Shqipëria Voton 2021-Përditësimet e fundit (26 Prill)




Shqipëria Voton 2021-Përditësimet e fundit (26 Prill)

16:28 26/04/2021

Klan News live stream

Ora 01:11 Nis faza e ‘nxehtë’ e numërimit të votave

Procesi i numërimit të votave ka hyrë në fazën më të nxehtë.

Rreth 1 mijë kuti votimi kanë mbetur pa numëruar në të gjithë KZAZ-të vendit. Sipas informacioneve paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thuhet se deri më tani janë numëruar 4156 kuti votimi nga 5199 që janë në total.

Deri më tani në rang vendi është duke udhëhequr Partia Socialiste me 48.62% të votave. Partia Demokratike ka fituar 39.42% të votave ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, 6.8%.

Ajo që bën përshtypje në të dhënat paraprake të KQZ-së janë votat e pavlefshme. Deri në këto momente kanë rezultuar 65,386 vota të pavlefshme.

Kujtojmë që pas përfundimit të procesit të votimit të dielën, Celibashi deklaroi se rezultati i zgjedhjeve do të dalë brenda 48 orëve. 

Ora 00:50 Kim: Ndërprerja e numërimit e pajustifikueshme, partitë t’i përmbahen premtimit publik

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim në një reagim në Twitter ndau një postim të bërë më herët nga komisioneri i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili i kujtoi partive politike që kanë numërues që t’i përbahen premtimit publik për të vijuar pa ndërprerje procesin e numërimit.

Më anë të postimit të Celibashit, Kim rikujton se ndërprerja e procesit për shkak të numëruesve është e pajustifikueshme dhe të gjithë komisionerët apo numëruesit e lodhur duhet të zëvendësohen.

“Partitë politike që kanë numërues, duhet t’i përmbahen premtimit publik për të garantuar numërimin dhe vlerësimin e pandërprerë të votave. Nuk ka asnjë justifikim ndërprerja e procesit për shkak të mungesës së numëruesve. Numëruesit dhe/ose komisionerët e lodhur duhet të zëvendësohen menjëherë”.

Ora 00:24 Sherri tek KZAZ në Tiranë, Celibashi: Shfuqizohen akreditimet e vëzhguesve në sallë

Nga KZAZ-ja në shkollën “1 Maji”, aty ku një sherr masiv ku u përfshinë disa persona, jo vetëm solli një pamje të padëshiruar për këtë proces zgjedhor që deri më tani ka qenë përgjithësisht pa probleme, por ndërpreu gjithashtu edhe numërimin në këtë qendër, Ilirjan Celibashi tha se KQZ kishte marrë vendimin për shfuqizimin e akredimit e vëzhguesve në këtë KZAZ duke i zëvendësuar ata me të tjerë. 

“Incidenti që ka ndodhur natyrshëm që e acaruar situatën, nuk ka krijuar një kusht pune të mirë për anëtarët e grupeve të numërimit, dhe për vetë KZAZ-në. Tani për ta risjellë këtë situatë në pozitat e ligjit dhe të transparencës, edhe të integritetit, kemi vendosur që të shfuqizojmë të gjitha akreditimet e vëzhguesve, të dhënë deri më sot dhe kemi dhënë akreditime për vëzhgues të tjerë. Çdo autorizim që u është dhënë vëzhguesve deri më sot, vetëm për këtë KZAZ janë shfuqizuar. Kemi dhënë akreditime të reja, nga vëzhgues të rinj,  nga një për çdo subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.

Celibashi shtoi më tej se, “Në këtë sallë nga ky moment e në vazhdim, do të jenë vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, 13 të tillë, do të jenë deri në 7 vëzhgues të organizatave jo fitimprurëse, konfirmimi për të cilat do ta bëjë KQZ në konsultim me KZAZ-në . Do të jenë vetëm përfaqësuesit e medias dhe kandidatët për deputet”.

Komisioneri tha se numërimi në këtë qendër do të vijojë pas një pushimi prej 4 orësh.

“Numërimi do të vazhdojë tani, por do të dalin të gjithë vëzhguesit që kanë pasur akreditim deri në tani dhe do të përfundojë procesi i vlerësimit të fletëve të votimit që numëruesit kanë hapur tani. Kemi autorizuar një pushim prej 4 orësh në konsultim edhe me kandidatët për deputetë, kryesisht ë forcave kryesore politike. Kemi autorizuar një pushim për 4 orë për KZAZ-në dhe anëtarët e grupeve të numërimit”.

Ora 23:30 “Bella, bella”, numërimi në Kombinat mbyllet me brohorima

Me ovacione u mbyll kutia e fundit në Kombinat, në Tiranë, ku fituese rezulton Partia Socialiste. Gazetarja e Klan News, Ermelinda Hoxhaj në një lidhje direkte, tregoi se momenti i përfundimit të kutive të fundit u mbyll me brohorimat e vëzhguesve të cilët thërrisnin ‘bella, bella’, duke iu referuar Ministres Belinda Balluku.

“Sapo mbaroi dhe kutia e fundit në KZAZ 36, siç e shikoni PS është në avantazh dhe të gjithë vëzhguesit ishin duke thënë “bella, bella” për Ministren e Infrastrukturës e cila ka qenë këtu gjatë gjithë kohës. Deri në këto momente unë mund t’ju them, mungojnë vetëm të dhënat për dy kutitë e fundit që sapo përfunduan dhe nuk i kemi të dhënat përfundimtare. PS, pa dy kutitë, ka marrë 15,251, PD ka marrë 9550, ndërsa LSI 1960 vota”.

Gazetarja shtoi më tej se të dyja partitë kryesore kanë rritje, pasi LSI ka një rënie goxha të madhe në krahasim me 2017-n kur kishte marrë 14 mijë vota, ndërsa tani nuk mund të arrinte as në 2 mijë vota.

Ora 23:29 DASH: SHBA presin nga kandidatët e udhëheqësit shqiptarë të pranojnë vendimin e votuesve

“Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit (e Shqipërisë) që të pranojnë vendimin e votuesve kur të përfundojë numërimi i votave,” tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me zgjedhjet e së dielës.

Duke përgëzuar qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen aktive në zgjedhje, zëdhënësi thekson shpresën për “një certifikim të shpejtë, efiçent dhe të plotë të rezultateve nga zyrtarët e zgjedhjeve”.

“Ne mbështesim misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR-it në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara mirëpresin bashkëpunimin me qeverinë e dale nga zgjedhjet,” shton më tej zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj për të forcuar demokracinë, përfshirë shtetin ligjor, përgjegjshmërinë në qeverisje dhe reformat në drejtësi.

“Siç e ka bërë të qartë ambasadorja (Yuri Kim), Shtetet e Bashkuara mbështesin proceset demokratike dhe jo ndonjë kandidat apo parti specifike,” tha në komentet për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Ora 23:15 Sherr i dhunshëm tek KZAZ në Tiranë, përplasje me grushte e karrige kokës

Një sherr masiv dhe i dhunshëm ka ndodhur në KZAZ-në numër 30 tek shkolla “1 Maji” në Tiranë mbrëmjen e kësaj të hëne. Policia ka njoftuar se në konflikt janë përfshirë disa vëzhgues me numëruesit e votave. Për shkak të kësaj ngjarje janë shoqëruar në polici 8 persona. Aktualisht ka ndaluar procesi i numërimit të votave dhe  shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Siç duket edhe nga pamjet, në sherr janë përfshirë disa persona të ndryshëm. Gjatë konfliktit fizik janë përdorur edhe mjete e sende të forta. Për pasojë mendohet se janë lënduar disa persona pasi brenda KZAZ-së janë të dallueshme njollat e gjakut.

Gazetarja Glidona Daci raportoi më herët se fillimisht ka pasur kontestime për fletët e votimit. Sipas informacioneve të siguruara nga ajo, më vonë brenda KZAZ-së, dyshohet se janë futur dy persona duke u hequr si komisionerë të KZAZ-së. Pas kësaj, mes tyre ka nisur sherri që ka degjeneruar në përplasje fizike.

Kandidatja e PD-së, Oriola Pampuri, tha për mediat se përfaqësuesit e saj kanë gjetur dy persona me mjet identifikimi nga KQZ-ja, por nuk njiheshin nga asnjë prej forcave politike.

“Kur futën numëruesit tanë në KZAZ gjetën dy persona me mjet identifikimi nga KQZ, të cilët nuk njiheshin as nga PS dhe as nga KQZ. Janë persona të paidentifikuar për të cilët kemi njoftuar policinë për këtë”, tha Pampuri.

Është dashur ndërhyrja e policisë që të bënte të mundur shuarjen e këtij konflikti. Menjëherë pas kësaj ngjarje në KZAZ-në 30 ka mbërritur edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ora 22:36 Gjobë anëtarëve të KZAZ-ve që kanë numëruar më pak se 50% të kutive

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka vendosur gjobë për anëtarët e KZAZ-ve të cilat deri më tani kanë numëruar më pak se 50% e qendrave të votimit që kanë në dispozicion. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj tha se gjoba është vendosur për shkak të mosrespektimit të Kodit Zgjedhor.

“Duke patur parasysh raportimin dhe ecurinë e numërimit të votave që është pasqyruar gjatë ditës së sotme por edhe në dekarimet e komisionerit gjatë mbrëmjes së sotme, më lejoni t’ju informoj se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka vendosur sanksionin administrativ prej 3 mijë lekësh për anëtarët  e KZAZ-ve të cilët deri në këto momente që flasim kanë numëruar më pak se 50 % të qendrave të votimit. Sanksioni është vendosur për mosrespektim të nenit 122 pika 1 e Kodit Zgjedhor e cila përcakton se tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhësve për ZAZ-në nxirret nga KZAZ-ja jo më vonë se ora 22:00”.

Hoxhaj u shpreh se deri më tani ka përfunduar numërimi për subjektet politike dhe kandidtatët në 39 KZAZ. Mbi 50% e qendrave të votimit janë numëruar në 35 KZAZ të tjera.

Ora 22:20 Xhaçka takim me delegacionin e OSBE/ ODIHR

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e delegacionit të OSBE/ODIHR-it.

Ministrja Xhaçka shprehu falënderimet për bashkëpunimin e tyre lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, pavarësisht rrethanave të vështira kushtëzuar nga pandemia.

