Kamberi: Na konsiderojnë element të huaj

Një ftesë e Presidentit Aleksandar Vuçiç, kishte entuziazmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës që nëse futeshin në qeverinë e re, pretendonin të kishin një Ministri. Por, pas këtij takimi, ata nuk u ftuan më në kryeqytetin serb për të diskutuar për një mundësi bashkëpunimi. 

Shaip Kamberi, deputet në Parlamentin serb, thotë se tashmë nuk kanë shpresa që një gjë e tillë mund të ndodh dhe nuk presin shumë ndryshim nga qeveria e re me figurat e vjetra. 

 Kyeministrja Ana Brnabiç, ka ftuar disa parti serbe për konsulta, shefin e socialistëve dhe diplomacisë, Ivica Daçiç dhe një parti të re që ka marrë gati 4 përqind. Serbia do të ketë një opozitë kryesisht të përbërë vetëm nga pakicat. 

Analisti Dragan Popoviç, nuk pret që kjo qeverisje të ketë ndryshime nga politikat e Serbisë. Thotë se në qeveri nuk ka vend për shqiptarët pasi politika e përgjithshme është autoritare.   

“Shqiptarët në qeveri do të ishin vetëm një truk marketing për Vuçiç. Ai ka Kryeministren të komunitetit LGBT dhe gjysmë kroate, ministra boshnjakë dhe të gjitha këto nuk kanë sjellë asnjë progres për këto komunitete. Nuk ka bazë të thuhet se pjesëmarrja  do të sjellte ndryshim për shqiptarët në Serbi”.

Serbia ka mbajtur zgjedhjet më 21 Qershor ku shqiptarët fituan tre deputetë. Presidenti Vuçiç ia ka dhënë edhe një mandat Kryeministres aktuale, por duke çuar në limitet ligjore formimin e qeverisë.   

Tv Klan