elektorale. Kuptoj që edhe prokurorët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirisht dhe në paqe duhet të ndiqet penalisht. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja Kim.

Ora 16:47 Zaev i uron fitoren Ramës në shqip

Ndonëse nuk është shpallur ende zyrtarisht triumfi i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit, homologët nga vendet fqinje nuk kanë nguruar të urojnë kryeministrin Rama për fitoren.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u është bashkuar mesazheve për Ramën. Madje ai ka preferuar ta urojë në shqip.

Fitoren Ramës ia ka uruar edhe presidenti turk, Erdogan, kryeministri grek dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio si dhe lideri i opozitës italiane, Matteo Salvini.

Ora 16:45 Veliaj: Fitorja në Njësinë 7, prova që Reforma në Drejtësi është gjëja e duhur

Fitoren në njësinë numër 7, Erion Veliaj e konsideroi provë që Reforma në Drejtësi është gjëja e duhur. 

Rezultatin në këtë njësi, drejtuesi politik i PS për Tiranën e konsideroi një rekord, më të mirë se në dy zgjedhjet e mëparshme, ato të 2013-s dhe 2017-s.

“Jam sot shumë krenar për Etildën, për Aldrinin, për skuadrën tonë të mrekullueshme e njësisë 7 që kanë thyer një rekord, me një rezultat më të mirë se dy zgjedhjet e fundit. Por mbi të gjitha, përveç atij ngacmimit që më thonin që nuk fitohet kjo me goca të mira, duhen laca dhe duhen të fortë për të fituar njësinë nr 7. Shumë njerëz më thonin janë lodhur njerëzit nga reformat, i kanë lodhur reformat, që duhet paguar dritat dhe jo vjedhur, e i ka mërzitur shumë njerëzit kjo historia me OFL, i ka mërzitur shumë kjo reforma në drejtësi, keni bërë shumë armiq se shumë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar kanë ikur nga reforma në drejtësi, ata kanë qenë një gardë pretoriane për shumë politikanë të korruptuar ndër vite dhe ju këta njerëz i keni mërzitur ,duke ma trajtuar të gjithë këtë çështje si një çështje elektorale, faktin që janë mërzitur të gjithë njerëzit e korruptuar dhe kriminelët e këtij vendi. Prova që Reforma në Drejtësi është gjëja e duhur dhe që sot Ministrja e Drejtësisë fiton dhe më shumë se 2013-ta, 2017-ta, është fitorja jonë në njësinë numër 7”. 

Ora 16:40 Mbyllet numërimi në Fier, si ndahen mandatet

Qarku i Fierit ka përfunduar procesin e numërimit të votave.

Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 9 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 6 mandate. Në këtë qark ka arritur që të marrë 1 mandat edhe LSI-ja.

E përkthyer në vota PS ka marrë 91572 vota, ose 52.77%. Ndërsa PD-AN ka marrë 64680 vota, ose 37.27%. LSI-ja ka marrë 12312 vota ose 7.10%.

Në këtë qark në total ishin 580 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 403288. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 9375.

Ora 16:33 Përfundon numërimi në Berat, si ndahen mandatet

Qarku i Beratit ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 5 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 2 mandate.

E përkthyer në vota PS ka marrë 42355 vota, ose 56%. Ndërsa PD-AN ka marrë 23038 vota, ose 30.46%.

Në këtë qark në total ishin 277 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 183119. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 5292.

Ora 16:21 Numërimi për kandidatët, Celibashi jep udhëzim për KZAZ-të

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka udhëzuar që për ato KZAZ që kanë përfunduar numërimin e votave për subjektet zgjedhore, të fillojnë numërimin për kandidatët nesër, datë 28 prill 2021 në orën 9:00.

“Në ato KZAZ ku ka filluar, ose pritet të fillojë numërimi i votave për kandidatët, numërimi do të vazhdojë sot deri në orën 24:00 dhe do të rifillojë nesër në datën 28 prill 2021, në orën 9:00”, thuhet në një njoftim për shtyp nga KQZ-ja.

Ora 15:48 – Erdogan dhe Mitsotakis urojnë Kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje

Presidenti turk Erdogan dhe Kryeministri grek Mitsotakis urojnë Kryeministrin Rama për fitoren e zgjedhjeve.

Ata ia shprehën urimet nëpërmjet disa bisedave telefonike të zhvilluara pak minuta më parë.

Urime per fitoren, Kryeministri Rama mori edhe nga ministri i Jashtëm Italian Di Maio dhe lideri i opozites italiane Salvini.

Ora 15:33 – Anëtari i kryesisë së PD-së kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së.

Duke ju referuar rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve, Kadilli shprehet se demokratët dhe opozitarët në Shqipëri ndihen të trishtuar.

Nëpërmjet një deklarate në Facebook, ai i ka bërë thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri.

Deklarata e plotë

“Sot demokratët dhe opozitarët në Shqipëri ndihen të trishtuar. Partia jonë dështoi në krijimin e mekanizmave dhe të besimit popullor për t’u përballur me të keqen. Me makinerinë propagandistike, financiare dhe abuzuese të pushtetit. Ne nuk arritëm ta frymëzojmë mbështetjen e gjerë opozitare, dhe as elektoratin gri, për t’i dhënë votës forcën dhe vlerën që ka në demokraci.

