Ekonomia ra me 2.52% në Janar-Mars 2020

Ekonomia shqiptare u tkurr për tremujorin e dytë rresht duke hyrë zyrtarisht në recesion teknik. Situata e ndikimit pas tërmetit dhe mbyllja në fund të muajit Mars dhanë një goditje për produktin e brendshëm bruto për periudhën Janar-Mars, duke ulur prodhimin me 2.52%.

Sipas Institutit të Statistikave kontributin më të madh në rënien ekonomike e ka dhënë ndërtimi, i cili u ul me 16.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa të gjithë degët e ekonomisë duke përfshirë industrinë, transportin, telekomunikacionin, tregtinë dhe aktivitetet financiare shënuan rënie.

Tre sektorët e vetëm me rritje janë bujqësia, aktivitetet e pasurive të patundshme dhe artet e argëtimi. Edhe konsumi i popullatës ka rënë krahasuar me fundin e vitit 2019, ndërsa me rënien rezultojnë edhe importet, eksportet dhe investimet e bizneseve në makineri e pajisje.

Në fund të vitit 2019 ekonomia u tkurr me 0.15% dhe nëse edhe në fund të këtij viti do të rezultojë me rritje ekonomike negative më shumë se 1%, atëherë vendi do të ndodhet zyrtarisht në krizë.

Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë këtë vit recesioni parashikohet të jetë mbi 5% për shkak të pasojave të pandemisë së Covid-19.

Tv Klan