Shkak dyshohet prishja e pazareve të kokainës

Ky është Adriatik Tresa, 45-vjeçari shqiptar që u ekzekutua në Guayaquil të Ekuadorit. Ai jetonte në një vilë dhe rreth banesës kishte roje, por 7 persona të maskuar si policë u futën në vilën e tij, pasi thanë se kishin urdhër kontrolli nga gjykata.

Këto janë momentet kur rojet hapin portën dhe policët e rremë shkojnë tek banesa e shqiptarit për ta ekzekutuar.

Mediat në Guayaquil kanë ndërtuar edhe skemën e vrasjes, ku një person me një pushkë të rëndë e qëlloi 6 herë Adriatik Tresën.

Zyrtarët e Policisë në Ekuador thanë se shkak i vrasjes dyshohen prishja e pazareve për kokainën.

Ata thanë se Adriatik Tresa ishte ndaluar në vitin 2013 si i dyshuar për vrasjen e një gazetari në Guayaquil, por edhe ishte i skeduar si pjesë e karteleve të drogës.

Adriatik Tresa ishte i martuar në Ekuador dhe jetonte prej vitesh aty, ku kishte marrë edhe leje qëndrimi.

Ky nuk është rasti i parë i vrasjes së shqiptarëve në Ekuador për shkak të konflikteve të drogës.

Në vitin 2017 u vra Ilir Hidri nga Vora, një vit më vonë u ekzekutua Adriatik Llagji nga Borshi dhe Fadil Kaçaniq. Po në vitin 2018 një tjetër shqiptar që lëvizte me makinë të blinduar iu bë atentat po në qytetin e Guayaquil.

Tv Klan