Prokurorët italianë janë duke hetuar rastin e vrasjes së 27-vjeçarit shqiptar Serxhio Veizi, i cili u gjet i vdekur më 27 Gusht brenda makinës së tij. Viktima kishte një plagë plumbi në kokë që i kishte shkaktuar vdekjen. Autoritetet po hetojnë më së shumti në pistën e vetëvrasjes, por nuk kanë përjashtuar as mundësinë e vrasjes.

Mediat italiane raportojnë se hetime po kryhen edhe për personin që gjeti të vrarë brenda makinës 27-vjeçarin, i cili më pas njoftoi policinë. Ky person është një 43-vjeçar nga Matino me precedent penal, i skeduar për krime të vogla, si vjedhje. Ai u shoqërua në polici dhe iu nënshtrua testeve për prani të mundshme të barutit në duar dhe rroba. 43-vjeçari tregoi se doli nga makina e tij dhe telefonoi autoritetet: “Ejani shpejt, këtu është një person i vdekur”. Avokati i tij sqaroi se 40-vjeçari bëri detyrën e tij si qytetar kur njoftoi policinë dhe nuk është person nën hetim.

Ndërkohë, po kryhen testet për të provuar nëse Serxhio Veizi ka gjurmë baruti në duar. Këto rezultate do të krahasohen më pas me provat balistike të pistoletës që u gjet në makinë pranë trupit të pajetë të shqiptarit. Nëse këto të dhëna përputhen, do të jenë një provë e fortë për pistën e vetëvrasjes.

27-vjeçari Serxhio Veizi jetonte në Bari dhe punonte në një kompani pastrimi. Ai mbante veshur rrobat e punës kur u gjet i vrarë. Prokurorët italianë kanë dyshime edhe për pistën e vetëvrasjes. Nëse do të merret e mirëqenë, hetuesit ngrenë pyetjen cilat janë motivet që shqiptari kreu aktin ekstrem dhe përse nuk e realizoi qitjen në banesën e tij, por brenda makinës së ndaluar në aksin rrugor Casarano-Ugento. Hetimet janë duke vazhduar, ndërkohë që priten edhe rezultatet e autopsisë. /tvklan.al