Një 48-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur lehtë pasi u sulmua me armë nga ish-kunati i tij. Ngjarja ka ndodhur sot në Trecate të Italisë. Sipas mediave italiane, shqiptari po ecte në rrugë kur ish-kunati iu afrua dhe nisi ta qëllonte me armë.

Në përpjekje për t’u mbrojtur, 48-vjeçari u strehua në një derë, por mbeti i lënduar lehtë nga disa xhama që u thyen si pasojë e të shtënave me armë. Në vendngjarje, grupi hetimor gjeti dy gëzhoja. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, mori mjekim në spital dhe më pas u largua.

Ai u pyet nga policia për ngjarjen dhe dëshmoi se kush ishte personi që qëlloi me armë në drejtim të tij. Policia shkoi në banesën e ish-kunatit të shqiptarit dhe arrestoi autorin e dyshuar, një 38-vjeçar. Aktualisht ky i fundit mbahet në paraburgim, por nuk është specifikuar ende akuza ndaj tij. Shtypi italian raporton se ngjarja ndodhi për shkak të një konflikti të hershëm mes të dyve.

/tvklan.al