Ishte pjesë e një bande që trafikonte vajza drejt Italisë. Vijojnë kërkimet për tre shqiptarë që i shpëtuan policisë

Një 25-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka rënë në prangat e policisë italiane, sapo ka zbritur në aeroportin e Torinos.

Ai ishte nën “radarin” e policisë së Astit pasi dyshohet se ishte pjesë e një bande që trafikonin dhjetëra femra, duke i prostituuar në Itali.

Sipas mediave italiane, femrat dyshohet se ishin me origjinë shqiptare dhe pasi dërgoheshin në Itali, banda e trafikantëve shqiptarë, i nxirrnin në rrugët e Torinos.

Hetimet për këtë bandë kishin nisur prej vitit 2016, nën një operacion të koduar “Gjenerata e re”, ku rezultoi se ishin 11 shqiptarë, të cilët ushtronin veprimtari kriminale, duke shfrytëzuar vajza të reja për prostitucion, të cilat i çonin nga Shqipëria drejt Astit.

Kërkimet vazhdojnë ende për tre shqiptarë të tjerë, të cilët mundën t’i shpëtojnë ndjekjes së policisë në korrik të 2018./tvklan.al