Kufijtë në BE vijojnë të mbeten të bllokuar për Shqipërinë

Kjo ishte pamja e pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, pasi Mali i Zi vendosi të heqë testin e Covid, si kërkesë për të hyrë në këtë vend. Në doganë pati menjëherë fluks automjetesh.

Prej me shumë se një muaji, për të hyrë në këtë shtet duhej tampon negativ në 72 orët e fundit, por tashmë ky kusht është hequr. Edhe në raste tranziti, apo për vizita në Mal të Zi, nuk ka asnjë bllokim nga autoritetet.

Ndërkohë Shqipëria vijon të mbetet e bllokuar sa u përket hyrjeve me pasaportë në zonën Shengen. Bashkimi Europian ka shtyrë pa afat bllokimin e lëvizjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Gjithashtu edhe Greqia vijon të mbajë në fuqi rregullin për të pasur një test Covid negativ, për të gjithë personat që futen nga Shqipëria, por vetëm ata që kanë leje qëndrimi.

Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë kufizim me Shqipërinë dhe mund të lëvizet lirshëm. Sa u përket hyrjeve në vendin tonë, nuk ka asnjë kufizim për shqiptarët apo të huajt.

Tv Klan