Duke filluar nga data 4 Maj, do të nisin riatdhesimet për qytetarët shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit.

Ministrja e Transporteve Belinda Balluku ka sqaruar se fluturimet për riatdhesimet do të kryhen nga kompania “AirAlbania”. Qytetarët duhet të rezervojnë biletën në faqen online të kësaj kompanie dhe të deklarojnë saktë adresën e banimit ku do të qëndrojnë pas kthimit në Shqipëri.

Qytetarët e riatdhesuar do të ndahen në dy kategori. Sipas ministres, kategorizimi do të bëhet në aeroportin “Nënë Tereza”.

Konkretisht, do të ketë ndarje për ata qytetarë të riatdhesuar që banojnë në qytetet e konsideruara si “zona të gjelbërta” dhe “zona të kuqe”.

Qytetarët e zonave të gjelbërta do të karantinohen në hotelet e përcaktuara nga qeveria duke paguar 7 Euro në ditë, ndërsa qytetarët e zonave të kuqe do të karantinohen në banesë së bashku me të gjithë familjen për 14 ditë. Këta të fundit, për të mos kushtëzuar familjen, mund të zgjedhin të karantinohen në hotel, por këtë duhet ta deklarojnë në momentin e rezervimit të biletës.

“Udhëtarët e riatdhesuar do të ndahen në dy grupe në aeroport. Banorët e zonave të gjelbërta do të dërgohen me autobusët e vënë në dispozicion në strukturat karantinuese. Ata, ashtu si dhe në rastet e mëparshme, do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore prej 7 Euro në ditë. Ndërsa shuma prej 14 Eurosh që korrenspondon me akomodimin dhe shërbimet, do të mbulohet nga shteti shqiptar. Banorët e zonave të kuqe do të udhëtojnë drejt banesave të tyre për t’u vetëkarantinuar, së bashku me të gjithë familjen për 14 ditët e ardhshme. Në rast se dikush nga banorët e zonave të kuqe dëshiron të karantinohet në hotel për të mos penguar vazhdimësinë me kushtet e lehtësuara tashmë për familjen e tij, mjafton ta deklarojë këtë në formularin që do të plotësojë në avion ose gjatë procesit të rezervimit të biletës”, deklaroi ministrja Belinda Balluku. /tvklan.al