Kryediplomatja vlerësoi raportin e ndërmjetëm të OSBE-së, teksa theksoi se qeveria shqiptare ka punuar fort për garantimin e standardeve të larta zgjedhore.

“Zhvillova sot një takim me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR. Mirënjohës për punën e mirë pavarësisht rrethanave të vështira, kushtëzuar nga Covid. Qeveria shqiptare ka punuar fort për garantimin e standardeve të larta zgjedhore. Të lumtur që raporti i ndërmjetëm i OSBE-së ka njohur gjithë punën e mirë”, u shpreh ministrja.

Ora 22:10 Yuri Kim kthehet nga Elbasani: Faleminderit numëruesve për punën e palodhur

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka lajmëruar se është kthyer sërish në Tiranë pas vizitës së saj në Elbasan.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kim shkruan se qytetarët po mbështeten tek policia për të garantuar sigurinë e të gjithëve ndërsa numërimi vazhdon.

Më tej ajo ka falenderuar sportelet e numërimit për punën intensive dhe ka theksuar se do të kthehet sërish në Elbasan, në rast se do të jetë e nevojshme.

Ndodhem sërish në Tiranë, pas një vizite në qendrat e numërimit të votave në Elbasan, në KZAZ-të  47, 49 dhe 50, Pallati i Sportit Tomorr Sinani. Faleminderit numëruesve për punën e palodhur. Qytetarët po mbështeten tek policia për të garantuar sigurinë e të gjithëve ndërsa numërimi vazhdon. Vizita ime e dytë në 2 ditë. E lumtur të kthehem sërish në rast se do jetë e nevojshme”, shkruan Kim.

Ora 21:36 Rushaj: Vazhdimi i numërimit do të sjellë surpriza të pakëndshme për kundërshtarët

Drejtuesi i fushatës së PD-së në Tiranë, Alfred Rushaj deklaroi se për shkak të vazhdimit të numërimit do të ketë surpriza të pakëndshme për kundërshtarët socialistë.

Ai tha gjatë një prononcimi në selinë blu se numërimi i votave do të konfirmojë vullnetin e shqiptarëve për ndryshim.

Sipas Rushajt kjo gjë shihet në mënyrën se si PD-ja ka rikuperuar dy deputetë. Në fund ai i ka bërë thirrje vëzhguesve, komisionerëve dhe numëruesve që të mos tjetërsojnë vullnetin e shqiptarëve.

“Siç ju kemi thënë që në fillim, numërimi i çdo vote do të konfirmojë vullnetin e shqiptarëve për ndryshim. Sot, pamë konkretisht se si dy vende u rikuperuan, vende deputetësh. Vazhdimi i numërimit do të ketë të tjera surpriza të pakëndshme për kundërshtarët tanë. Prandaj jam këtu sot për t’u bërë thirrje çdo komisioneri, çdo vëzhguesi, çdo numëruesi të cilësdo parti, mos tjetërsoni vullnetin e qytetarëve shqiptarë për ndryshim. Ata kanë votuar për ndryshimin, ata presin ndryshimin dhe ne do ju sjellim ndryshimin”, tha Rushaj.

Ora 20:46 Çfarë ndodh me Ramën dhe Bashën, si paraqitet situata nëpër selitë e PS-së dhe PD-së

Të dyja partitë kryesore në vend pretendojnë se kanë fituar në votimet që u kryen të dielën e 25 Prillit. Po si paraqitet situata në dy kampet kundërshtare?

Gazetarja Elja Zotka raportoi për Klan News nga selia rozë se pritshmëritë e PS-së janë ato që në fakt drejtuesit kanë deklaruar më parë. Zotka u shpreh se mes drejtuesve në PS është bindja që deri në numërimin e fundit të kutive do të mbahen 76 mandate. Madje socialistët pretendojnë se në Qarkun e Tiranës duke pasur parasysh edhe trendin mund të arrijnë në një mandat të 20. 

“Mund të flas vetëm për një projeksion që është edhe ai më me interes, kryeqyteti. Socialistët janë të bindur që do t’i mbajnë 19 mandate, madje sipas tyre duke parë edhe trendin, mendojnë që do të jetë një mandat i 20 në kryeqytet i cili mund ta marrin ose socialistët ose PSD e Tom Doshit”, tha Zotka.

Ndërkohë është zbehur disi situata në selinë blu. Fillimisht demokratët kanë deklaruar se presin deri në 20 mandate në kryeqytet, por sipas gazetares Jolldiz Mitro, për momentin, duke patur parasysh zgjedhjet e 2017-ës, pritshmëria e PD-së është tek të fituarit 16 mandate.

“Pritshmëria e demokratëve për Tiranën ka qenë deri në 20 mandate, por deri në këto momente qëndrojnë në raportin e zgjedhjeve të vitit 2017 ku socialistët morën 18 mandate deputetësh. Në 2017 pati 15 mandate deputetësh dhe pritet të shkojë në 16 mandate deputetësh”, tha Mitro.

Si duket atmosfera në të dyja kampet?

Zotka raportoi se Rama ka bërë gjithsej një dalje publike dhe këtë për t’u kërkuar komisionerëve angazhim dhe të mos dorëzohen deri në momentin që do të numërohen kutitë. Aktualisht kryeministri ndodhet në selinë rozë, raportoi gazetarja.

“Kryeministri Rama është larguar disa herë dhe aktualisht ndodhet në selinë e PS së bashku me Veliajn”, tha Zotka.

Në zyrën e tij ndodhet edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha.

“Lulzim Basha ndodhet në zyrën e tij. Gjatë ditës së sotme ka pasur një komunikim me mediat nga ana e Bashës ku ka folur për bastione të thyera të Partisë Socialiste. Ai ka folur edhe për epërsi në disa prej bashkive në vend”, raportoi nga selia blu, gazetarja Mitro.

Sa i përket atmosferës, Zotka u shpreh se ndryshe nga një ditë më parë, në selinë rozë janë më optimistë.

 “Mund të flas po ta krahasojmë situatën e djeshme pasi dolën exit pollet e para me atë që është sot në selinë rozë. Ditën e djeshme situata ngjante pak e nderë, jo vetëm tek mbështetësit e PS por edhe drejtuesit. Të linin shumë pak për të lexuar se çfarë po prisnin nga ky rezultat. Sot duket një situatë tjetër. Janë shumë më optimistë dhe këtë e kanë reflektuar me deklaratat që kanë bërë ditën e sotme”, tha Zotka.

Ndërkohë nga ana tjetër, në selinë e PD-së ka rënë heshtja.   

“Euforinë e një dite më parë, por edhe të orëve të paradites e ka zënë heshtja në selinë blu”, tha Mitro.

Ora 20:20 Mbyllet numërimi në Kukës | PD siguron 2 mandate, PS 1

Qarku i Kukësit është i pari i cili ka përfunduar procesin e numërimit të votave. Në këtë qark Partia Demokratike është ajo që kryeson duke siguruar 2 mandate, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 1 mandat.

E përkthyer në vota PD-AN ka marrë 24 071 vota, ose 62.27 %. Ndërsa PS ka marrë 13 856, ose 35.84 %.

Në këtë qark në total ishin 141 kuti votimi, ndërsa numri total i zgjedhësve në listë ishte 83 027. Sa i përket votave të pavlefshme, sipas KQZ, ato janë 2188.

Ora 20:20 Veliaj: Fitore super rekord në Krrabë dhe Shëngjergj, kutitë numërohen sipas rendit

Drejtuesi politik i PS-së për Tiranën, Erion Veliaj, ka deklaruar se selia rozë ka fituar me 705 të votave në zonën e Krrabës dhe Shëngjergjit. Veliaj e konsideroi këtë fitore si një “super rekord”.

“Ajo renditje e numrave dhe e kutive në zonën rurale përkon me atë që quhet Malësia e Tiranës. Kemi deklaruar fitoren e Dajtit dhe Bërzhitës. Më vjen mirë që sot kemi një super rekord për PS 70% me fitoren e Kërrabës dhe në Shëngjergj”, tha Veliaj.

Drejtuesi politik i Tiranës u ktheu përgjigje edhe akuzave të opozitës ku tha se kutitë që janë numëruar nuk janë të zgjedhura, por janë numëruar sipas rendit.

“Jam shumë i lumtur për ta mbyllur këtë ditë kaq të ngarkuar. Kemi punuar në zonat rurale me numërimin duke qenë se ka dhe liderë politikë që thonë se ka teori konspiracioni që kapet kjo kuti, kapet ajo kuti. Për gjithë ata që nuk kanë qenë numërues, në fakt ka një rend, siç numërojmë nga njëshi deri tek dhjeta, kështu numërohen dhe kutitë. Kush lider politik që për të mbajtur të vetët me gajret sajon histori të tipit që kjo është majtë dhe e djathtë qartazi nuk e ka bërë kurrë gavetën as tek partia e vet, as nuk ka qenë vullnetar dhe numërues sepse minimalisht do e dinte që nuk është zgjedhja e dikujt cilat kuti zgjedh, por është mënyra si renditen numrat dhe përfundon”, tha Veliaj.

Më herët, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se deri më tani janë numëruar votat e bastioneve të PS-së.

Ora 20:10 Zgjedhje në kohë pandemie, a po respektohen masat anti-Covid në qendrat e numërimit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vlerëson se si gjatë ditës së votimit ashtu edhe gjatë kohës që numërimi vijon ende, masat anti-Covid janë respektuar.

“Ka pasur një zbatim të mirë të masave antiCovid sa i përket ditës së zgjedhjeve, ku në fakt i gjithë protokolli i miratuar nga ISHP dhe MSH sa i përket ditës së zgjedhjeve, është zbatuar me shumë përpikmëri, për të gjithë qendrat të votimi. Edhe sa i përket pikave ku po numërohet, në KZAZ të gjithë janë të njohur me rregullat dhe protokollet të sigurisë së shëndetit, kemi bërë apele të përsëritura për vendosjen e maskave, distancën dhe ajrosjen e ambienteve”.

