Zamir Qamo tregoi për emisionin “Stop” në Tv Klan, se prej vitit 2001 jeton në Irlandë. Kur aplikoi për kartë identiteti dhe pasaportë, i vjen një njoftim nga ambasada, se ky aplikim është bllokuar, pasi një person tjetër ekziston me identitetin e tij.

Zamiri thotë, se prej vitit 2017 e ka raportuar problemin e tij në Drejtorinë e Gjendjes Civile në Shqipëri dhe kjo gjë është raportuar edhe nga ambasada. Ka tre vjet që nuk merr një zgjidhje dhe pa dokumentet e identifikimit, nuk mund të bëjë asgjë.

Zamir Qamo: Quhem Zamir Qamo dhe jam banues në Republikën e Irlandës që prej vitit 2001. Në 2017-ën u interesova për të aplikuar për kartën e identitetit dhe pasaportën time në Konsullatën e Ambasadës së Londrës, këtu në Dublin. Aplikimi ishte transparent. Pagesa u krye online. Prodhimi i kartës së identitetit dhe pasaportës u bllokua nga kompania, që prodhon këto, sepse dikush tjetër ekziston në gjendjen civile. Identiteti im në Republikën e Shqipërisë është në përdorim të një personi tjetër, që prej vitit 2011. Këtë e ka në dije Ambasada e Londrës dhe është raportuar në Ministrinë e Brendshme. Po është raportuar dhe nga mua vetë. Në të njëjtën kohë identitete të falsifikuara kanë ndodhur dhe nga këta jam edhe unë. Duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, nga gjykatat aty, nga prokuroria, kudo si në Tiranë dhe në qarkun e Vlorës, janë reaguar shumë indiferente.

Çfarë përgjigje ke marrë në komunikimin që ke pasur me Drejtorinë e Gjendjes Civile?

Zamir Qamo: Një përgjigje u kthye nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme. Thjesht më dërgoi mua emailin, përgjigjen, që i kishte kthyer punonjëses së tij. Thjesht mesazhi thoshte “Eda trajtoje këtë rast si qytetar”. Edhe kaq. Nuk kishte më tej akoma. Kanë kaluar tre vjet, që nuk është marrë asnjë lloj vendimi. Nuk marr dot patentë tjetër pa identitetin tim tamam. Unë vërtetë jam viktimë e një krimi, sepse kjo është me të vërtetë vjedhje identiteti.

“Stop” iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe premtuan zgjidhjen e këtij problemi. Qamo u kontaktua 5 minuta pasi gazetarja e “Stop” u lidh me drejtorinë e Gjendjes Civile. Me e-mail Zamirit iu komunikua zgjidhja e shqetësimit të tij.

Zamir Qamo: Alo! Përshëndetje!

Nga komunikimi që më bëjnë nga Drejtoria e Gjendjes Civile më thonë se ju keni një email që iu është thënë e jeni i lirë të aplikoni për pasaportë. A keni patur ndonjë lajmërim nga kjo drejtori apo institucion tjetër sa i përket aplikimit tuaj për pasaportë.

Zamir Qamo: Asnjë email nga ata! Pasi shkuat juve duke folur me ta, më morën në telefon dhe më thanë “Pse e ke bërë publike?” dhe pas 5 minutash më thanë shikoni email-in, ja ku e keni kodin.

Morët një zgjidhje pasi shkuam aty?

Zamir Qamo: Po! Nuk di, se si t’ju falenderoj, sepse po të mos ishit juve, nuk do ta kisha marrë atë zgjidhje. Shumë, shumë faleminderit! Nuk di, se si t’ju falenderoj!/tvklan.al