36-vjeçari shqiptar që u vra mbrëmjen e së enjtes në Pisa të Italisë ishte person me precedent penal. Mediat italiane raportojnë se shqiptari, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, u qëllua nga dy persona.

Ai ishte pasagjer në një makinë që po qarkullonte me shpejtësi të ulët në fshatin Sasso Pisanos në zonën e Castelnuevo.

Dy persona me motor iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij brenda makinës duke e lënë të vdekur në vend. Shoferi i makinës ku po udhëtonte 36-vjeçari mundi të shpëtonte. Ai doli nga mjeti dhe pas të shtënave kërkoi ndihmë duke lajmëruar policinë dhe ambulancën. Por mjekët që shkuan në vendngjarje nuk mundën të bënin asgjë, përveç se të konstatonin vdekjen e 36-vjeçarit shqiptar.

Ky i fundit, siç shkruajnë mediat italiane, ishte një person i njohur për autoritetet. Ai ka patur precedent të mëparshëm penal në disa fusha, ku ndër të tjera përmenden krimet në botën e prostitucionit.

Policia italiane po mundohet të analizojë kamerat e sigurisë që ndodheshin në atë zonë në përpjekje për të ndërtuar dinamikën e krimit si dhe për të identifikuar autorët e vrasjes. E shkuara e errët e shqiptarit është pista ku janë fokusuar hetuesit, por nuk përjashtohet as ndonjë konflikt i çastit. /tvklan.al