E pyetur nëse pas procesit zgjedhor mund të ketë një shtim të rasteve me Covid, Ministrja tha: “Ne jemi në një epidemi dhe nuk mund të themi dot që epidemia ka mbaruar apo Covid-i nuk është më mes nesh. Ky është një fakt që ene e kemi thënë gjithmonë, që rreziku nga grumbullimet ekziston dhe sigurisht  shpresojmë shumë që edhe ato takime elektorale që u bënë, në mjedise apo në prani të njerëzve që nuk ruajtën as distancën as maskën, mund të sjellin dhe ato një rritje të rasteve. Ndaj jemi duke bërë apel edhe në qendrat e numërimit për të ruajtur dhe zbatuar këto protokolle që të mos ketë një risk të infektueshmërisë nëpër këto struktura”.

Ora 20:00 Komisionerët në Elbasan ndihen të kërcënuar, ndërhyn policia

Komisionerët e KZAZ-së 47 në Elbasan i kanë kërkuar policisë të ndërhyjë për të mbajtur rendin dhe qetësinë.

Gazetari Fatos Salliu, raporton për Klan News se komisionerët ndihen të kërcënuar. Madje në ambientet e KZAZ-së ka ardhur edhe nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, i cili ka njoftuar të gjithë të pranishmit që të nëse nuk janë të pajisur me vërtetimin përkatës të lënë ambientet ku po numërohen votat.

“Në këto momente policia është duke verifikuar të gjithë personat që ndodhen në këtë ambient. Është kërkuar që të gjithë personat e tjerë që janë prezentë, të mbajën maska dhe të respektojnë rregullat anti covid”, raporton nga Elbasani gazetari Salliu.

Ora 19:52 Kim në qendrën e numërimit: Do t’i vizitojmë edhe gjatë natës që…

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vizituar për të dytën herë qendrën e votimit 39 në Tiranë. Ajo shprehet se ka parë më shumë bashkëpunim mes stafeve dhe numëruesve gjatë ditës. Po ashtu, Kim paralajmëron se gjatë natës stafi i saj do të vizitojë qendra të tjera numërimi.

“Sapo përfundova vizitën e dytë në qendrën e votimit 39 në Tiranë ditën e sotme. Shumë mirë që të shoh më shumë bashkëpunim mes numëruesve dhe stafeve, dhe numërim më të shpejtë. Stafi i Ambasadës së SHBA-së do të vizitojë qendrat gjatë natës për të përgëzuar ata që po punojnë fort në mënyrë që votuesit të shohin votat e tyre të numëruara sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Kim.

19:33 2 bashkitë e para që kanë numëruar votat për kandidatët

Procesi i numërimit të kutive ka përfunduar në 23 qendra numërimi. Lajmin e bëri të ditur kryekomisioneri zgjedhor, Ilirjan Celibashi. Ai u shpreh se në dy prej tyre, KZAZ-në e Pustecit dhe atë të Libohovës ka përfunduar procesi i numërimit si për partitë ashtu edhe për koalicionet.

“Për KZAZ-në 71 Pustec dhe KZAZ 81 Libohovë, procesi i numërimit ka përfunduar si për partitë dhe koalicionet po ashtu edhe për kandidatët. Procesi i nxjerrjes së rezultateve për këto 2 KZAZ ka përfunduar tërësisht. Tërësisht ka përfunduar edhe nxjerrja e rezultatit  sikurse jeni në dijeni për zonën zgjedhore numër 40 ku është përdorur sistemi i votimit elektronik”, tha Celibashi.

Kryetari i KQZ-së tha se për 37 vendnumërime votash janë numëruar 50% e kutive. Për 10 vendnumërime votash janë numëruar më pas se 30% e kutive.

“Për 42 VNV janë numëruar mesatarisht 40% e qendrave të votimit”, tha Celibashi.

Ora 19:23 Celibashi: Vlerësimet e ODIHR, realiste

Komisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka komentuar vlerësimin paraprak të ODIHR. Në një konferencë për mediat, ai tha se vlerësimet e misionit janë realiste

“Ne i gjejmë të gjitha vlerësimet e misionit realiste dhe shumë prej atyre, qoftë pozitive janë të tilla të cilat kanë të njëjtin opinion sikurse KQZ”, tha Celibashi.

Celibashi u shpreh se nga kandidati i pavarur Boiken Abazi ka pasur disa parregullsi të vërejtura dhe KQZ-ja është duke e ndjekur si situatë dhe së shpejti do të marrë vendimet e duhura.

“Kemi pasur disa raportimet nga disa kandidatë dhe nga i pavaruri, Abazi për disa rregullsi të vërejtura në disa KZAZ të Tiranës, jemi duke e ndjekur këtë si situatë, dhe sa i përket KQZ do të marrim vendimet dhe do të mbajmë qëndrimet e duhura”, tha Celibashi.

Ora 19:17 Celibashi: Numërimi po pengohet si rrjedhojë e qëndrimeve subjektive dhe ndërhyrjeve politike

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se vijohet ende të ketë probleme me sjelljen e disa anëtarëve të KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit në lidhje me procesin zgjedhor. Ai u shpreh kjo ka ndodhur si pasojë e qëndrimeve subjektive dhe ndërhyrjeve politike. Për momentin, Celibashi u shpreh se nuk ka asnjë KZAZ ku të jetë ndërprerë procesi i numërimit për momentin.

“KQZ po ndjek ecurinë e këtij procesi. Vazhdojmë akoma të kemi probleme në sjelljen e anëtarëve të KZAZsë dhe grupeve të numërimit në lidhje me administrimin e këtij procesi. Jemi të ndërgjegjshëm që puna është e vështirë dhe nën tension, por kemi të dhëna që shpeshherë në jo pak raste të rasteve problematike, pengimi i procesit vjen si rrjedhojë e qëndrimeve subjektive apo edhe e ndërhyrjeve politike të kandidatëve dhe përfaqësuesve të partive politike. Vlen të thuhet që KQZ ka reaguar dhe ajo që vlen më shumë të theksohet është se pas ndërhyrjes së KQZ situata ka ndryshuar të paktën në KZAZ-të që ka pasur raportime. Në momentin që flasim nuk kemi informacion që ndonjë KZAZ të jetë ndërprerë procesi i numërimit”, tha Celibashi.

Ora 18:27 Bashkitë ku ka përfunduar numërimi, kush kryeson

Numërimi i fletëve të votimit ka mbaruar në 18 bashki të vendit. Pjesa më e madhe e tyre është fituar nga Partia Socialiste.

Nga ana tjetër Partia Demokratike ka arritur të fitojë në katër bashki. Bëhet fjalë për bashkitë Has, Tropojë, Mirditë dhe Fushë-Arrëz.

Ndërkohë selia rozë ka mundur që të fitojë 14 bashki të tjera, Klos, Mat, Belsh, Librazhd, Cërrik, Tepelenë, Kolonjë, Pukë, Himarë, Konispol, Memaliaj, Këlcyrë, Dropull dhe Libohovë.

Ora 18:00 Me mijëra vota të pavlefshme

Vijon procesi i numërimit të votave në shumicën e qendrave të numërimit në Shqipëri. Deri më tani Partia Socialiste kryeson nga numërimi i më shumë se 3006 qendrave të votimit nga 5199 të tilla në të gjithë vendin, që do të thotë se deri më tani janë numëruar 50 përqind e kutive të votimit.

PS deri tani rezulton me 48.86% për PS, 39.3 % për PD dhe LSI 6.93 përqind. Në Tiranë PS ka arritur të sigurojë deri tani 48.06% të votave, ndjekur nga PD me 39.46%

Numri i votave të pavlefshme deri tani është rreth 41 mijë. Qarku më numrin më të lartë të votave të pavlefshme deri tani është Elbasani, i ndjekur nga Fieri dhe qarku i tretë më numrin më të lartë të votave të pavlefshme është Tirana.

Qarku me më pak vota të pavlefshme është Gjirokastra ndjekur nga Kukësi.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit qark. Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo qendër votimi u instaluan pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prillit, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë.

Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë. Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Ora 16:53 – Mbyllet numërimi dhe në dy bashki, LSI surprizë në Dropull

Procesi i numërimit në qarkun e Gjirokastrës po shkon drejt fundit. Nga të dhënat e deritanishme bëhet me dije se në bashkia Dropull dhe Libohovë kanë përfunduar procesin e numërimit.

PS në të dyja bashkitë ka dalë e para, me një diferencë jo shumë të madhe me koalicionin e PD dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por në Dropull, Partia Demokratike është renditur e treta me një diferencë me 9 vota me LSI-në që është renditur e dyta.

Rezultati në Dropull është: PS 1531, LSI 599 dhe PD 592 vota. Ndërkohë procesi i numërimit ka përfunduar dhe në Libohovë dhe ka dalë ky rezultat: PS 1156 vota, PD 901 dhe LSI 205 vota.

Ora 16:28 – Mark Marku: Na kanë vjedhur mandatin e 5-të në Lezhë

Mark Marku pretendon se Partisë Demokratike i është vjedhur mandati i pestë në Lezhë. Në një deklaratë për mediat nga KZAZ 12 në Lezhë, Marku tha se pushteti lokal i drejtuar nga socialistët ishte angazhuar për blerjen e votave.

“Ka pasur tentativa shumë të mëdha për shit/blerje të votes, jam i bindur që gjithë pushteti lokal ka qenë i angazhuar në shit/blerjen, paratë janë shpërndarë nga zyrat e Bashkive. Kemi bërë një luftë të pabarabartë, por ne fituam. Jam i bindur që ne na është blerë mandati i 5 dhe do bëhen denoncimet për pushtetin lokal që janë përfshirë në këtë shit/blerje të votës. I kemi filmuar duke hyrë e dalë nga bashkitë. Me gjithë paratë që kanë hedhur në fushatë prapë ne kemi fituar mandatin e katërt. Imagjinoni çfarë megaoperacioni korruptiv ka qenë për blerjen e votës. Janë shumë fletë të pavlefshme. Kemi shumë fletë të pavlefshme gjë që na ndikon në rezultat, por kjo është për të gjithë”.

Duke komentuar votat në rang kombëtar, Marku e konsideroi truk të përdorur nga socialistët, sepse siç tha ai, janë hapur fillimisht kutitë e bastioneve të PS.

“Mendoj që ka një turk për të mashtruar opinionin publik. Numërimet janë filluar nga zonat ku ata e kanë ditur që janë të humbura (për demokratët). Në gjithë Shqipërinë janë numëruar bastionet e PS”.

