Tur-operatorët: Frika e rivendosjes së masave ka pezulluar rezervimet në Vjeshtë

Pas një viti pandemie, Greqia mbetet vendi më i preferuar për shqiptarët për pushimet verore. Sipas tur-operatorëve, pas heqjes së kufizimeve për lëvizjen e shqiptarëve, deri tani Greqia ka pritur më shumë pushues nga Shqipëria.

“Janë pothuasje të njëjta destinacione për pushime që kanë qenë edhe vitet e kaluara. Lëvizjet drejt Turqisë, Greqisë, Malit të Zi më shumë se çdo vit tjetër, drejt Egjiptit dhe Dubait këtë vit. Nëse flasim për numër turistësh Greqia është vendi që pret më shumë pushues nga Shqipëria. Turqia grumbullon me shumë të ardhura, rritjen më të madhe të lëvizjes së shqiptarëve është Mali i Zi ka pritur më shumë turistë këtë vit”.

Interesim në rritje ka edhe nga turistët e huaj drejt Shqipërisë.

“Lëvizjet më të mëdha janë nga Ukraina, Polonia dhe Rusia nga vendet e tjera janë më të vogla shifrat”.

Përhapja e variantit delta dhe frika rivendosjes së masave kufizuese ka bërë që shumë rezervime për në  Vjeshtë të pezullohen.

“Pavarësisht shifrave të mira që kishim dhe vazhdojmë të kemi akoma, pandemia është ekzistente. Frika për rikthim të masave shtrënguese vijon të jetë ende dhe kjo bën që të mos ketë rezervime nga shqiptarët dhe të huajt për në vjeshtë.  Shume operatorë kanë pezulluar rezervime drejt Shqipërisë në Vjeshtë nga frika e një lockdown të ri”.

Deri tani pothuasje të gjitha vendet e Europës kanë hapur kufijtë për lëvizjen e shqiptarëve me vaksinë, apo test PCR. Italia është i vetmi vend ku Shqiptarët nuk mund të lëvizin pa një arsye thelbësore si dhe duhet të bëjnë karantinë kur futen në Itali.

Tv Klan