Çekiçi dhe Cikalleshi realizuan golat e fitores kundër Basaksehir, 2 fitore në 2 takime për ekipin e shqiptarëve

Koniaspori mori fitoren e dytë në Superligën turke falë golave të dy futbollistëve kuqezi Endri Çekiçi dhe Sokol Cikalleshi.

U dallua edhe lojtari nga Kosova Zymer Bytyqi që dha asistin në golin e dytë.

Në Konia, vendasit e gjetën veten në disavanazh në shtesën e pjesës së parë, pasi Ndaji-shimije realizoi për Basaksehirin.

Por rezultati u barazua pas një supergoli të Çekiçit, 6 minuta nga nisja e pjesës së dytë.

Treshja shqiptare titullarë në këtë takim u shfaq e rrezikshme.

Tre minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, Bytyqi Krosoi për Cikalleshin që me kokë realizoi golin e fitores.

Goli i dytë ky për Cikalleshin në Superligën turke.  Në sfidën e javës së parë kundër Sivasporit, sulmuesi kuqezi realizoi po në fund të sfidës, për t’i dhënë tri pikët Koniasporit.

Klan News