Ne nuk arritëm që të kapërcenim presionin, blerjet, makinacionet, joshjet dhe hilet e sistemit të ngritur nga ky pushtet. Ne nuk arritëm t’a kthenim në frymë ndryshimi zhgënjimin popullor. Si rrjedhojë jemi përballë këtij rezultati. Të cilin nuk e shmangim dot as me fajësim të njëri-tjetrit, as me taktika kalimtare, dhe as me demonizim të kundërshtarit. Rezultati negativ është i pamohueshëm.

Të gjithë bashkë duhet të analizojmë mangësitë personale dhe kolektive në këtë humbje. Duke mos harruar: si në çdo skuadër, drejtuesi mban përgjegjësinë e humbjes, siç do të merrte edhe dafinat e fitores. U bëj thirje demokratëve: ndërkohë që nxjerrin konkluzione, të përmbahen nga etiketimi i atyre që nuk na zgjodhën ne, që nuk menduan si ne, që nuk na panë ne si alternativë. Kërkimi i arsyeve të humbjes duhet filluar te vetja dhe te kundërshtari politik, asnjëherë te votuesi dhe zgjedhja e tij.

Ne duhet ta pranojmë se nuk kishim një propozim fitues për Shqipërinë. Alternativa jonë ishte vetëm kryetari i partisë, që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme. Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak here edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por më shumë se kaq, ky është një model që ka shterruar. Me anë të këtij akti, ai jo vetëm njeh përgjëgjësitë për rezultatin, por edhe respekton një standard të vendosur në Partinë Demokratike nga paraardhësi dhe themeluesi i kësaj force, Sali Berisha.

I bëj thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re! Gjithashtu, shpall sot kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike. Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen. Ne jemi parti e vlerave dhe forcës; trashëgimtare e Lëvizjes së Dhjetorit, besimtare e kredos: ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa’.  Me këtë rast, si anëtar Kryesie dhe si Kandidat për Kryetar, u bëj thirrje numëruesve dhe vëzhguesve, që sot janë në krye të punës më të vështirë, mbrojtjes së vullnetit të mbështetësve të opozitës dhe çdo shqiptari, të bëjnë të gjitha përpjekjet për të numëruar dhe ruajtur çdo votë. Nga sakrifica e tyre sot fillon ringritja nesër. Iu bëj thirrje të gjithë demokratëve të mos dorëzohen. Ne duhet të kthehemi te thelbi i misionit tonë, ringritja si parti e shpresës së shqiptarëve. Ringritja fillon që sot”.

Ora 15:12 – Celibashi mesazh numëruesve: Ndëshkime për ata që tjetërsojnë votën

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka dërguar sot një mesazh të gjithë numëruesve. Në një deklaratë për mediat kreu i KQZ tha se institucioni që ai drejton ka marrë të gjitha masat që vota për kandidatët të mos kthehet në një pazar elektoral.

Celibashi u shpreh se KQZ ka të gjitha filmimet e numërimeve dhe do të ketë ndëshkime për të gjitha ata që shkelin ligjin.

“Për sa i përket numërimit të votave për kandidatët KQZ ka marrë të gjitha masat që të mos shndërrohet në pazar elektoral. Çdo komisioner do të ketë ndëshkime penale për të gjitha ata që do të tjetërsojnë votat. KQZ ka filmimet të të gjitha qendrat e numërimit dhe ne do t’ua japim të gjitha partive që më pas t’u jepen kandidatëve. Kushdo kandidat që nuk do të marrë pamjet nga partia, mund t’i tërheq në KQZ“, tha Celibashi.

Për sa i përket vonesave në numërime, Celibashi u shpreh se është besimplotë që do të ketë një ecuri të mirë, por tha se të gjitha ata komisioner që kërkojnë pushim do të ketë një  vlerësim rast pas rasti sipas ligjeve që janë fuqi.

Ora 15:02 – Celibashi tregon sa ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 Prillit

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat ka treguar rezultatin e pjesëmarrjes në zgjedhjet të 25 Prillit.

Celibashi tha se me numërimet e deritanishme  rezulton se pjesëmarrja është 45.72%, por që në përfundim të procesit zgjedhor do të ketë një shifër tjetër.

Ka përfunduar plotësisht procesi i numërimit 4952 në njësi votimi. Procesi i numërimi ka përfunduar në 12 vende të numërimit dhe ka filluar në disa qendra të tjera. Pjesë marrja është 45.72%”, tha Celibashi. Po ashtu komisioneri ka treguar dhe rezultatet e deritanishme ku kryeson PS me 74 mandate, PD 59 mandate, LSI 4 dhe PSD 1 mandat.

Ora 14:51 – Veliaj: Sapo fituam Kavajën dhe Rrogozhinën

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë një tjetër dalje publike këtë martë, ndërsa ka konfirmuar fitoren e PS edhe në Kavajë e Rrogozhinë.

