Vëllai i modeles së njohur u vra përpara syve të gruas dhe fëmijës

Një shqiptar në Angli është ekzekutuar me armë mbrëmjen e Krishtlindjes. BBC raporton se viktima është Flamur Beqiri, i njohur edhe si Alex, një shqiptar i Kosovës.

Ai u qëllua për vdekje përpara syve të gruas dhe fëmijës së tyre teksa po kthehej në shtëpinë e tij në Battersea të Londrës në Britani të Madhe. 36-vjeçari është vëllai i Misse Beqirit, një modele e njohur në Angli.

Fqinjët kanë thënë për mediat britanike se dëgjuan disa të shtëna me armë dhe më pas u dëgjuan të bërtiturat e një gruaje që kërkonte ndihmë.

60-vjeçarja Vittoria Amati, banore e lagjes, u tha hetuesve se kishte dëgjuar 8-10 të shtëna.

Pastaj dëgjova ulërimat e gruas së tij. Dola dhe pashë se ishte një nga fqinjët e mi. Ai ishte shtrirë përpara derës së shtëpisë i mbuluar nga gjaku”, tha 60-vjeçarja, duke shtuar se një grua tjetër që u prezantua si infermiere tentoi të ndihmonte Alex Beqirin duke ushtruar presion mbi plagët e tij. Për fat të keq, 36-vjeçari me origjinë shqiptare nuk mundi të mbijetonte.

Deri në këto momente, për hetuesit nuk ka ende asnjë pistë konkrete për këtë vrasje. Por policia thotë se vrasësi u largua në këmbë.

Alex Beqiri ka kombësi suedeze dhe është pronar i një shtëpie diskografike që ka zyra në Londër dhe Stokholm.

36-vjeçari u martua vitin e kaluar me Debora Krasniqin në një dasmë madhëshorte. /tvklan.al