Sipas të dhënave të KQZ për aq kuti sa janë numëruar, PD udhëheq në Lezhë me 4 mandate dhe PS me 3 mandate.

Ora 15:20 – Pampuri: Veliaj gënjen, shpall rezultatin për të fshehur humbjen në zonat 12 dhe 14

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj shpalli fitoren e PS në degët 12 dhe 14 në Tiranë, por nga Partia Demokratike thuhet se numërimi vijon ende.

Kandidatja për deputete e PD, Orjola Pampuri, thotë se Veliaj gënjen për rezultatin për të fshehur humbjen.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve të Shqipërisë që zgjodhën ndryshimin. Aleanca për Ndryshim arriti një fitore të madhe në zgjedhje. Të gjithë do ta shohim fitoren tonë kur numërimi të përfundojë. Erion Veliaj si çdo herë gënjen dhe mashtron. Procesi i numërimit në Degën 12 dhe Degën 14 vijon ende. Ai shpall rezultatin në përpjekje për të fshehur humbjen në këtë zonë. Në Degën 14 Partia Demokratike ka dyfishuar rezultatin në Qesarak, ndërsa në Degën 12 Partia Demokratike ka arritur rreth 25% më shumë të votave në Bërzhit ndryshe nga ajo që deklaron Erion Veliaj. Ne e shohim këtë trend kudo në Shqipëri prandaj konkluzioni është i qartë, një fitore e madhe për Aleancën për Ndryshim, një fitore historike për Shqipërinë”, deklaroi Pampuri.  

Ora 15:11 – Veliaj: Kemi fituar në Dajt me 52%

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtuesi politik i PS në kryeqytet, Erion Veliaj ka shpallur një tjetër fitore. Nga selia rozë ai tha se PS ka fituar edhe zonën e Dajtit me 52%.

“Kemi zbritur Dajtin me një super fitore me 52%. Dajti është rritur jashtë mase. Forca më domethënëse e fitores tonë në Dajt kanë qenë vajzat, zonjat dhe zonjushat e Dajtit”.

Ndërsa deputeti socialist i zonës, Xhemal Qefalia, është shprehur se edhe në Kërrabë e zona të tjera do të shpallet fituese Partia Socialiste.

Unë do kthehem sërish këtu pasi orteku u zbritës ka filluar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Dajti nga kjo skuadër që ka sjellë rezultat spektakolar. Do vij prapë se edhe Kërraba edhe njësi të tjera do jenë fituese si Dajti”, u shpreh Qefalia.

Ora 14:46Grida Duma nga Kavaja: PD rritje me 30-50% në bastionet e PS-së

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Grida Duma, është shprehur optimiste për rezultatin e zgjedhjeve në Kavajë. Në një deklaratë për mediat, Duma tha se deri tani PD ka pësuar një rritje me 30% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Më tej ajo u shpreh se shqiptarët kanë votuar PD-në dhe Aleancën për Ndryshim dhe se kur numërimi të vijojë më tej sipas do të shihet se opozita do të kalojë në epërsi.

Shqiptarët kudo kanë votuar Partinë Demokratike, Aleancën për Ndryshim, ky është fakt që nuk ç’bëhet më. Në Kavajë dhe Rrogozhinë, kemi nisur dhe jemi në përfundim të numërimit, të atyre që quhen njësitë administrative apo ish-komuna, të cilat kanë një rezultat të cilin gati, gati nuk e prisnim.  Ka bastione si Golemi, të cilat Partia Demokratike ka një rritje midis 30 dhe 50% dhe Partia Socialiste ka një rënie të konsiderueshme midis 30 dhe 40%. E pra, nuk e imagjinonim që do t’i drejtoheshim qytetit, Kavajës apo Rrogozhinës me një rezultat të tillë.

Pa asnjë dyshim, shqiptarët kanë votuar Partinë Demokratike dhe ndryshimin dhe presim që nga çasti në çast ky rezultat final të përcaktojë dhe fitoren që në fund të këtij numërimi duhet të jetë në fakt i merituar dhe e duhura për shqiptarët. Janë momente në të cilat padyshim komisionerët, djem e vajza, strukturat e Partisë Demokratike, numëruesit padyshim, janë 24 orë pa gjumë, por plotësisht të vendosur që të numërojnë deri në votën e fundit pa humbur asgjë nga ajo që shqiptarët kanë votuar për një rezultat fitore deri në fund.

Do të jetë dhe padyshim do të jetë një rezultat i një fitore të jashtëzakonshme që shqiptarët po e presin, që ndryshimi duhet sjellë dhe që padyshim në Kavajë ashtu siç e kam thënë që në momentin e parë sapo të fillojnë  numërimi i kutive të qytetit  ne do të ndjejmë atë  entuziazmin të cilin në fakt çunat e kanë që tani po unë kam bindjen që në orët në vijim ne  do të duartrokasim atë që pritet prej nesh, rezultatin e fitores këtu. Ju faleminderit dhe do të dëgjohemi sërish!”, tha Duma.

Ora 14:12 – Tom Doshi: Jam i gatshëm për koalicion me PS, me Bashën asnjëherë

Pas dorëheqjes nga mandati i deputetit, Tom Doshi shprehet i gatshëm të bëjë koalicion me Partinë Socialiste.

Doshi ka konfirmuar më herët se vetë nuk do të jetë në Parlament, por partia e drejtuar prej tij PSD do të jetë në Kuvend.

Sa i përket koalicionit me Partinë Demokratike, Tom Doshi e ka refuzuar kategorikisht.

Do të bëni koalicion me PS-në?

Tom Doshi: Jemi të gatshëm të bëjmë koalicion me Partinë Socialiste.

Do të bëni koalicion me Bashën?

Tom Doshi: Jo, asnjëherë.

Ora 13:53 – Floriana Garo: Numërimi faktik i votave do të nxjerrë fituese Aleancën për Ndryshim

Zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike Floriana Garo thotë se numërimi përfundimtar i votave do të nxjerrë fitues Aleancën për Ndryshim të udhëhequr nga Partia Demokratike.

Numërimi faktik i votave do të ketë vetëm një rezultat: fitore për Aleancën për Ndryshim. Edhe tani, me numërimin e qendrave të votimit që janë qendra kryesore të votimit për PS-në, ne shohim se Aleanca për Ndryshim po sjell rritje të jashtëzakonshme. Prandaj, kini durim! Çdo votë do të numërohet. Çdo zë do të dëgjohet. Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pastërtinë e zgjedhjeve.  Ne jemi absolutisht të sigurtë se në fund të numërimit të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të shohin sa e madhe është fitorja jonë. Qytetarët e Shqipërisë e duan ndryshimin. Qytetarët e Shqipërisë kanë zgjedhur ndryshimin. Ne do të fitojmë qartësisht”. 

Ora 13:30 – Ndërpritet procesi në Durrës, numëruesit shfaqen të lodhur

Katër nga gjashtë KZAZ në qarkun e Durrësit kanë ndërprerë procesin e numërimit. Gazetarja e Klan News, Enkelejda Arapi, ka bërë me dije se komisionerët kanë kërkuar pushim dhe prej disa orësh procesi është pezulluar.

Ajo shtoi se prej orës 10:00 komisionerët kanë thënë se janë të lodhur dhe nuk kanë vijuar procesin e numërimit. Pritet që në këto KZAZ të rinis procesi në orën 15:00.

Ndërkohë në 2 KZAZ-të e tjera procesi i numërimit po vijon por jo me ritme të shpejta.

Ora 12:54 – Soreca kërkon vijimin e procesit të numërimit: Shqiptarët presin rezultatin e zgjedhjeve

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, ka vëzhguar nga afër procesin e numërimit në KZAZ-në e ‘Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Soreca ka takuar dhe komisionerët duke u kërkuar atyre që të vijojnë punën, pasi procesi në këtë qendër prej shumë orësh është bllokuar.

Vazhdoni punën që po bëni, është e rëndësishme që të vijohet me numërimin“, ishte kjo thirrja e Sorecës.

Më tej në një prononcim për mediat diplomati bëri thirrje për vijim të numërimit, pasi siç tha ai të gjithë shqiptarët po presin rezultatin e votimit. Po ashtu paralajmëroi se mund të ketë dhe një deklaratë nga BE lidhur me procesin zgjedhor në Shqipëri.

Sot ishte dita e dytë e vëzhgimit që kam bërë unë. Po shkoj në disa nga qendrat e numërimit në Tiranë. Në disa prej tyre ekipet po bëjnë pushim në mënyrë që të rifillojnë sërish punën. Më lejoni të them procesi duhet të vijojë duhet të mos ketë vonesa dhe shqiptarët duan të njihen me rezultatin e zgjedhjeve. Zgjedhësit shqiptarë e thanë fjalën e tyre dje dhe kishte një pjesëmarrje të lartë.

Më lejoni të them që kam mirëpritur procesin pilot të numërimit dhe votimit elektronik. Të gjithë duhet të presin me qetësi rezultatin e votimit, ashtu siç kanë bërë thirrje liderët politik dhe duhet të numërohen të gjitha votat. Deri sa të numërohet vota më e fundit, duhet të presim me qetësi dhe nuk duhet të arrijmë me konkluzione dhe përfundime.

Ne si ekip i BE do të vazhdojmë punën tonë dhe do të vëzhgojmë deri në fund të procesit. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj të gjitha ambasadat që kanë ndihmuar me vëzhgimin, ne kemi bashkëpunuar me OSBE pasi ajo është në krye të vëzhgimit të zgjedhjeve. Të gjithë po presim gjetjet paraprake të zgjedhjeve nga ODIHR. Ka mundësi që sot mund të ketë dhe ndonjë deklaratë nga liderët evropian për procesin zgjedhor në Shqipëri“, ishte kjo deklarata e ambasadorit të BE.

Ora 12:32 – PS thirrje PD: Mos vononi procesin e numërimit të votave

Partia Socialiste, përmes përfaqësueses së saj Bora Muzhaqi, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të vonojë procesin e numërimit të votave dhe t’u kërkojë komisionerëve të saj që të vazhdojnë punën.