Në fjalën e tij ai ka shprehur falenderime për qytetarët e Kavajës, ndërsa ironizoi përfaqësues të  PD-së dhe disa analistë që ai i cilëson si “militantë ekstremistë”.

Më tej Veliaj theksoi se puna dhe bashkimi shpërblehet.

“Si është ajo kënga e PD-së? Jam i pandalshëm sot? Kam patur pyetje gjithë këto ditë, përse nuk përgjigjesh kur Saliu futet në jetën private. Më keni pyetur për Gridën, analistët që janë bërë rogozë, që zhgërryhen si militantë ekstremistë. Pse nuk flas për këta njerëz? Sa fituam Kavajën. Kjo është përgjigja ime për të gjithë ata që na futen përditë në familje, që mundohen të na përçajnë, që flasin parakohe, që japin verdikte para kohe. Përgjigja ime për të gjithë ata është që ne sapo fituam Kavajën. E fituam edhe më shumë se në vitin 2017, Kavajën dhe Rrogozhinën. Puna shpërblehet, bashkimi shpërblehet dhe fushata jonë është shpërblyer sot. E kam zemrën plot mirënjohje për të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm. PS është numri 1 në Kavajë dhe Rrogozhinë. Fitorja jonë në Kavajë dhe Rrogizhinë është grua”, tha Veliaj.

Ora 13:00 – PS paralajmëron komisionerët: Asnjë votë të mos tjetërsohet, kalimi nga një kandidat tek tjetri është krim zgjedhor

Zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, në emër të Edi Ramës ka kërkuar që të të numërohet çdo votë dhe asnjë votë të mos tjetërsohet.

Muzhaqi tha se  tashmë është koha për të vijuar numërimin e votave deri në fund që vullneti i shqiptarëve të respektohet deri në fund.

“Fitorja e PS është një fitore historike për familjen tonë politike, për të cilën jemi krenar të gjithë. Kjo fitore e qartë dhe e thellë duhet të shkëlqejë dhe me procesin e numërimit. Presim me padurim dhe rezultatin në Durrës dhe Tiranë dhe kemi mundësi dhe për 2 mandate të tjera. Përtej numërimit të tjerë përfundimtar tani është koha është për t’u angazhuar me të njëjtën përgjegjësi për numërimin e votave për kandidatët. Vullneti i shqiptarëve që u shpreh përmes votës dhe angazhimit maksimal duhet respektuar deri në fund. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të tjetërsohet“, u shpreh Muzhaqi.

Më tej kandidatja për deputete nga PS tha se kalimi i votave nga një kandidat tek tjetri është një krim zgjedhor dhe nuk do të tolerohet.

“Kalimi i votës nga një kandidat tek tjetri është një krim zgjedhor, PS nuk do të tolerojë askënd nga numëruesit që do tentojnë ta bëjnë këtë gjë“, u shpreh ajo.

Ora 12:14 – Veliaj: PS fiton Kombinatin me 54% të votave

Partia Socialiste ka fituar edhe në zonën e Kombinatit në Bashkinë e Tiranës. Drejtuesi politik i PS për Qarkun Tiranë, Erion Veliaj tha se Kombinati është fituar nga socialistët me 54% të votave.

Veliaj ka falenderuar Belinda Ballukun, e cila drejtonte fushatën në këtë zonë.

“Sapo kanë ardhur nga Kombinati me fitoren më të madhe në Bashkinë e Tiranës ka fituar 54% të Kombinatit, Njësisë 6. Jam shumë krenar për Belën dhe skuadrën tonë fantastike. Në çdo sfidë ekziston një mundësi. Unë jam me parimin që kush është i mirë i bën të gjitha. Bela arriti të bënte edhe aeroportin në Kukës, edhe Rrugën e Arbrit, edhe fitoren fantastike në Kombinat”, u shpreh Erion Veliaj. 

Ora 11:53 – PS merr 8 mandate, mbyllet zyrtarisht numërimi në Elbasan

Qarku i Elbasanit ka përfunduar zyrtarisht procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 8 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 6 mandate.

E përkthyer në vota PS ka marrë 86,224 ose 55.22%. Ndërsa koalicioni i Partisë Demokratike, Aleanca për Ndryshim, ka marrë 57,878 vota ose 37.06%.

Lëvizja Socialiste edhe pse ka marrë 6892 vota sërish nuk ka mundur që të kalojë pragun dhe të marrë mandat. Po ashtu dhe partitë e tjera në garë s’kanë marrë mandat, pasi kanë pasur një numër të vogël votash.

Në këtë qark në total ishin 511 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 346, 948. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 9775.

Ora 11:30 – PS fiton në Vorë, Veliaj: Kam pritur 20 vite për ta dhënë këtë lajm

Partia Socialiste ka fituar në Bashkinë e Vorës, duke arritur një rezultat historik. Drejtuesi politik i PS në Qarkun Tiranë, Erion Veliaj tha se ka pritur 20 vite për të dhënë një lajmërim të tillë.

Kemi pritur 20 vite për ta bërë këtë lajmërim, kanë qenë 20 vite kur kemi qenë në opozitë, nuk jemi dorëzuar. Pas 20 vitesh PS sot ka fituar në Vorë me 54%. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Vorës që zgjodhën të provojnë diçka ndryshe, një alternativë që prej 20 vitesh nuk ishte forca qeverisëse në Vorë”, tha Erion Veliaj nga selia rozë.

