AMF: Janar-Maj 2021, ky produkt pësoi rënie me 20% në tregun e sigurimeve

Shqiptarët po I kushtojnë gjithnjë e më pak rëndësi sigurimit të shëndetit gjatë 2021 sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Nga Janari deri në Maj Polica e Sigurimit të Shëndetit ka rënë me 20%, krahasuar me 2020. Shqiptarët e blejnë këtë Policë vetëm në rastet kur udhëtojnë jashtë vendit, si kusht për të kaluar kufirin.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për pesë muajt e parë të vitit 2021, Polica e Sigurimit të Shëndetit në udhëtime ka pësuar rënie me pothuajse 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020. Primet bruto për këtë produkt kishin vlerën e 47.5 milionë lekëve ose rreth 390 mijë eurove.

Polica e Sigurimit të Shëndetit në udhëtim mbulon shpenzimet emergjente mjekësore dhe shpenzimet e nevojshme të riatdhesimit, deri në vlerën maksimale të shpenzimeve të përcaktuara në formularin përkatës.

AMF ndër të tjera thekson se si pjesa dërrmuese e produkteve të sigurimit, blerja e tyre mbi baza vullnetare është shumë e ulët. Kjo policë sigurimi, në shumicën e rasteve blihet nga shqiptarët sepse është një dokument që kërkohet në kufi nga autoritetet e vendeve pritëse.

Po ashtu të dhënat e INSTAT tregojnë se daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit kanë pësuar rritje këtë vit, pas zbutjes së masave kufizuese nga pandemia. Për periudhën Janar-Maj 2021, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit arritën në 1.33 milionë, në rritje me rreth 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020. Por, pavarësisht nga kjo primet nga sigurimi i shëndetit në udhëtim mbeten në rënie, kjo mund të lidhet edhe me strukturën e destinacioneve drejt të cilave kanë udhëtuar shqiptarët.

Në kushtet kur disa vende të BE-së kanë ende kufizime në lëvizjet ndërkufitare të njerëzve, një pjesë e madhe e lëvizjes së shqiptarëve ka qenë drejt vendeve fqinje, ku polica e sigurimit të shëndetit nuk kërkohet.

Klan News