Mirdita të gjithëve dhe faleminderit për entuziazmin. Ne ndërkohë që shqiptarët presin përfundimin sa më parë të numërimit, dëshirojmë që ti bëjmë miqësisht një apel rivalëve tanë, PD-së, për të mos e vonuar procesin duke kërkuar vazhdimisht pushim. Nuk ka kohë për pushim. Qytetarët meritojnë ta mësojnë një orë e më parë rezultatin përfundmitar. Kjo ishte një ndeshje shumë e  rëndësishme. Të dy vizionesh dhe platformash të ndryshme që kanë ndezur për javë debatin publik.

Ata janë shprehur qartë dhe partitë kanë detyrën tju shërbejnë për nxjerrjen e rezultatit. Pa humbur asnjë minutë. Shqipëria ka fituar. Shqipëria ka fituar një festë demokratike që nuk duhet prishur me asnjë zgjatje të panevojshme dhe të padobishme për askënd. Në emër të PS dhe kryetarit Edi Rama dua që t’i falenderoj të gjithë vëzhguesit dhe  numëruesit e palodhur dhe u kërkoj që të vazhdojnë me këmbëngulje dhe përkushtim, me korrektesë shembullore punën e tyre. Durim dhe angazhim deri në fund. Çdo votë të numërohet merespekt të plotë të sovranit. Fitorja e PS është tanimë shumë e qartë por fitorja e Shqipërisë duhet vulosur me angazhimin e përbashkët me PD-në, për ta ,mbyllur numërimin pa humbur kohë”, deklaroi Muzhaqi.

Ora 12:12 – Basha: PS ka humbur vota në bastionet e saj, kutitë me votat e PD nuk janë hapur ende

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se votat e numëruara deri më tani i përkasin bastioneve të Partisë Socialiste.

Në një deklaratë nga selia blu, Basha u shpreh se Partia Socialiste ka rënie të votave edhe në bastionet e saj, ndërsa kutitë me votat e Partisë Demokratike nuk janë hapur ende.

“Qendrat e para që numërohen janë qendrat që janë përcaktuar nga partia në pushtet dhe favorizojnë partinë në pushtet. PS ka humbur thellë numrin e votave të numëruara. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS dhe një rritje të numrit të votave të PD. Ky është fillimi. Pas kutive që shpresonin t’i kishin bastion por janë ndëshkuar siç ëhstë zona 10 në Tiranë ku PD ka rritje, do të vijë edhe radha e kutive të tjera. Deri sa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin bastione, presim që vota për ndryshim të vazhdojë. Ata që e dinë fare mirë se me projeksionet aktuale çfarë i pret në kutitë e tjera t’i lënë lojërat. Janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër, le të vazhdojnë numërimin. Vazhdoni punën sipas ligjit me përgjegjësi, vullneti i popullit është në ato kuti. Në fund të këtij numërimi ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë”. 

Ora 12:10 – PS thirrje PD: Mos vononi procesin e numërimit të votave

Partia Socialiste, përmes përfaqësueses së saj Bora Muzhaqi, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të vonojë procesin e numërimit të votave dhe t’u kërkojë komisionerëve të saj që të vazhdojnë punën.

Mirdita të gjithëve dhe faleminderit për entuziazmin. Ne ndërkohë që shqiptarët presin përfundimin sa më parë të numërimit, dëshirojmë që ti bëjmë miqësisht një apel rivalëve tanë, PD-së, për të mos e vonuar procesin duke kërkuar vazhdimisht pushim. Nuk ka kohë për pushim. Qytetarët meritojnë ta mësojnë një orë e më parë rezultatin përfundmitar. Kjo ishte një ndeshje shumë e  rëndësishme. Të dy vizionesh dhe platformash të ndryshme që kanë ndezur për javë debatin publik.

Ata janë shprehur qartë dhe partitë kanë detyrën tju shërbejnë për nxjerrjen e rezultatit. Pa humbur asnjë minutë. Shqipëria ka fituar. Shqipëria ka fituar një festë demokratike që nuk duhet prishur me asnjë zgjatje të panevojshme dhe të padobishme për askënd. Në emër të PS dhe kryetarit Edi Rama dua që t’i falenderoj të gjithë vëzhguesit dhe  numëruesit e palodhur dhe u kërkoj që të vazhdojnë me këmbëngulje dhe përkushtim, me korrektesë shembullore punën e tyre. Durim dhe angazhim deri në fund. Çdo votë të numërohet merespekt të plotë të sovranit. Fitorja e PS është tanimë shumë e qartë por fitorja e Shqipërisë duhet vulosur me angazhimin e përbashkët me PD-në, për ta ,mbyllur numërimin pa humbur kohë”, deklaroi Muzhaqi.

Ora 12:09 – A do ta fitojë mandatin Majko? Si përgjigjet ministrja Balluku

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Belinda Balluku, që është njëherësh dhe ministre e Infrastruktrurës ka thënë se numërimi po ecën me ritme të shpejta.

Në një prononcim për Klan News, Balluku tha se procesi i numërimit pritet që të mbyllet në një kohë të shpejt dhe kërkoi që të mos kishte vonesa.

Procesi po ecën mirë, ka një ritëm të kënaqshme dhe brenda ditës së sotme shpresojmë ta mbyllim“, tha ministrja.

E pyetur për pritshmëritë, ajo tha se “ne njihemi për patronazhim, kishim pritshmëri të larta dhe na janë realizua“.

Për sa i përket synimeve që ka PS, Balluku u shpreh se PS ka epërsi ndaj kundërshtarëve dhe nëse vijohet kështu dhe Majko mund të jetë sërish deputet në Kuvendin e ardhshëm.

Nëse do të ecet me këto ritme, në Kombinat kemi një epërsi të madhe ndaj PD dhe aleatit të saj dhe ne do ta arrijmë synimin tonë. Nuk me rezulton të ketë problematika të shtuara, PD këtu në Kombinat ka kërkuar që të ndalohet procesi por ne nuk kemi pranuar. Tani kemi një normalitet dhe kështu po vijohet në të gjithë Shqipërinë. Por kemi pasur një pilotim të mirë të procesin elektronik dhe mendoj e shpresoj që në të gjithë Shqipërinë të ketë një numërim elektronik“, shtoi ministrja.

Ora 11:58 – Panik në një KZAZ në Fier, njëvëzhgues rezulton me Covid

KZAZ 59 në Fier është përfshirë nga paniku. Gazetarja e Klan News në Fier, Anila Sefa ka raportuar se një vëzhgues ka rezultuar me Covid.

Është sekretari vëzhgues  i LSI ai që ka rezultuar me Covid. Mësohet se sot në mëngjes ai kishte shfaqur shenja të Covid, si temperaturë dhe ethe.

Pasi ka raportuar ai ka marrë ndihmë mjekësore dhe më pas i është nënshkruar testimit dhe ka rezultuar pozitiv.

Komisioneri është larguar nga KZAZ dhe është në izolim dhe tani është zëvendësuar. Por raportohet se ai prej 24 orësh ka qenë në punë dhe ka punuar pa maskë.

Tashmë rrezikohet që me Covid të jenë infektuar dhe persona të tjerë në këtë KZAZ dhe pritet që t’i nënshtrohen testimit.

Ora 11:48 – Veliaj shpall fitoren edhe në Njësinë 12: Kemi thyer rekord

Kryebashkiaku dhe drejtuesi politik i PS në Tiranë, Erion Veliaj ka shpallur fitoren edhe në Njësinë Nr.12 në Tiranë, që përfshin zonën e Freskut.

Nga selia rozë, Veliaj tha se PS ka marrë të paktën 55% të votave në Njësinë 12, duke vlerësuar qytetarët dhe simpatizantët e kësaj force.

Kanë bërë një super-rezultat te Njësia 12 duke thyer një rekord dhe duke fituar 55%. Zona e Freskut është një njësi e re e Tiranës. Dua t’i falenderoj me zemër të gjithë ata që na kanë dhënë kaq shumë besim. Zona si Artisti, Fresku dhe Liqeni i Thatë, jam i ndërgjegjshëm për punën që lipset të bëhet ende aty. Ne do t’ju shërbejmë edhe pjesës tjetër që mendon ndryshe nga ne”, u shpreh Erion Veliaj.

Ora 11:25 – Mbyllet numërimi dhe në bashkinë Poliçan

Në bashkinë Poliçan është mbyllur procesi i numërimit të votave. Mësohet se fituese në këtë bashki rezulton të jetë Partia Socialiste me një rezultat të thellë.

PS ka marrë 3871 vota, ndërsa PD 1045 vota dhe LSI vetëm 864. E përkthyer në përqindje PS ka më shumë se 65%.

Ndërkohë në bashkitë e tjera të qarkut Berat vijon numërimi i votave dhe PS është në avantazh. Por në këtë qark është vënë re një problem me numërimin, pasi në disa KZAZ procesi është ndërprerë me arsyetimin e komisionerët janë të lodhur.

Ora 11:10 – Mbyllet numërimi dhe në një bashki tjetër, PS kryeson

Partia Socialiste ka arritur që të fitojë edhe në një tjetër bashki. Pas përfundimit të procesit të numërimit në të gjitha kutitë në Bashkinë Gjirokastër, fituese ka rezultuar PS.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Partia Socialiste ka marrë 3466 vota, PD 1939 dhe LSI 527. Ndërkohë më herët ka përfunduar numërimi dhe në dy bashki të tjera në qarkun e Gjirokastër, Memaliaj dhe Këlcyrë , ku sërish fituese është PS.

Ora 10:44 – Mbyllet numërimi në dy bashki të qarkut të Gjirokastrës

Është mbyllur procesi i numërimit të votave në Bashkinë Memaliaj. Sipas të dhënave të deritanishme bëhet me dije se në këtë bashki fituese është Partia Socialiste.

Partia Socialiste ka grumbulluar 3279 vota, Partia Demokratike 1104 dhe LSI vetëm 1000 vota. Po ashtu pak më herët është mbyllur procesi i numërimit të votave për Këlcyrë, ku dhe në këtë bashki rezultatin më të mirë e ka marrë PS.

Sipas rezultateve të deritanishme mësohet se PS ka marrë 1750, PD 1070 dhe LSI 509 vota. Ndërkohë tashmë është duke vijuar procesi i numërimit për bashkitë e tjera që janë pjesë e qarkut të Gjirokastrës.

