Një krim brutal ka zënë faqet e para të mediave gjermane ditët e fundit, jo vetëm për shkak të shkallës së dhunës, por pasi raportohet të ketë ndodhur në ambiente publike dhe në mes të ditës.

Protagonist është një 24-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ka përdhunuar një vajzë të re në Hanover. Sipas gjermanes Bild.de, i riu identiteti i të cilit nuk është bërë publik, trokiti në derën e apartamentit të vajzës mëngjesin e enjtes dhe pasi ajo e hapi dhe bëri disa hapa drejt korridorit ai e tërhoqi zvarrë në shkallët e bodrumit të ndërtesës dhe e sulmoi seksualisht.

Në panik dhe gjendje shoku, vajza arriti që të largohej dhe doli në rrugë. Por 24-vjeçari e ndoqi dhe e sulmoi sërish seksualisht në ambientet e një shkolle aty pranë.

Vetëm në këtë moment mësohet se dy persona njoftuan policinë, e cila me të mbërritur në vendngjarje, arrestoi shqiptarin. Vajza, sipas mediave gjermane, e njihte 24-vjeçarin, megjithatë nuk jepen detaje rreth marrëdhënies së tyre. Mosha dhe identiteti i të resë nuk janë bërë të ditura për arsye sigurie.

/tvklan.al