Kombëtarja dështon sërish me lojën e saj, duke humbur 4-1 me Ukrainën në miqësoren e zhvilluar të dielën në Evian të Francës ku nuk mungoi mbështetja e tifozëve. Kuqezinjtë e trajnerit Christian Panucci prekin fundin duke gabuar në mbrojtje dhe dhënë pak në sulm. Kjo humbje turpëruese, e dyta në pak ditë pas asaj me Kosovën, ka shkaktuar irritimin e tifozëve shqiptarë në stadium të cilët për herë të parë kanë detyruar trajnerin Panucci të ndërpresë intevristën për Supersport pas takimit.

Porta e Berishës qëndroi e paprekur vetëm për gjysmë ore lojë. Konolpyanka kaloi në avantazh ukrainasit. Pak minuta më vonë një tjetër gabim i mbrojtjes i lejoi Iarmonenko të realizonte sërish për Ukrainën. Aksionet e pakta të Shqipërisë nuk krijuan rrezik në portën kundërshtare me Manajn i cili ishte sulmuesi i vetëm. Në sekondat e fundit ishte sërish kapiteni Iarmonenko i cili shënoi për Ukrainën që kishte në fushë disa lojtarë të rinj.

Zëvendësimet e Panucci sollën disa shkëndija, por gjithsesi kishte pasiguri në mbrojtje. Për shumë minuta kuqezinjtë ishin me dy sulmues, Cikalleshin dhe Balajn. Goli i vetëm i Shqipërisë u shënua nga Ndoj në të 88’. Ukraina nuk ishte dorëzuar dhe Konolpyanka shënoi golin e katërt, duke mbyllur sfidën. Christian Panucci tani duhet të gjejë mënyrën se si Kombëtarja të mos bëjë të njëjtat gabime në ndeshjet e Ligës së Kombeve që nisin në Shtator.

Tv Klan