Me vështirësi arritëm një barazim 2-2

Zhgënjen Shqipëria. Një ndeshje që duhej fituar lehtësisht me diferencë golash, përfaqësuesja jonë me vështirësi mori barazim 2 me 2 ndaj Andorrës. Kuqezinjtë zotëruan pjesën më të madhe të lojës duke patur dhe më shumë mundësi shënimi, por u treguan tepër të pasaktë para portës mike. Gabime u bënë dhe në repartin mbrojtës.

Edy Reja e nisi me një formacion ndryshe nga ndeshjet e tjera, duke ndërthurur të rinjtë me lojtarët me përvojë. Bekim Balaj realizoi pas 6 minutash lojë, duke shfrytëzuar pasimin e Odise Roshit.

Lojtarët e Andorrës nuk u demoralizuan dhe me përpjekjet e tyre sollën barazimin në të 18’ me Cristian Martinez. Një gabim në mbrojtje na ndëshkoi. Presioni i kundërshtarëve bëri që futbollistët shqiptarë të mos ishin të qartë para portës.

Me fillimin e pjesës së dytë Elseid Hysaj zëvendësoi Lorenc Trashin. Një pakujdesi tjetër në zonën tonë na ndëshkoi në minutën e 48’. Cristian Martinez i dha avantazhin e përkohshëm Andorrës.

Edy Reja përfshiu në lojë Keidi Baren në vend të Emanuele Ndojit. Presioni i kuqezinjve u rrit me kalimin e minutave dhe ishte Rei Manaj, i cili realizoi pas një kombinimi me Odise Roshin.  

Në të 73’ ishte radha e Taulant Seferit të debutonte me Shqipërinë, pasi u përfshi në lojë në vend të Ylber Ramadanit. Rastet e kuqezinjve nuk reshtën, por pa mundur të realizojnë golin e fitores.

Me këtë rezultat Shqipëria është sërish në vendin e katërt në grup në kuotën e 13 pikëve. Të dielën do të jetë ndeshja me Francën që e ka siguruar kualifikimin sëbashku me Turqinë.

Tv Klan