Opinion- Në Dhjetor të vitit 1990 Shqipëria e theu njërin prej mureve të izolimit të saj, atë që lidhej me lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit dhe atë të besimit politik në një forcë ndryshe. Por mbeti në një pikë ende e pa përmbushur, ajo që lidhej me të drejtën e lëvizjes.

Emisioni “Opinion” realizuar 08.11.2011 nga gazetari Blendi Fevziu fokusohet tek imazhet e atyre që sakrifikuan jetën për të kaluar në brigjet përtej. Drama dhe sakrifica e shqiptarëve për të kaluar kufijtë ka qenë shumë e fortë.

Eksodi i Marsit të vitit 1991 ka qenë më i madhi. Shqiptarët u dyndën në portin e Durrësit dhe hipnin në anije të çfarëdolloj tonazhi për të shkuar drejt Italisë.

Tentativa e shqiptarëve për të çarë murin e vizave ka qenë një problem i vazhdueshëm për fqinjët tanë, sidomos për Italinë dhe Greqinë. Shumë prej shqiptarëve u strehuan në stadiumin e vjetër të Barit, ku shumica e tyre qëndruan aty për disa ditë në kushte ç’njerëzore. Pasi kishin dalë nga komunizmi, ishte Evropa ajo që nuk  mund t’i pranonte më shqiptarët. Eksodi i Gushtit të vitit 1991 ishte i fundit i atyre që konsideroheshin  biblikë. Ka pasur 3 eksode masive të shqiptarëve.

I pari ka qenë ai i fundvitit 1990 kur mijëra shqiptarë kaluan në mes të dimrit malet që të çonin drejt Greqisë. I dyti është ai i Marsit të 1991 dhe i treti është ai i Gushtit të 1991 kur mijëra e mijëra njerëz u varën nëpër anijet që ndodheshin në portet e Vlorës dhe Durrësit. Deri në vitin 1997 vijoi trafiku i klandestinëve me gomone, por nuk pati më eksode masive.

Pas ngjarjeve të 1997, eksodet kulmuan me një tragjedi të tmerrshme që tronditi shqiptarët dhe italianët, i takonte datës 28 Mars të 1997. Anija me klandestinë u përplas me një anije italiane dhe 102 persona humbën jetën. Më 9 Janar të 2004-s një tjetër tragjedi u shënua në detin e trazuar mes Shqipërisë dhe Italisë, 20 persona humbën jetën dhe 16 mbijetuan. Por kalimet nga deti nuk ishin të vetmet.

Kalimet nga mali kanë bërë një volum po kaq të madh klandestinësh drejt Greqisë. Shumë njerëz kanë humbur jetën, kanë ngrirë nëpër male dhe gjendeshin pasi shkrinte dëbora.

Nga data 14 Dhjetor 2010 shqiptarët filluan të lëviznin të lirë në Evropë përmes pasaportave biometrike. Një vendim që në njëfarë mënyre i dha fund izolimit 20-vjeçar pas lirisë shprehjes, besimit dhe asaj për të zgjedhur politikisht. /tvklan.al