Ora 11:27 – Drejtuesit e BE deklaratë të përbashkët për zgjedhjet, thirrje për dialog politik konstruktiv nga palët

Përfaqësuesi i Lartë i BE Josep Borrell dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Në këtë deklaratë theksohet se konkluzionet paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Kufizuar të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR, tregojnë se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu ata kanë bërë thirrje për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.

Deklarata e Plotë

“Të Dielën, populli i Shqipërisë ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar. Ne i përgëzojmë të gjithë ata që kontribuan për ta bërë të mundur këtë, pavarësisht rrethanave sfiduese të COVID-19. Zgjedhjet u mbajtën duke zbatuar një kornizë të re zgjedhore, të miratuar në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.

Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Kufizuar të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte e energjike dhe gjithëpërfshirëse. Pjesëmarrësit patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në garë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i reformuar (KQZ), e mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesit në të gjitha nivelet. Vëzhguesit raportojnë shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike. Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira në numërim të procedojnë me shpejtësi dhe në përputhje me procedurat e vendosura. Të gjitha forcat politike tani duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, sipas rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Kjo përfshin përgjegjësinë për të ndjekur parimin demokratik të respektimit të rezultatit të zgjedhjeve. Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës.

Ashtu si me aktivitetet e vëzhgimit diplomatik në ditën e zgjedhjeve nga Delegacioni i BE dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare, BE do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet elektorale deri në çertifikimin përfundimtar të rezultateve.

Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar. Periudha e tranzicionit deri në përurimin e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet të mbajë përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat e nevojshme. Ne dëshirojmë që vendi të hyjë në fazën tjetër të procesit të pranimit në BE, me thirrjen sa më parë të jetë e mundur, të Konferencës e parë Ndërqeveritare të negociatave.

Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me Sundimin e Ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”.

Ora 11:18 – PS deklaron fitoren edhe në Njësinë 3 në Tiranë

Partia Socialiste ka deklaruar fitoren edhe në Njësinë Nr.3 në Tiranë. Drejtuesi politik i PS në këtë qark, Erion Veliaj, shpalli fitoren nga selia e PS. Ai tha se vota e dhënë nga qytetarët është mesazh bashkimi dhe jo përçarje pavarësisht bindjeve politike.

“Jemi këtu për fitoren e Njësisë 3 në Tiranë. Dua të falenderoj atë që ishin komisionerë, ata që ishin numërues, që ishin patronazhues. Dua të falenderoj Ildën për një punë fantastike që ka bërë në Njësinë 3. Mezi pres që duke filluar nga sot t’i shtrijmë dorën kundërshtarit. Ne vërtetë kemi bindje të ndryshme por jemi shqiptarë. Qytetarët e Njësisë 3 na kanë dhënë një mandat që t’i bashkojmë, jo ti përçajmë”

Ora 11:15 – Përfundon zyrtarisht numërimi në Korçë, si ndahen mandatet

Qarku i Korçës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 6 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 5 mandate. E përkthyer në vota PS ka marrë 60, 543 vota, ose 48.90 %. Ndërsa PD-AN ka marrë 50,479 vota, ose 40.77 %.

Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim në këtë qark nuk ka mundur që të marrë mandat, pasi nuk ka arritur dot të kalojë pragun. Në këtë qark në total ishin 427 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 284,363. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 7,375.

Ora 10:51 – Procedohen penalisht 3 vëzhguesit që u përleshën te shkolla ‘1 Maji’

Tre vëzhguesit e zgjedhjeve që u përleshën fizikisht mbrëmjen e së hënës në tek shkolla “1 Maji” në Tiranë, janë proceduar penalisht nga policia dhe po hetohen në gjendje të lirë.

Të proceduarit janë J. M. 26 vjeç, O. L. 29 vjeç dhe A. D. 35 vjeç, të tre me detyrë vëzhgues në VNV Nr. 30.

Ata akuzohen për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje.

Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi mbrëmjen e djeshme janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për radhën e qëndrimit para monitorëve ku bëhet numërimi i votave. 

Ora 10:52 – Mbyllet zyrtarisht numërimi në Lezhë, si ndahen mandatet

Qarku i Lezhës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 4 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 3 mandate. E përkthyer në vota PD-AN ka marrë 33998 vota, ose 47.42%. Ndërsa PS ka marrë 27269 vota, ose 38.03%.

Ndërkohë në këtë qark LSI nuk ka mundur që të marrë një mandat. Po ashtu dhe partitë e tjera në garë kanë arritur që të marrin një numër të vogël votash. Në këtë qark në total ishin 249 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 173899. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 4946.

Ora 10:39 – Mbyllet zyrtarisht numërimi në Shkodër, si ndahen mandatet

Qarku i Shkodrës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 5 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 3 mandate. E përkthyer në vota PD-AN ka marrë  47,209 vota, ose 43.80%. Ndërsa PS ka marrë 30,296 vota, ose 28.11%.

