Të dhënat e para: 37% kanë ikur, më të shumtët jetojnë në Itali dhe Greqi

Shqipëria është vendi që ka numrin më të madh të popullsisë në emigracion në krahasim me popullsinë brenda kufijve të shtetit, duke e bërë vendin më të veçantë nga kjo pikëpamje në Europë dhe më gjerë. Sipas të dhënave të Eurostat, për vitin 2020 llogaritet se numri i emigrantëve shqiptarë është 1.684.135 shtetas jashtë vendit ose rreth 37% të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Instituti i Statistikave Shqiptare ka publikuar për herë të parë shifrat e diasporës shqiptare në vendet e tjera, ku vërehet se gjatë 8 viteve të fundit, rezultojnë të jenë larguar nga vendi 360 mijë banorë, afro 12.4% e popullsisë që rezulton nga Censi i vitit 2011.

Përllogaritjet e diasporës tregojnë se ajo përfshin një popullsi relativisht të re. Grupmosha (0-14 vjeç) është rreth 19 %; pjesën kryesore e zë grupmosha (15-64vjeç),me rreth 76 % dhe ajo mbi 65 vjeç, afërsisht 5 %.

Tre diasporat më të mëdha shqiptare janë në Itali, Greqi dhe Shtetet e Bashkuara. Në SHBA rezultojnë se janë 214.300 shqiptarë. Vendet europiane që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar veç Greqisë dhe Italisë, janë Gjermani, Britani e Madhe, Belgjika dhe Franca.

Numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani po rritet me një normë vjetore prej rreth 35 %, duke e kthyer këtë vend si destinacionin kryesor të tyre. Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani,në numrin e përgjithshëm, të katërfishohet nga 1,3 % në 4,2 % për vitin e kaluar.

Ndërsa numri i emigrantëve në Greqi po ulet ndjeshëm, Italia ka një numër pothuajse konstant me 120 mijë. Shumica e emigrantëve rezultojnë të jenë meshkuj, të dominuar nga moshat e reja: 15 deri në 49 vjeç, të cilët përbëjnë 64% të totalit të emigrantëve shqiptarë.

Klan Plus