Elton Sefa, shqiptari i cili vrau përgjegjësin e punës në Britaninë e Madhe është dënuar me burgim të përjetshëm. I riu nga Durrësi vrau në vitin 2018 John Woodward.

47-vjeçari ishte viktimë e një sulmi brutal nga duart e punëtorit që ai kishte marrë përsipër ta ndihmonte dhe ta mbështeste. Ai u gjet nga kolegët me plagë në kokë të shkaktuara nga goditjet me thikë dhe sende të forta. Dënimi për vrasësin e tij 24-vjeçar u dha të enjten.

Familja e Elton Sefës kishte paguar 10 mijë Paund për ta dërguar në Britaninë e Madhe për të gjetur punë 7 muaj para ngjarjes së rëndë. I riu kishte shkuar me identitet italian të vjedhur në mënyrë që të fitonte punë në ndërtim.

Njerëzit i thërrisnin Frankie ose Franco, emër fals ky i përdorur nga Sefa. Por për pak kohë në punë, u bë e qartë që 24-vjeçari kishte pak ose aspak aftësi të mira në punë dhe si rrjedhojë mbahej thjesht si punëtor.

Pavarësisht mangësive që kishte si punëtor, Woodward kishte qenë mbështetës ndaj Sefës. Kolegët e tyre kanë thënë se kanë pasur një marrëdhënie të mirë pune në 3 vende të ndryshme ku kishin qenë bashkë.

Por më 17 Prill do të ndodhte ngjarja që do t’i shkatërronte të gjitha. Sefa vrau përgjegjësin e punës dhe kjo është faktuar nëpërmjet kamerave të sigurisë. Ai e ka goditur fillimisht me thikë në qafë, por pa i shkaktuar vdekjen. Ajo që i ka marrë jetën britanikut ka qenë goditja në kokë me një shtizë hekuri.

Pas kësaj shqiptari mori avionin për Holandë ku shkoi në Amsterdam dhe nga këtu në Shqipëri. Ai u fsheh në Shqipëri, në fshatin e tij në Durrës, por u arrestua në 28 Shkurt të 2019. Janarin e kaluar ai ekstradua në Britani.

Sefa ka thënë se nuk e kujton incidentin dhe nuk është mbajtur si dëshmitar në gjyqin ndaj tij. Pra ai nuk ka shprehur asnjë motiv se pse e kreu vrasjen. Sefa u dënua me burgim të përjetshëm, me të drejtë për të kërkuar lehtësim të dënimit pas 22 vitesh./tvklan.al