Ndërkohë në këtë qark Partia Socialdemoratike ka arritur që të fitojë 2 mandate 16,426 ose 15.24%. Po ashtu dhe LSI ka arritur që të marrë një mandat duke siguruar 10,102 ose 9.37 %.

Në këtë qark në total ishin 411 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 272,078. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 6107.

Ora 10:19 – Peleshi shpall fitoren nga Korça: Votimi 6 me 5, qytetarët zgjodhën modelin e duhur

Niko Peleshi ka shpallur fitoren e Partisë Socialiste në Korçë. Në këtë qark, PS kryeson me 6 mandate, ndërsa PD ka marrë 5 mandate.

Peleshi tha se ndarja e mandateve në këtë mënyrë tregon se qytetarët zgjodhën modelin e duhur duke refuzuar modelin 6-4-1, çka nënkupton LSI-në e cila nuk ka marrë asnjë mandat.

Niko Peleshi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me opozitën.

“Sapo përfundoi kutia e fundit në Bashkinë e Maliqit, PS ka fituar bindshëm në Korçë. Dua të falenderoj qytetarinë që karakterizoi këtë votë. PS ka fituar me rreth 10 mijë vota diferencë nga PD. Të gjithë socialistët që votuan në 2017 kanë votuar edhe tani. Fitoja 6 me 5 është shumë më bukur se fitorja jonë 6-4-1. Korça zgjodhi modelin e duhur të qeverisjes. Në këtë mandat të rëndësishëm kemi marrë angazhime të mëdha, nuk janë të lehta, kërkon shumë punë. Duke votuar 6 me 5 dhe jo 6-4-1 votuan modelin e duhur dhe së bashku me ne hipën në trenin që do të ecë përpara. I shtroj dorën e bashkëpunimit të gjithë kundërshtarëve tanë, PD, pavarësisht se në opozitë roli i tyre është pazëvendësueshëm. Nuk ka nevojë vetëm për mazhorancë, ka nevojë dhe për opozitë. Opozita të mos ndihet e humbur sepse ne kemi një derë të hapur”, deklaroi Niko Peleshi. 

Ora 10: 10 – Rama shpall fitoren: Festa në orën 18:00 në sheshin ‘Skënderbej’, kush të dojë të na bashkohet

Kryeministri Edi Rama ka shpallur fitoren për zgjedhjen e 25 Prillit. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se festa do të organizohet në sheshin ‘Skëndebej’ në orën 18:00.

Kreu i socialistëve falenderon të gjithë ata që kanë punuar për këtë fitore, si patronazhistë, koordinator, drejtues të qarqeve dhe deputetet.

Po ashtu u bënë ftesë të gjithëve që të bashkohen në tubimin e fitores.

Sot në 18.00, në Sheshin Skënderbej, skuadra kampione e patronazhistëve, koordinatorëve, drejtuesve, deputetëve dhe kush të dojë të na bashkohet për përqafimin e fitores #PS12#Fitore #Kampionë”, shkruan Rama.

Ora 10:00 – Veliaj shpall fitoren edhe në Njësinë Nr.2 në Tiranë

Drejtuesi politik për Tiranën i Partisë Socialiste, Erion Veliaj ka shpallur fitoren edhe në Njësinë Nr.2.

Nga selia rozë, Veliaj tha se Njësia 2 është një nga njësitë në të cilën janë bërë investimet më të rëndësishme.

“Unë jam rritur në Njësinë Nr.2. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të deklaroj se fituam bindshëm Njësinë 2 të Tiranës, një nga njësitë më të mëdha. Kjo fitore na jep përgjegiësi akoma më të shtuar. Është njësi që ka disa nga investimet tona ikonë”.

Veliaj i ka shtrirë sërish dorën për bashkëpunim opozitës.

Puna e parë që duhet të bëjmë do të jetë shtrirja e dorës për kundërshtarët tanë. Çfarëdo dallimesh që kemi, çdo lloj hatërmbetje duhet të jetë pjesë e të kaluarës”.

Ora 09:33 – Përleshja e dhunshme, kreu i KZAZ tregon detaje nga sherri që ndodhi mbrëmë

Kreu i KZAZ numër 30 në Tiranë ka treguar detaje nga incidenti që ndodhi një natë më parë në këtë qendër numërimi.

Në një prononcim për Klan News, drejtuesi i kësaj KZAZ-je tha se kanë qenë disa militant që janë përplasur me një nga numëruesit e PD.

“Pati një përplasje mes disa militantëve me një prej numëruesve tanë të PD. Ka ndërhyrë policia që u qetësua situata dhe KQZ ka marrë vendimin për të ndërprerë numërimin dhe kemi rinisur sërish sot.

Tashmë KQZ ka marrë një vendim për të reduktuar numrin e vëzhguesve të partive politike që do jenë vetëm 7 dhe në total 21 bashkë me vëzhguesit e pavarur dhe të ambasadave“, u shpreh kreu i KZAZ për mikrofonin e Klan News.

Një natë më parë në këtë KZAZ pati një përleshje të dhunshme mes disa personave dhe është dashur ndërhyrja e policisë  dhe 8 persona kanë përfunduar në komisariat.

