Ishujt Kanarie po përdoren nga trafikantët për kalimin e tonelatave të drogës që vijnë nga Amerika Latine

Një nga rrugët që grupet kriminale shqiptare përdorin për trafikun e kokainës nga Ekuadori drejt tregut evropian, janë ishujt Kanarie në Spanjë. Kjo pasqyrohet në artikujt e mediave spanjolle, të cilët shkruajnë se fitimet e tyre janë marramendëse, pasi një kilogram blihet në Amerikën Latine për 3 mijë euro dhe shitet 25 mijë në tregun evropian. Shtetasit shqiptarë në Spanjë bashkëpunojnë dhe me persona të tjerë, të cilët konsiderohen si mafia ballkanike.

Arrestimi i katër anëtarëve të klanit Skaljari, pak ditë më parë, riktheu shqetësimin tek autoritetet spanjolle. Policia sekuestroi 400 kilogramë kokainë, 400 mijë euro si dhe pajisje të shumta që përdoreshin nga anëtarët e bandës.

Grupi kriminal importonte dërgesa të mëdha droge, që ruheshin në magazinat e shtëpive luksoze të marra me qira, kryesisht në Adeje të Spanjës. Nga aty, ata fillonin shpërndarjen lokale më të vogla, thjesht duke i shitur me pakicë.

Mediat spanjolle shkruajnë se trafikantët nga Ballkani kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën  Latine, duke shmangur ndërmjetësit. Kjo bëhet për të siguruar çmimin më të mirë për blerjet me shumicë.

Ata përmendin trafikantët shqiptarë të suksesshëm siç është karteli Bello, shkatërruar një vit më parë, ku udhëheqësi i grupit operonte nga një qeli burgu në Ekuador. Mediat përmendin dhe shqiptarin Agim Cerma i cili akuzohet nga zyra e prokurorit publik kolumbian se është kreu i një rrjeti të trafikut të kokainës në Europë.

Klan News