Qytetarët shqiptarë do të vijojnë të lëvizin lirshëm drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pavarësisht kufizimeve që këto vende kanë vendosur për shkak të pandemisë. Këtë e kanë konfirmuar Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Zv/Ministri i Shëndetësisë së RMV, Ilir Hasani, në një lidhje me Skype në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

“Jo. Momentalisht jo. Mendimi im personal, që bazohet në bazë të fakteve dhe analizave epidemiologjike nga epidemiologë të njohur në RMV, ne kemi thuajse 30 përqind të rasteve të identifikuara, të importuara nga jashtë, që është një numër shumë i vogël. Unë qëndroj në tezën dhe teorinë se duhet që kufijtë të mbeten të hapur dhe bashkëpunimi të thellohet mes këtyre shteteve, jo vetëm në vendet ku jemi shqipfolës, sepse virusi nuk njeh gjuhë. Të gjitha shtete e rajonit duhet të bashkohen në luftë kundër këtij virusi, që po na dëmton shumë“, tha Zv/Ministri i Shëndetësisë së RMV, Ilir Hasani.

“Ne e kemi vënë masën e kërkesës për testin PCR nga vendet që vijnë me nivel të lartë të infeksionit. Shqipëria deri më tani nuk përfshihet, as Shqipëria, as Maqedonia. Mali i Zi ka pasur rritje të lartë, në bazë të numrit të banorëve, nuk kemi pasur deri më tani kufizime. Kishim disa në muajt e verës, që ishin me Maqedoninë e Veriut, por e hoqëm këtë kufizim për të lehtësuar edhe komunikimin. Tani përballemi në aspekt tjetër demokratik. Ka shqiptarë në të gjitha anët e kufirit që kufizohet Kosova, kjo është edhe pjesa që na intereson, qoftë edhe ajo përtej vlerësimit apo menaxhimit të situatës pandemike“, u shpreh Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj./tvklan.al