Ora 09:28 – Akt qytetarie, kandidatet e PS dhe PD përqafohen pas përfundimit të numërimit të votave

Kandidatet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Sarandë kanë dhënë një shembull qytetarie.

Anila Denaj, e cila është edhe ministre e Financave, është përqafuar dhe përshëndetur me rivalen e saj demokrate Ina Zhupa.

Sipas të dhënave të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në Sarandë PS ka marrë 52.51% të votave dhe PD 33.89% të votave.

Ora 09:27 – Veliaj shpall fitoren në njësinë 1: Kemi thelluar rezultatin

Koordinatori i qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste, Erion Veliaj, ka shpallur sot fitoren në njësinë numër 1 në Tiranë. Në një dalje për mediat nga selia e PS, Veliaj tha se në këtë njësi  është thelluar rezultati.

Ka qenë një natë e gjatë për skuadrën tonë, për disa anëtarë të skuadrës tonë. në njësinë numër 1 kemi dalë mbi 54% të votave. Dua të falenderoj të gjithë nga Ali Demi deri në Shkozë. kemi përmirësuar rezultatin. njësia është një kantier ndërtimi. vajo që duatë them është së pari mirënjohje dhe një falenderim të veçantë. Tani është koha që të rikthehemi më fuqishëm në njësinë 1“, tha Veliaj.

 Më tej koordinatori i PS për qarkun e Tiranës u ka kërkuar të gjithë atyre që janë angazhuar në fushatën e PS që të bëjnë në tur në të gjithë njësinë dhe të takojnë këdo dhe t’i falenderojnë edhe pse jo të gjithë i kanë votuar.

Ora 09:06 – 3 mandate për PS në Gjirokastër, Bledi Çuçi: Rezultat historik

Partia Socialiste ka fituar bindshëm në Qarkun e Gjirokastrës, duke nxjerrë 3 mandate deputetësh. Partia Demokratike mori 1 mandat, ndërsa LSI nuk arriti të nxjerrë asnjë mandat. Bledi Çuçi ishte i treti në listën e Partisë Socialiste dhe ka mundur të fitojë mandatin e deputetit.

Duke folur nga Gjirokastra, Çuçi u shpreh se fitorja 3 mandateve në këtë qark shton më shumë detyrimet.

“Ishte një garë spektakolare. Jam shumë i lumtur që arritëm të marrim këtë rezultat, është rezultat historik. Padiskutim gjithçka është arritur falë punës së gjithë ekipit të mrekullueshëm, deri në numërimin e votës së fundit siç e patë. Kjo na i shton më shumë detyrimin ndaj Gjirokastrës. Jemi akoma rrugës, kemi një rrugëtim të gjatë për të bërë dhe do ia dalim për Gjirokastrën”.

Edhe pse konsiderohet fitore e thellë e socialistëve në këtë qark, ai thotë se e priste këtë rezultat. “Përderisa unë ngula këmbë që të isha i treti në listë, do të thotë që e kam pritur, e kam pritur duke punuar”.

Me rivalin e tij në Gjirokastër, Tritan Shehun e PD, shprehet se kanë ndjekur së bashku procesin e numërimit të votave. “Ne ishim bashkë edhe gjatë numërimit, pa diskutim që edhe me kolegët e Partisë Demokratike. Ata të LSI-së nuk i pamë…”, deklaroi Bledi Çuçi. 

Ora 09:02 – Gjiknuri pas fitores në Vlorë: Vota e marrë është përgjegjësi e shtuar për të punuar

Koordinatori politik i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, ka reaguar pas përfundimit të votave. Në një postim në mediat sociale, Gjiknuri falenderon qytetarët që votuan dhe shkruan se  janë ruajtur mandatet që janë marrë 4 vite më parë.

Sipas deputetit të PS qarku i Vlorës ka përqindjen më të lartë në rang vendi të votave për forcën e tij politike. Më tej shton se kjo votë e marrë në këto zgjedhje është një përgjegjësi e shtuar për të punuar edhe më fort për vazhdimin e projektit të transformimit të Vlorës.

Me përfundimin e procesit të numërimit për forcat politike, konstatoj me kënaqësi se kemi ruajtur numrin e mandateve rekord të fituara 4 vite më parë. Qarku i Vlorës ka përqindjen më të lartë në rang vendi të votave për PS.

Qytetarët e Vlorës, Sarandës, Selenicës, Delvinës, Himarës, Konispolit e Finiqit i dhanë përgjigjen e merituar edhe atyre që provokuan fushatën me deklarata e akuza, duke mos i lejuar të fitojnë asnjë mandat! Vota e marrë është përgjegjësi e shtuar për të punuar edhe më fort për vazhdimin e projektit të transformimit të Vlorës!“, shkruan Gjiknuri.

Ora 08:50 – Përfundon numërimi dhe në Shijak, PS fiton bindshëm

Mëngjesin e sotëm është mbyllur numërimi i votave dhe në bashkinë Shijak. Partia Socialiste ka arritur që të marrë një numër të madh votash, duke kapur shifrën e 7985 vota ose 53.58%

Ndërkohë koalicioni i Partisë Demokratike ka marrë vetëm 39.1% të votave ose 5848 vota.

