Vrasja e 22-vjeçarit shqiptar Gjergj Gjoni rreth 3 vite më parë nga një i moshuar italian, është rikthyer në media. Çështja hetimore ndaj autorit të këtij krimi është mbyllur nga drejtësia, por për babain e të riut, ende jo. Drejtuesit e emisionin “Le Iene” vizituan familjen e viktimës në Fushë Arrëz. Mark Gjoni shprehet se pret që ta vrasë sipas Kanunit të moshuarin italian që i mori jetën të birit.

“Ai mos të flejë gjumë. Çështjen e ka mbyllur me shtetin, por me mua, me nënën e dy çunat nuk e ka mbyllur. Deri kur të ekzistojë si racë. Unë kërkoj me insistim me e vra”.

Në bazë të provave shkencore, prokurorët italianë arritën në përfundimin se italiani 65-vjeçar Françesko Siçinjano e qëlloi për vdekje Gjergjin natën e 18 Tetorit 2015, pasi kishte hyrë nga dritarja e kuzhinës së katit të tretë të shtëpisë së tij për të vjedhur. Ndërsa Mark Gjoni nuk e beson këtë variant.

“Françesko ka para shumë. Ka kompromentuar policinë, ekspertizën dhe ka dalë kështu si thua ti”.

Ai shprehet se italiani i kishte borxhe Gjergjit, nuk i kishte shlyer paratë e punës që i kishte bërë. Natën e 18 Tetorit 2015, i biri nuk i kishte hyrë në shtëpi italianit, por Siçinjano e kishte qëlluar nga ballkoni. Marku thotë se nuk e fal italianin, i cili për “Le Iene” thotë se armën e shkrepi në tension e sipër. Siçinjano thotë se jeton me frikë ndërsa shpreh pendesën për krimin.

“Në nivel psikologjik je i rrënuar. Je i burgosur i mendjes tënde. Nëse do të mund të kthehesha pas dhe ta zhbëja këtë ngjarje do të isha më i lumturi në botë”.

Françesko Siçinjano, sot 65-vjeç kërkon të vijë në Shqipëri për ta zgjidhur paqësisht këtë ngjarje me familjen Gjoni.

Tv Klan