Ora 10:25 – Tabaku: PD rritje me 30% në Njësinë 10, PS rënie me 200 vota

Rezultatet e votave në Njësinë Nr.10 në Tiranë, Jorida Tabaku nga Partia Demokratike i komenton si rritje me 30% për selinë blu.

Në një deklaratë nga partia, Tabaku tha se PD është rritur me 1200 vota, ndërsa Partia Socialiste ka rënie me 200 vota.

Ndërkohë, ajo u bëri thirrje numëruesve që të vazhdojnë procesin në të gjithë vendin.

Dua të falenderoj të gjithë qytetarëë që dje morën pjesë masivisht në zgjedhjev. Tirana në fakt po i prin ndryshmit. Rezultatet që erdhën nga dega 10 në Tiranë me votimin elektronik janë të jashtëzakonshme. PD është rritur me 30%, ka një rritje me 1200 vota. Ndërkohë që PS ka rënë me 200 vota. Unë ftoj të gjithë numëruesit, të gjithë vëzhguesit të vazhdojnë të numërojnë me vendosmëri. Rezultatet në çdo kuti votimi tregojnë pikërisht këtë trend. Tirana po i prin ndryshimit, Tirana do të vazhdojë të ketë një ditë me diell si ajo e djeshmja”, u shpreh Tabaku.

Ora 10:19 – Veliaj shpall fitoren dhe në Bërzhitë: Thyem rekord me mbi 65% të votave

Koordinatori i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ka shpallur fitoren dhe në njësinë Berzhitë. Në një deklaratë për mediat nga selia e PS, Veliaj ka thënë se në këtë njësi është thyer një tjetër rekord duke marrë më shumë se 65% të votave.

Kemi një tjetër njësi që e ka mbyllur me shumë sukses procesin  e numërimit në Tiranë. Është Bërzhita ku kemi një rekord me mbi 65% të votave. Një njësi rurale e Tiranës, ku në këto vite ka qenë djathtë. E kemi fituar herët e fundit, por kemi thelluar rezultatin“, tha Veliaj.

Më tej kreu i Bashkisë Tiranë ka falenderuar të gjithë votuesit e kësaj zonë dhe premtoi se do të vijonin punën për të gjithë qytetarët dhe nuk do i ndajnë të majte e të djathtë.

Po ashtu Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë numëruesve që të mos vonojnë procesin dhe hodhi akuza për opozitën se po e pengon procesin e numërimit.

Ora 09:42 – Erion Veliaj i shtrin dorën opozitës: Nuk janë armiqtë tanë, na bashkojnë më shumë gjëra

Pas fitores në Njësinë 10 në Tiranë të kandidatit socialist Fatmir Xhafaj që kishte grumbulluar 2795 vota, kryebashkiaku Erion Veliaj doli në një deklaratë për mediat duke e falenderuar publikisht për punën e bërë.

Nga ana tjetër, Veliaj shprehu vullnetin për të bashkëpunuar edhe me opozitën, duke thënë se nuk janë armiqtë e tyre, por qytetarë që mendojnë ndryshe.

“Ka ardhur koha që t’i shtrijmë dorën atyre që kemi përballë. Ata nuk janë armiqtë tanë. Janë shqiptarë që kanë pasur bindje ndryshe nga bindja jonë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë. Nuk ka rëndësi nëse janë demokratë apo socialistë. Nga mbyllja e kësaj fushate për të pasur vota, do doja që të fillonim një tjetër fushatë, një fushatë vëllazërie, përqafimesh”, deklaroi Erion Veliaj.

Ora 09:39 – Thirrja e Metës: Asnjë votë të mos tjetërsohet në procesin e numërimit

Më tej Meta shton se çdo votë në kuti do të numërohet dhe të rinumërohet deri në fund.

Asnjë votë të mos tjetërsohet në procesin e numërimit. Numëruesit të mos ndikohen nga përzgjedhjet e qëllimshme të kutive të numërimit për qëllime demoralizimi të rivalëve.

Të gjithë të ruajnë qetësinë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.  Çdo votë në kuti do numërohet dhe rinumërohet deri në fund. “, është ky reagimi i Metës.Deklarata e Presidentit vjen pas publikimit të rezultateve paraprake nga KQZ ku deri tani është Partia Socialiste ajo që kryeson në rang vendi.

Ora 09:34 – Veliaj falenderon Fatmir Xhafajn: Përgatitemi për fitore në 42 Njësitë e Tiranës

Kryebashkiaku i Tiranës dhe drejtuesi politik i PS në këtë qark, Erion Veliaj ka falenderuar Fatmir Xhafajn për 2795 votat që mori në Njësinë 10 në kryeqytet, duke i renditur i parë në këtë zonë.

Në një deklaratë të shkurtër nga selia e PS, Veliaj tha se po përgatiten për fitore në 42 Njësitë e Tiranës.

Dua të falenderoj të gjitha ata që punuan shumë fort për fitoren tonë në Njësinë 10. Një falenderim i veçantë Fatmir Xhafës për gjithë frymëzimin që ai dha ndaj skuadrës dhe punës plot dedikim. Dua të ndaj disa konkluzione. Dua të falenderoj kolegët e medias për informacionet që na kanë dhënë. Por përgatitemi për fitoren në 42 Njësitë e Tiranës.

Duke pasur parasysh që ka qenë një natë e gjatë do doja t’i ftojë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në procesin e numërimit t’i shkojmë deri në fund këtij procesi. Dua të shpreh angazhimin e PS dhe të kryetarit Edi Rama që gjithë numëruesit tanë do bëjnë maksimumin, numëruesit do punojë me orare të zgjatutra duke kërkuar kortezi edhe nga pala tjetër. Për të gjithë ata që votuan masivisht dhe na dhanë fitoren në Njësinë 10, unë ju falenderoj nga zemra”, deklaroi Veliaj. 

Ora 09:32 – Qetësi në PD, kush janë dy zyrtarët që po qëndrojnë në seli

Në selinë blu situata duket e qetë. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ndodhet në seli pasi ka qenë deri në orët e para të mëngjesit duke monitoruar rezultatet e numërimit.

Nga selia e PD, në një raportim të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve në televizionin Klan, gazetarja Jordiz Millto, ka bërë me dije se në seli ndodhen vetëm sekretari organizativ Sahit Dollapi dhe koordinatori dixhital Endri Hasa.

Po ashtu gazetarja tha se deri tani nuk pritet që të ketë dalje për mediat. Po ashtu pritet që në seli të kthehet dhe Lulzim Basha.

Ora 09:23Pas incidentit të përgjakshëm në Elbasan, sa vota kanë marrë PS dhe PD në këtë qark?

Elbasani u përfshi në një ngjarje të rëndë 4 ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, ku u vra 1 person dhe u plagosën 4 të tjerë. Ngjarja duket se kishte sfond politik me akuza për blerje votash. Por si po shkon aktualisht numërimi në Qarkun e Elbasanit dhe sa vota kanë marrë partitë kryesore?

Kështu, sipas të dhënave të deritanishme të KQZ, deri në orën 08:43 janë numëruar 167 kuti nga 511 në total. Partia Socialiste kryeson me 55.21% të votave ose 8 mandate. Partia Demokratike ka marrë 36.83% të votave ose 6 mandate deputetësh.

Ndërsa partitë e tjera deri në këto momente nga numërimi i votave në Qarkun Elbasan nuk kanë marrë asnjë mandat. 

Ora 09:18 – Si ndahen votat deri tani në Gjirokastër, LSI në ‘luftë’ për një mandat

Në Gjirokastër po vijon numërimi me shpejtësi, ku deri tani janë numëruar 97 nga 207 që ka në total ky qark.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 09:00, kryesuese në këtë qark është Partia Socialiste. Më pas vjen PD dhe LSI, ku kjo e fundit është në ‘luftë’ për marrjen e mandatit.

Me projeksionet e deritanishme, PS rezulton që të ketë 3 mandate dhe mandati i katërt shkon për PD-në.

Por në garë të fortë është dhe LSI, pasi ka arritur që me votat e numërua deri tani të marrë 13.6% të tyre dhe është shumë afër marrjes së një mandati.

Ora 08:55 – Kreu i KQZ: Komisionerët t’i lënë historitë “u lodha apo u sëmura”

Kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje komisionerëve të partive që të mos ndalojnë procesin e numërimit të votave.

Bllokimi i punës me justifikime të lodhjes, sipas Celibashit, janë histori të së shkuarës që nuk duhet të vazhdojnë. Kreu i KQZ theksoi se ata numërues që janë të lodhur, duhet të zëvendësohen menjëherë.

Raste kur komisioneri u lodh, do bëjë 1 orë pushim, 2 orë pushim, unë mendoj që janë tregues të mungesës së vullnetit për të përmbushur detyrimet ligjore në raport me nxjerrjen e rezultatit. Partitë politike duhet të kenë marrë masa, nëse komisionerët e tyre, anëtarët e grupit të numërimit lodhen, të kenë gati grupet e tjera të numërimit. KQZ ka marrë masa që të trajnojë në mënyrë të menjëhershme anëtarët e rinj të grupit të numërimit. Por historitë dhe skenat me komisionerë të lodhur apo të sëmurë unë mendoj që duhet të marrin fund dhe ajo parti që i bën këto është diskedituese për atë partinë”, u shpreh Ilirjan Celibashi. 

Ora 08:45 – Veliaj kthehet në selinë e PS: Fjeta dy orë, bëra dhe dush

Erion Veliaj, koordinator i qarkut të Tiranës në Partinë Socialiste, është rikthyer sërish në selinë rozë për të vijuar monitorimin e numërimit të votave. Në një intervistë të shkurtër për Klan, Veliaj tha se ka pushuar vetëm dy orë.

Po ashtu Veliaj është shprehur optimistë për fitoren, duke thënë se trendi tani është në favor të PS dhe bëri thirrje që të vijohet me një numërim të shpejtë të votave.

Elja Zotka: Zoti Veliaj, si i lexoni rezultatet e numërimit deri tani.

Erion Veliaj: Mirëmëngjes, ka qenë një ditë e bukur për t’u zgjuar.

Elja Zotka: Fjetët?

