Vathi: udhëtimet për festat e Nëntorit tejkalojnë me 40% udhëtimet në 2019-ën

Katër ditët e pushimit për festat e Nëntorit kanë rritur udhëtimet e shqiptarëve për qëllime turistike në shumë vende të botës. Sipas agjencive turistike,  udhëtimet e shqiptare kanë tejkaluar me rreth 40% fluturimet e të njëjtës periudhë para pandemisë, pra Nëntorit të 2019.  Veç Stambollit, qyteteve Italinë apo Francës në rritje janë dhe udhëtimet drejt Maldiveve dhe Dubait.

Pas heqjes së kufizimeve për pandeminë, udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit janë shtuar ndjeshëm. Sipas Besnik Vathit, në rritje janë edhe udhëtimet  e tyre për qëllime turistike ditët e fundit të Nëntorit të cilat përkojnë dhe me festën e Pavarësisë.

 “Për festat e Nëntorit duke qenë se kombinohen dhe qëllon që janë 4 ditë pushimi, ka më shumë udhëtime, ka më shumë edhe udhëtime të gjata të cilat mund të kenë 3, 4, 5 net jashtë vendit, është ndoshta 3-40% më e lartë sesa edhe 2019”, ka thënë presidenti i ATHS, Besnik Vathi.

Veç Stambollit i cili ka një rritje të madhe, të shumtë janë ata që kanë zgjedhur qytetet e Italisë apo dhe Francën por edhe destinacione më të largëta për të cilat tashmë ofrohen edhe fluturime direkte.

“ Maldive, Dubai, në Izrael, Jordani. Ka grupe turistike në Spanjë, Portugali, në Amsterdam, ka në vendet skandinave, ka grupe në Vienë, në Pragë, në Budabest”, është shprehur Vathi.

Por veç fluturimeve ka dhe shume shqiptare që zgjedhin rrugën tokësore.

“Ka deri në Paris me autobus apo deri në Pragë, ka në rajon duke filluar rreth e rrotull, Ulqin, Budva, Kroaci, në Budabest, në Greqi”, ka thënë Besnik Vathi.

Ndikim në rritjen e udhëtimeve të shqiptarëve janë edhe shtimi i fluturimeve nga aeroporti i Rinasit, pasi ka 2.5 herë më shumë fluturime se në 2019.

Klan News