BDI: Protestë e turpit, ASH-AAA: Të mos njihet legjitimiteti i BDI

Marshi i Protestës që gjatë ditës së djeshme u organizua nga koalicioni ASH-Alternativa, për parregullsitë zgjedhore dhe vjedhjes së votave shqiptare, e ku në shënjestër të akuzave ishte BDI-ja, ka ngjallur reagimin e integristëve të Ali Ahmetit. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani përmes Facebook-ut ka reaguar ashpër ndaj këtyre akuzave, duke e quajtur protestën të turpshme.

Në kushtet kur asnjë përfaqësues i vet atyre apo i cilitdo subjekti tjetër, asnjë përfaqësues i organizatave civile, asnjë përfaqësues i OSBE/ODIHR-it nuk kanë konstatuar asnjë vërejtje në këtë proçes zgjedhor, të protestosh kundër popullit pse nuk të ka votuar është marrëzi!”

Ndryshe në Marshin e Protestës që përfundoi para selisë së BE-së në Shkup, nga koalicioni ASH-Alternativa, i drejtuan disa kërkesa vendeve anëtare të BE-së.

Valbona Reka: Të dënohet abuzimi me të drejtën e votës në vendin tonë dhe mos të njihet legjitimiteti i BDI-së, si përfaqësuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me ndihmën e BE-së të fillojë procesi i reformimit rrënjësor të Kodit Zgjedhor, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë shembull i mirë, se vendi ynë i ka përmbushur standardet europiane për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Ndërkohë, nga kabineti I Kryeparlamentarit Talat Xhaferi kanë njoftuar se, pas problemeve me pneumoninë,  gjendja e tij shëndetësore është stabile. Konstituimi i përbërjes së re parlamentare pritet të bëhet më 4 Gusht. Edhe pse partitë nuk japin shumë informacione rreth negociatave për krijimin e qeverisë, tashmë janë vendosur kontaktet joformale mes partive që kanë fituar mandate deputetësh. Edhe LSDM-ja, por edhe VMRO-DPMNE-ja pretendojnë se do ta krijojnë shumicën parlamentare.