Erion Veliaj: Fjeta dy orë, dy orë, bëra dhe dush. Po përtej batutës zgjimi të shijon më shumë ku i ke të gjithë cinikët dhe baltaxhinjtë përballë. Unë mendoj se puna shpërblehet dhe shumë njerëz e nënvlerësojnë popullin tonë dhe besojnë se votojnë për ata që i bien për shkurt. Ne i ramë çik përgjatë dhe u lodhëm siç më shumë. Por më rezulton se gjithë ajo punë që kemi bërë në Tiranë po shpërblehet. Më rezulton se n2 4 nga 5 bashki jemi fitimtarë. Në Kamëz mund të kemi surpriza, kemi një barazim virtual. Do tentojmë të bëjmë maksimumin me numërimin dhe ftesa që do të bëj do jenë që mos ta lënë numërimin.

Elja Zotka: Nuk ju duket pak herët që të shpallni fitoren

Erion Veliaj: U bë e disata zgjedhje që kur kalohet 20% e votave të numëruara, duket trendi

Elja Zotka: Dhe sa është trendi.

Erion Veliaj: Besoj se në Tiranë do kemi më shumë së gjysmën e mandateve dhe kjo është një gjë e mirë.

Ora 08:23 – Kreu i KQZ Celibashi: Votimi elektronik është 100% i sigurtë

Kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se rezultati në Njësinë 10 në Tiranë duhet të ishte shpallur më herët, por të gjitha palët ishin dakordësuar për të publikuar mëngjesin e 26 Prillit. Sa i përket sistemit, votimi dhe numërimin elektronik i vlerësoi të sigurtë.

“Ky rezultat mund të ishte shpallur edhe më herët. Por meqë ishte hera e parë që implementojmë këtë sistem u dakordësuam që rezultatin ta shpallnim sot në orën 08:00. Sistemi i votimit elektronik është 100% i sigurtë”, tha Celibashi.

Ora 08:20 – Përfundon numërimi elektronik në Njësinë 10

Në Njësinë 10 ose KZAZ Nr.40 në Tiranë ka përfunduar numërimi elektronik, sistem i cili u implementua për herë të parë dhe vetëm në këtë zonë elektorale. Sipas të dhënave që dolën në kohë reale, udhëheq Partia Socialiste me 6007 vota. E dyta renditet Partia Demokratike me 4550 vota, LSI me 628 vota dhe PSD me 208 vota.

Ora 08:26KQZ publikon rezultatin në njësinë 10, Fatmir Xhafaj merr numër rekord votash

Rezultati në Njësinë 10 në Tiranë, ku është zbatuar për herë të parë votimi dhe numërimi elektronik ka folur për Partinë Socialiste. Në këtë njësi kandidati më i votuar ka qenë Fatmir Xhafaj, pasi kryeson me 2795 vota.

Ndërkohë nga Partia Demokratike janë votuar disa kandidatë. Lulzim Basha ka marrë 492, Jorida Tabaku 286, Albana Vokshi 63, Sali Berisha 238, Agron Shehaj 525.

Ndërkohë vota të pavlefshme janë 120 dhe sipas KQZ votuesit nuk kanë zgjedhur asnjë subjekt.

Ora 08:15 – “Flasim më vonë”, Rama mbërrin në selinë e PS

Kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste rreth orës 08:00.

Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka e ka pyetur Kryeministrin për të komentuar rezultatet e deritanishme të votimeve.

Por kreu i selisë rozë nuk ka preferuar të komentojë gjatë, duke thënë se do të ketë komunikim më vonë gjatë ditës.

-Si i lexoni rezultatet e deritanishme? Janë optimiste për ju?

Kryeministri Rama: Flasim më vonë.

Sipas pritshmërive të Ramës, PS do të marrë të paktën 71 mandate për të qeverisur e vetme. Në rast të kundërt, nëse do t’i duhej që të krijonte një qeveri të sforcuar, Rama ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen. 

Ora 08:13Prova e ‘zjarrit’ për PD e PS, kush kryeson deri tani në Tiranë dhe Durrës

Procesi i numërimit të votave po ecën me ritme të shpejtave dhe sipas raportimeve të deritanishme mund të ketë një rezultat brenda ditës së sotme, ose në orët e para të ditës së nesërme.

Situata në Durrës

Në Durrës deri në orën 08:00 sipas raportimeve nga KQZ janë numëruar 42 kuti nga 481 që ka ky qark në total. Deri tani kryeson Partia Socialiste me 53.7% të votave, më pas vijon PD me 37.7% dhe LSI me 6.7%.

Nëse mund të përkthehen përqindjet në mandate, për PS shkojnë 8 mandate, 5 PD dhe 1 LSI.

Situata në Tiranë

Ndërkohë numërimi ka vijuar dhe në Tiranë me ritme të shpejta dhe deri tani kryeson PS. Kur janë numëruar 190 kuti nga 1243 që ka ky qark, PS ka marrë 50.4%, PD 37.1% LSI me 6.2% dhe PSD 3.09%.

E përkthyer në mandate PS merr 19 mandate, PD 14 mandate, LSI 2 dhe PSD 1 mandat.

Ora 07:56 – Ndërpritet numërimi në Gjirokastër, 10% e votave të pavlefshme

Në qarkun e Gjirokastrës procesi i numërimit është ndërprerë në të orët e para të mëngjesit. Sipas gazetarit të Klan News, Vladimir Lame, ndërprerja e procesit është bërë me konsensus mes komisionerëve dhe deri tani janë numëruar 13 kuti.

Gazetari ka njoftuar se më numërimin e votave deri tani kryeson Partia Socialiste, më pas Partia Demokratike dhe LSI.

Në Gjirokastër është vënë re një numër i madh i votave të pavlefshme.  Deri tani është vënë re se mbi 10% e votave të numërua kanë rezultuar të pavlefshme që është një përqindje e lartë krahasuar me qarqet e tjera.

Ora 07:44 – Numërohen 1159 kuti

Numërohen 1159 kuti nga 5198 në total. Nga rezultatet e deritanishme të numërimit të fletëve të votimit, PS është në avantazh me 50% të votave ose 75 mandate. Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka marrë 39% të votave ose 56 mandate. LSI ka marrë 7% të votave ose 6 mandate. Ndërsa PSD, partia e Tom Doshit, ka marrë 2% të votave ose 3 mandate. Kurse partitë e tjera deri tani nuk kanë marrë asnjë mandat.

Ora 07:38 – Vijon numërimi në KZAZ 30 në Tiranë, procesi pritet të mbyllet rreth orës 21:00

Kreu i KZAZ 30 në Tiranë, Kelvin Skrela, në një intervistë për Klan News ka bërë me dije se në këtë qendër numërimi puna ka vijuar gjatë gjithë natës.

Ai tha se puna ka vijuar gjatë natës dhe bëri një parashikim që i gjithë procesi i numërimi mund të mbyllet rreth orës 21:00 apo 22:00 në mbrëmje. Po ashtu Skrela njoftoi se në këtë KZAZ deri tani në avantazh është PS.

Gjatë natës është numëruar pa ndërprerë dhe po vijohet të numërohet pa ndërprerë. Kemi numëruar 15 kuti dhe kemi 6 kuti në proces.

Deri tani është mbyllur njësia administrative Bërzhitë. Me rezultatet paraprake vijon PS që të jetë në avantazh. Mendojmë se procesi i numërimit do të mbyllet rreth orës 21:00 apo 22:00 në mbrëmje“, ka kreu u KZAZ 30.

Ora 07:20 – Tom Doshi jep dorëheqjen e parevokueshme

Deputeti dhe kryetari i PSD Tom Doshi ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i tij i deputetit. Përmes një letre, Doshi ka vënë në dijeni KQZ-në dhe ka kërkuar zëvendësimin e tij në listat e kandidatëve.

Partia e drejtuar prej tij, PSD deri më tani ka marrë 3 mandate deputeti në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Unë i nënshkruari Tom Doshi me vullnetin tim të lirë dhe të plotë deklaroj se në datën 26 Prill jap dorëheqjen nga mandati im si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Deklaroj se sot në datë 26 Prill jap gjithashtu dorëheqjen nga mandati im si deputet i fituar pas zgjedhjeve 2021 dhe jap dorëheqjen nga lista shumëemërore e kandidatëve për deputet të PSD për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Prill. I kërkoj KQZ të bëjë zëvendësimin tim si deputet sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Sa më sipër është në përputhje me vullnetin tim të lirë dhe të plotë dhe nuk kam sot në datë 26 Prill asnjë pretendim me vendimin e KQZ sipas të cilës mandati im i kalon kandidatit tjetër sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor. Kjo dorëheqje është e parevokueshme”, thuhet në letrën e Tom Doshit. 

Ora 06:51 – Numërohen mbi 1000 kuti votimi

Numërohen 1015 kuti nga 5198 në total. Nga rezultatet e deritanishme të numërimit të fletëve të votimit, PS është në avantazh me 50% të votave ose 68 mandate. Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka marrë 38% të votave ose 51 mandate. LSI ka marrë 7% të votave ose 5 mandate. Ndërsa PSD, partia e Tom Doshit, ka marrë 2% të votave ose 3 mandate. Kurse partitë e tjera deri tani nuk kanë marrë asnjë mandat.

Ora 03:11 Mbi 200 kuti votimi të numëruara deri në këto momente

Procesi i numërimit të fletëve të votimit ka nisur pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm Durrësi deri më tani nuk ka numëruar asnjë kuti. Deri në këto momente janë numëruar në të gjithë vendin 202.

Në rang vendi Partia Socialiste ka marrë numrin më të madh të votave me 27205 të tilla. Partia Demokratike ka marrë deri më tani 20689 vota. Në rang vendi, LSI-ja ka shkuar deri më tani deri në 4355 vota.

Deri më tani procesi i numërimit ka përfunduar vetëm në bashkinë e Pustecit. 

Ora 03:04 Vijon procesi i numërimit në Tiranë, partia që kryeson

Në Tiranë janë numëruar 18 kuti votimi deri në këto momente.

Aktualisht në kryeqytet kryeson Partia Socialiste me 2991 vota. Ndërkohë Partia Demokratike ka marrë deri në këto momente 2440 vota. Për LSI-në kanë votuar 407 persona.  Deri më tani për PSD-në kanë shkuar 115 vota.

Në Tiranë janë për t’u numëruar gjithsej 1243 kuti votimi.  Më herët, një prej qendrave të votimit në kryeqytet  e inspektoi ambasadorja Yuri Kim.