Ndërkohë nga ana tjetër LSI ka marrë 841 vota ose 5.62%. Ndërkohë në qarkun e Durrësit vijon numërimi dhe në dy bashkitë e tjera, Durrës dhe Krujë. Deri tani PS ka 7 mandate, PD 6 dhe LSI 1.

Ora 08:44 – Si qëndron e vërteta e mandatit të 9 të socialistëve në Elbasan

Në Qarkun e Elbasanit është mbyllur zyrtarisht procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare. Mëngjesin e sotëm u numëruan votat e fundit dhe sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, mandatet janë ndarë 8 për Partinë Socialiste dhe 6 për Partinë Demokratike.

Por, socialistët aty të udhëhequr nga Taulant Balla pretendojnë se kanë fituar mandatin e 9 në Elbasan, çka do të thotë se Partia Demokratike zbret në 5 mandate.

Por si qëndron e vërteta? Rezultati varet vetëm nga 1 votë. Socialistët thonë se kanë fituar mandatin e 9-të në Qarkun e Elbasanit për 1 votë, ndërsa PD pretendon të mbajë 6 mandatet vetëm prej 1 vote.

Për të ndarë përfundimisht rezultatin, do të duhet të pritet certifikimi zyrtar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. 

Ora 08:28 – Përfundon numërimi i votave në Elbasan

Ka përfunduar mëngjesin e sotëm numërim i votave në qarkun e Elbasanit. Gazetari Fatos Salliu, i cili ka ndjekur nga afër këtë proces ka raportuar se është mbyllur numërimi i votave dhe në kutitë e fundit.

Partia Socialiste ka shpallur fitoren duke thënë se ka marrë 9 mandate, ndërkohë ky mandat ende nuk është konfirmuar nga KQZ.

Mandati i nëntë për PS rrezikohet për një numër të paktë votash. Deri tani gazetari Salliu raporton se mandati i takon Partisë Socialiste, por pritet ende një konfirmim nga KQZ.

Nga ana tjetër Partia Demokratike është mes mandatit të 5-të dhe të 6-të. Por situata në këtë qark mbetet ende e paqartë.

Ora 07:30 – Edi Rama në Facebook: Po punove fort ia del. S’ka rrugë të shkurtra në jetë

Partia Socialiste po shkon drejt fitores në këto zgjedhje, edhe pse numërimet nuk kanë përfunduar ende. Kjo do të jetë fitorja e tretë radhazi për Edi Ramën, por njëkohësisht edhe hera e parë që në Shqipëri një parti fiton 3 mandate rresht.

Pas këtyre rezultateve, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit Rama, i cili në një postim në Facebook ka publikuar shprehjen e Michael Jordan. “Po punove fort ia del. S’ka rrugë të shkurtra në jetë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ora 07:14 – Mbyllet numërimi në Vlorë, si ndahen mandatet

Qarku i Vlorës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 8 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 4 mandate.

E përkthyer në vota PS ka marrë 59023 vota, ose 57.91%. Ndërsa PD-AN ka marrë 32128 vota, ose 31.52%.

Në këtë qark në total ishin 445 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 318,428. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 4730.

Ora 03:51 Mbyllet numërimi në Gjirokastër | PS siguron 3 mandate, PD 1

Qarku i Gjirokastër ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Socialiste është ajo që kryeson duke siguruar 3 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka marrë 1 mandat.

E përkthyer në vota PS ka marrë 24531 vota, ose 53.83%. Ndërsa PD-AN ka marrë 13971 vota, ose 30.66%.

Në këtë qark në total ishin 207 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 123270. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 2310.

Ora 02:00 Drejtuesi politik i PD-së për Kukësin: Do të jem deputet i të gjithëve

Drejtuesi politik i Qarkut Kukës për PD-në, Flamur Hoxha, ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit të numërimit. Ai falenderon votuesit kuksianë dhe shprehet se do të jetë deputet i të gjithë qytetarëve.

“Mirënjohje pa kufi çdo votuesi kuksian për vlerësimin e besimin politik. Rreth 5 mijë vota më shumë i dhatë Partisë Demokratike. Çdo fjalë falenderimi nuk e mbërrin madhështinë tuaj. I detyrohem pafund secilit prej jush.  Do të di te jem deputet i juaj, deputeti i të gjithëve. Falenderime të përzemërta, Flamuri”, shkruan Hoxha.

Qarku i Kukësit ishte i pari i cili ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 2 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 1 mandat.

Ora 00:32 Xhelal Mziu shpërthen fishekzjarret në Dibër

Dibra është një prej dy qarqeve që ka mbyllur procesin e numërimit për partitë politike dhe subjektet. Në këtë qark, Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 3 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 2 mandate.

Kjo ka bërë që në radhët e demokratëve të nis festa. Xhelal Mziu, drejtuesi politik i PD-së për Dibrën, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video nga momenti i shpërthimit të fishekzjarreve pas mbylljes së procesit.

E përkthyer në vota PD-AN ka marrë 29 020 vota, ose 45.13 % në Dibër. Ndërsa PS ka marrë 28 742, ose 44.70 %./tvklan.al

Ora 00:20 Mbyllet numërimi në Dibër | PD siguron 3 mandate, PS 2

Qarku i Dibrës ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo kryeson duke siguruar 3 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 2 mandate.

