Një 42-vjeçar në qytetin grek të Rafina është dhunuar për vdekje nga 4 shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Mediat greke shkruajnë se viktima, i quajtur Dimitris Skordas, ishte në lokal së bashku me të dashurën e tij.

Në një moment ai u ngrit nga tavolina dhe shkoi në tualet. Në këtë kohë, siç raporton shtypi grek, në lokal kanë qenë edhe 4 shqiptarë, të cilët ngacmuan të dashurën e 42-vjeçarit. Kur ky i fundit u kthye në tavolinë, e dashura i tregoi çfarë kishte ndodhur dhe kërkoi sqarime nga shqiptarët.

Por këta të fundit e nxorrën jashtë lokalit dhe e dhunuan duke e goditur me hekur e sende të forta. 42-vjeçari pësoi dëmtime të rënda në kokë dhe në trup. Ai u dërgua në spital i plagosur, por ndërroi jetë pak orë më vonë.

Por ekziston edhe një variant tjetër për ngjarjen. Media greke “Zougla” ka kontaktuar me miqtë e viktimës, të cilët kanë thënë se Dimitri ka qenë i ulur në lokal me një shoqe, e cila ishte larguar 30 minuta përpara se të niste sherri. Pak më vonë 42-vjeçari shkoi në tualet dhe aty ra në kontakt me një person që ishte pjesë e shoqërisë së shqiptarëve. Sipas dëshmive, ata shkëmbyen disa biseda dhe asgjë nuk ndodhi për momentin. Kur pagoi dhe u bë gati të largohej nga lokali, njëri prej shqiptarëve i kërkoi 42-vjeçarit të dilnin jashtë për t’u sqaruar. Aty e prisnin edhe 4 shqiptarë të tjerë.

Dhe mes tyre nisi sherri, ku 42-vjeçari u dhunua barbarisht. Edhe menaxheri i lokalit ku ndodhi ngjarja ka konfirmuar dimanikën. Tashmë policia greke ka nisur hetimet për kapjen e autorëve të vrasjes së 42-vjeçarit. /tvklan.al