Ora 02:38 Sa kuti janë numëruar deri në këto momente

Kur janë numëruar 129 nga 5198 kuti votimi dhe procesi po vijon në thuajse gjithë qarqet e vendit, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë.

Nga të dhënat e deritanishme, në qarkun e Kukësit janë numëruar 6 kuti, nga 141 në total. Rezultati paraprak është 60.42 % për PD-AN dhe 36.29 % për PS.

Në qarkun e Shkodrës janë numëruar 7 kuti nga 411 që janë në total. Rezultati paraprak është 19.64 % për PSD, 33.12 % për PD-AN, 43.41 % për PS.

Në qarkun e Lezhës janë numëruar 4 kuti nga 249. Rezultati paraprak është 51.70 % për PD-AN, 38.51 % për PS.

Në qarkun e Dibrës deri më tani janë numëruar 14 kuti, nga 227 në total. Rezultati paraprak është 51.16 % për PD-AN, 40.88 % për PS.

 qarkun e Durrësit procesi i votimit nuk ka nisur ende. Në total në këtë qark janë 481 kuti votimi.

Në qarkun e Tiranës janë numëruar 4 kuti nga 1243 në total. Rezultati paraprak është 32.66 % për PD-AN, 58.45 % për PS.

Në qarkun e Elbasanit deri më tani janë numëruar 19 kuti, nga 511 në total. Rezultati paraprak është 36.11 % për PD-AN, 56.92 % për PS.

Në qarkun e Fierit janë numëruar 12 kuti nga 580 që janë në total. Rezultati paraprak është 38.13 % për PD-AN, 53.71 % për PS.

Në qarkun e Beratit janë numëruar 11 kuti nga 277 që janë në total. Rezultati paraprak është 31.26 % për PD-AN, 51.76 % për PS.

Në qarkun e Korçës janë numëruar 15 kuti, nga 427 në total. Rezultati paraprak është 38.96 % për PD-AN, 49.20 % për PS.

Në qarkun e Vlorës deri më tani janë numëruar 16 kuti, nga 445 që janë në total. Rezultati paraprak është 28.34 % për PD-AN, 62.38 % për PS.

Në qarkun e Gjirokastër janë numëruar 21 kuti votimi nga 207 në total. Rezultati paraprak është 29.10 % për PD-AN, 54.95 % për PS.

Ora 02:30 Mbi 100 kuti të numëruara, si ndahen PS dhe PD deri më tani

Procesi i numërimit të fletëve të votimit ka nisur pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm Durrësi deri më tani nuk ka numëruar asnjë kuti. Deri më tani janë numëruar në të gjithë vendin 108 kuti.

Në rang vendi Partia Socialiste ka marrë numrin më të madh të votave me 13821 të tilla. Partia Demokratike ka marrë deri më tani 10477 vota. Në rang vendi, LSI-ja ka shkuar deri më tani deri në 2631 vota.

Deri më tani procesi i numërimit ka përfunduar vetëm në bashkinë e Pustecit.

Ora 01:52 Numërohen 56 kutitë e para, cila parti kryeson

Ka nisur numërimi i kutive të para pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Deri më tani janë numëruar 56 kutitë e para.

Në rang vendi Partia Socialiste ka marrë numrin më të madh të votave me 6809 të tilla. Partia Demokratike ka marrë deri më tani 5089 vota.

LSI-ja ka shkuar deri më tani deri në 1139 vota. Më pas, 143 vota kanë shkuar për PSD-në.

Bashkia e parë që nisi procesin e numërimit ishte ajo e Pustecit. Kjo bashki ishte po e para që e përfundoi numërimin e kutive të votimit, vetëm 7 të tilla, dhe ku fitoi Partia Socialiste.

Ora 01:34 Kim viziton qendrat e numërimit: SHBA do të jetë me ju deri në fund

Ambasadorja Yuri Kim ka vizituar gjatë natës së sotme dy qendra numërimi, një atë në Vasil Shanto dhe një në Shkollën e Kuqe.

Kim shoqërohej nga kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi. Ajo i ka uruar punë të mbarë numëruesve, ndërsa bëri thirrje që të pritet me durim rezultati.

“Procesi i numërimit ka filluar për zgjedhjet në Shqipëri. Me kryekomisionerin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, vizitove qendrat e numërimit në Vasil Shanto dhe Shkollën e Kuqe. Punë të mbarë dhe faleminderit të gjithë numëruesve dhe stafeve të punës gjatë natës. Le të presim me durim rezultatin. SHBA-të do të jenë me ju deri në fund”, shkruan Kim.

Ora 01:23 Qarqet ku nuk ka nisur ende numërimi

Procesi i numërimit të votave ka nisur në pjesën më të madhe të vendit. Kështu, nga të dhënat e deritanishme, numërimi ka nisur në qarkun e Beratit, në Dibër, në Elbasan, në Gjirokastër, në Korçë, në Kukës, në Shkodër, në Tiranë dhe Vlorë.

Tre qarqet ku nuk ka nisur ende procesi i numërimit deri më tani janë Durrësi, Fieri dhe Lezha.

Ndërkohë, bashkia e parë që nisi procesin e numërimit dhe e përfundoi atë ishte ajo e Pustecit, në qarkun e Korçës. Forca fituese në këtë qytet është ajo socialiste.

Ora 01:09 Numërohen kutitë e para në Tepelenë dhe Poliçan, si janë votuar PS-ja dhe PD-ja

Është numëruar kutia e parë edhe në Tepelenë. Raportohet se nga kjo kuti 127 vota kanë qenë për PS-në, 69 vota për PD-në dhe 10 për LSI-në.

Ndërkohë edhe në Poliçan ka nisur procesi i numërimit. Edhe aty është numëruar një kuti deri më tani. 130 vota kanë qenë për PS-në, 63 për LSI-në dhe 41 për PD-në.

Deri më tani procesi i numërimit ka mbaruar vetëm për Bashkinë e Pustecit në Qarkun e Korçës.

Ora 00:41 Kim: Kandidatët dhe partitë të qetësohen, prisni me durim rezultatin e zgjedhjeve

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, i ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të qetësohen dhe të presin me durim rezultatin e zgjedhjeve. Dhe kur ky rezultat të certifikohet nga KQZ-ja, Yuri Kim tha se të gjitha palët duhet ta pranojnë.

“Dhe në fund për kandidatët dhe për partitë është koha që të qetësohen, të kenë durim, të presin për rezultatin dhe kur rezultati të certifikohet ata duhet ti pranojnë ato. Le të shohim si do të shkojë procesi. SHBA-të si mik i Shqipërisë do të jenë këtu gjatë gjithë rrugës deri në fund”, tha Kim.

Ambasadorja ishte në KZAZ-në numër 35 e vendosur në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Ajo shoqërohej në inspektimin që i bëri kësaj qendre numërimi nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.

Ky i fundit falenderoi ambasadoren Kim dhe tha se në mënyrë që procesi të finalizohet me sukses dhe që rezultati të pranohet nga të gjithë duhet t’i jepet një dorë nga e gjithë shoqëria, duke filluar me politikanët e duke përfunduar me institucionet.

Ora 00:26 Kim dhe Celibashi inspektojnë KZAZ-në, kërkesa për numëruesit e PD-së

Ambasadorja Yuri Kim ka vizituar KZAZ-në 35, e cila është e vendosur në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Ajo ishte e shoqëruar nga Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Së bashku ata folën përpara numëruesve të tre partive më të mëdha në vend, PS, PD dhe LSI.

Ambasadorja tha se do të jetë pranë numëruesve në nisje të procesit në këtë qendër numërimi.

“Do të jem me ju ndërsa do nisni si proces. Faleminderit shumë”, tha ajo.

Kryekomisioneri i kërkoi numëruesve nga ana e Partisë Demokratike që të ndryshojnë bluzën me logon e selisë blu.

“Uroj që të keni shëndet të plotë dhe të mos lodheni”, tha ai.

Më vonë, Kim dhe Celibashi takuan anëtarët e KZAZ-së ndërkohë që inspektuan edhe pajisjet që po përdoren për numërimin.

Ora 00:19 Mbyllet numërimi në bashkinë e Pustecit

Bashkia e parë që nisi procesin e numërimit të votave dhe e para që e mbylli atë ishte ajo e Pustecit, në qarkun e Korçës. Sipas rezultatit përfundimtar, në këtë bashki Partia Socialiste ka marrë 868 vota, 473 vota Partia Demokratike dhe 168 vota Lëvizja Socialiste për Intergrim.

Kjo bashki është e minoritetit maqedonas dhe numëron gjithsej 4366 zgjedhës. Këtë të dielë kanë votuar 1606 qytetarë. Forcë e parë politike në vitin 2017 në Pustec ishte LSI-ja, e dytë PS-ja dhe e tretë PD-ja.

Ora 00:16 Numërohen 3 kutitë e para në Memaliaj, si ndahen PS dhe PD

Procesi i numërimit të votave ka nisur në disa qendra numërimi ku është përfunduar dorëzimi i bazës materiale zgjedhore nga qendrat e votimit. Mësohet se procesi i numërimit ka nisur edhe në Memaliaj, ku janë gjithsej 27 kuti votimi për t’u numëruar.

Mësohet se 3 prej kutive janë kaluar nga numëruesit. Rezultati në këto 3 kuti të para është 395 vota për PS-në, 192 vota për PD-në dhe 81 për LSI-në.

Procesi i numërimit vijon edhe në Pustec. Atje janë numëruar 4 kuti votimi nga 7 që janë gjithsej. Rezultati sipas KQZ-së deri më tani është 609 për PS-në, 334 për PD-në, 95 për LSI-në, 3 për Lëvizjen për Ndryshim, 11 për PSD-në dhe 4 për PLDSH.

Ora 00:03 Hapen kutitë e para në Tiranë

Në KZAZ nr 8 në Paskuqan ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit dhe janë hapur 4 kutitë që e para të votimit. Është KZAZ e parë në kryeqytet që ka nisur procesin e numërimit të votave. Kjo KZAZ ka në total 42 qendra votimi, ndërkohë si numër votuesish ka 35,344.

Ora 00:00 Sipas të dhënave të KQZ deri në orën 20:00, në rang vendi pjesëmarrja në votime ishte 47,94 përqind.

Departamenti i WEB TVKLAN.AL





Të ngjashme