Disa qytetarë shqiptarë që kanë mbetur jashtë kufijve, bëjnë thirrje dhe kërkojnë ndihmë nga shteti që të rikthehen në vend.

Pranë tvklan.al kanë telefonuar disa prej tyre, të cilët thonë se kanë mbetur të bllokuar në qytetin Metz të Francës.

Ismail Biba dhe Sajmir Ibrahimaj ndodhen në shtetin francez prej më shumë se 1 muaji. Për shkak të mbylljes së kufijve, ata thonë se e kanë të pamundur të kthehen.

Sipas Ismail Bibës, janë 5 persona kushërinj mes tyre që po qëndrojnë aktualisht në banesën e një të afërmi të në Metz. Ata thonë se gjatë ditëve të kaluara kanë fjetur edhe në lulishte dhe nuk kanë më mundësi ekonomike për të vijuar qëndrimin në Francë dhe as për të blerë ushqime.

Ismaili dhe Sajmir shprehen se kishin shkuar për turizëm në Metz, por situata e shkaktuar nga koronavirusi i kapi në mënyrë të papritur. Ata kërkojnë nga shteti shqiptar që t’i riatdhesojë në Shqipëri, ku dhe kanë familjet e tyre, përkatësisht në Durrës e Kukës. /tvklan.al