E përkthyer në vota PD-AN ka marrë 29 020 vota, ose 45.13 %. Ndërsa PS ka marrë 28 742, ose 44.70 %

Në këtë qark në total ishin 227 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 131 225. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 4 686.

Ora 01:11 Nis faza e ‘nxehtë’ e numërimit të votave

Procesi i numërimit të votave ka hyrë në fazën më të nxehtë.

Rreth 1 mijë kuti votimi kanë mbetur pa numëruar në të gjithë KZAZ-të vendit. Sipas informacioneve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thuhet se deri më tani janë numëruar 4156 kuti votimi nga 5199 që janë në total.

Deri më tani në rang vendi është duke udhëhequr Partia Socialiste me 48.62% të votave. Partia Demokratike ka fituar 39.42% të votave ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, 6.8%.

Ajo që bën përshtypje në të dhënat paraprake të KQZ-së janë votat e pavlefshme. Deri në këto momente kanë rezultuar 65,386 vota të pavlefshme.

Kujtojmë që pas përfundimit të procesit të votimit të dielën, Celibashi deklaroi se rezultati i zgjedhjeve do të dalë brenda 48 orëve. 

Ora 00:50 Kim: Ndërprerja e numërimit e pajustifikueshme, partitë t’i përmbahen premtimit publik

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në një reagim në Twitter ndau një postim të bërë më herët nga komisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili i kujtoi partive politike që kanë numërues që t’i përbahen premtimit publik për të vijuar pa ndërprerje procesin e numërimit.

Më anë të postimit të Celibashit, Kim rikujton se ndërprerja e procesit për shkak të numëruesve është e pajustifikueshme dhe të gjithë komisionerët apo numëruesit e lodhur duhet të zëvendësohen.

“Partitë politike që kanë numërues, duhet t’i përmbahen premtimit publik për të garantuar numërimin dhe vlerësimin e pandërprerë të votave. Nuk ka asnjë justifikim ndërprerja e procesit për shkak të mungesës së numëruesve. Numëruesit dhe/ose komisionerët e lodhur duhet të zëvendësohen menjëherë”.

Ora 00:24 Sherri tek KZAZ në Tiranë, Celibashi: Shfuqizohen akreditimet e vëzhguesve në sallë

Nga KZAZ-ja në shkollën “1 Maji”, aty ku një sherr masiv ku u përfshinë disa persona, jo vetëm solli një pamje të padëshiruar për këtë proces zgjedhor që deri më tani ka qenë përgjithësisht pa probleme, por ndërpreu gjithashtu edhe numërimin në këtë qendër, Ilirjan Celibashi tha se KQZ kishte marrë vendimin për shfuqizimin e akredimit e vëzhguesve në këtë KZAZ duke i zëvendësuar ata me të tjerë. 

“Incidenti që ka ndodhur natyrshëm që e acaruar situatën, nuk ka krijuar një kusht pune të mirë për anëtarët e grupeve të numërimit, dhe për vetë KZAZ-në. Tani për ta risjellë këtë situatë në pozitat e ligjit dhe të transparencës, edhe të integritetit, kemi vendosur që të shfuqizojmë të gjitha akreditimet e vëzhguesve, të dhënë deri më sot dhe kemi dhënë akreditime për vëzhgues të tjerë. Çdo autorizim që u është dhënë vëzhguesve deri më sot, vetëm për këtë KZAZ janë shfuqizuar. Kemi dhënë akreditime të reja, nga vëzhgues të rinj,  nga një për çdo subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.

Celibashi shtoi më tej se, “Në këtë sallë nga ky moment e në vazhdim, do të jenë vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, 13 të tillë, do të jenë deri në 7 vëzhgues të organizatave jo fitimprurëse, konfirmimi për të cilat do ta bëjë KQZ në konsultim me KZAZ-në . Do të jenë vetëm përfaqësuesit e medias dhe kandidatët për deputet”.

Komisioneri tha se numërimi në këtë qendër do të vijojë pas një pushimi prej 4 orësh.

“Numërimi do të vazhdojë tani, por do të dalin të gjithë vëzhguesit që kanë pasur akreditim deri në tani dhe do të përfundojë procesi i vlerësimit të fletëve të votimit që numëruesit kanë hapur tani. Kemi autorizuar një pushim prej 4 orësh në konsultim edhe me kandidatët për deputetë, kryesisht ë forcave kryesore politike. Kemi autorizuar një pushim për 4 orë për KZAZ-në dhe anëtarët e grupeve të numërimit”.

Ora 00:01 Mbyllet numërimi në Kukës | PD siguron 2 mandate, PS 1

Qarku i Kukësit është i pari i cili ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 2 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 1 mandat.

E përkthyer në vota PD-AN ka marrë 24 071 vota, ose 62.27 %. Ndërsa PS ka marrë 13 856, ose 35.84 %.

Në këtë qark në total ishin 141 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë është 83 027. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 2188.

Departamenti i WEB TVKLAN.AL