Stevo Pendarovski, kandidati i shumicës qeverisëse është Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut. Votuesit i falënderoi edhe në gjuhën shqipe, duke qenë se ishin pikërisht mbështetësit e kandidatit shqiptar Blerim Reka, që ndikuan në fitoren e tij me një diferencë prej rreth 7% ndaj rivales së opozitës Gordana Siljanovska.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Zoran Zaev tha se rezultati i zgjedhjeve përcaktoi drejtimin euro-atlantik të vendit.

“Kjo sot ishte një fitore e shumicës së qytetarëve, të cilët u bashkuan pa dallim bashkësisë etnike dhe politike. Këto zgjedhje garantojnë marrjen e datës së hapjeve të bisedimeve në Qershor, dhe kjo datë do të merret në Qershor. Do të jem faktor i zgjidhjes së problemeve dhe jo i bllokimeve.”

Fitorja e tij u prit me festime edhe mes shqiptarëve.

Rivalja e tij opozitare Gordana Siljanovska pranoi humbjen. Bashkë me të në një konferencë për shtyp ishte edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristjan Miçkoski, i cili tha se zgjedhjet u manipuluan.

“Kemi të dhëna se në në këtë proces votimi pati blerje votash e kërcënime. Këto nuk janë vlera europiane. Vetëm një qeveri teknike do të garantonte zgjedhje të drejta. Sot Maqedonia ka një qeveri të delegjitimuar. Ne do t’i mposhtim sëbashku me popullin e ndershëm.”

Urime për fitoren e Pendarkovskit shprehën përmes rrjeteve sociale, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, komisioneri europian për Zgjerimin Johanes Hahn dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Tv Klan