Partia e Dritan Abazoviç siguroi 4 deputetë

Ky është Dritan Abazoviç, shqiptari që tashmë ka në dorë orientimin që do të marrë Mali i Zi pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës. 34-vjeçari drejton partinë URA, që me koalicionin “E zeza në të bardhë” në këto zgjedhje u rendit në vend të katërt, duke siguruar 4 deputetë.

4 votat e partisë së tij janë vendimtare për krijimin e qeverisë së re, pasi koalicionet e mëdha, ai pro-perëndimor i Milo Gjukanoviçit dhe filo-serbi i Zdravko Krivokapiçit nuk i arritën të 41 vendet e nevojshme për formimin e qeverisë.

Vetë Abazoviç e ka të qartë rolin përcaktues që ka se nga cili krahë do të anojë barra e pushtetit këtë herë. Ndryshe nga shumica e shqiptarëve apo pjesëtarët e pakicave të tjera të Malit të Zi, ai është themelues dhe drejtues i një partie që nuk tërheq elektorat mbi kufij etnikë. Partia URA e krijuar 4 vite më parë bazohet tek vlerat europiane pro-perëndimore dhe tek parimet e të gjelbërve europianë.

Pjesë të saj ka pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike, përfshirë malazezët, serbët e boshnjakët. Por kushti i Abazoviçit është që qeveria e ardhshme të përbëhet nga ministra ekspertë dhe të mos ketë devijim nga drejtimi europian. Megjithatë, partia Ura nuk është shumë pranë Gjukanoviçit pasi është e përbërë nga figura të larguara nga Demokratët Socialistë me kalimin e viteve.

I lindur në një familje shqiptare në Ulqin, ku edhe ka kryer ciklin e ulët dhe të mesëm të arsimit, Dritan Abazoviç është diplomuar për shkenca politike në Universitetin e Sarajevës dhe i specializuar për studime mbi Paqen Zhvillimin profesional në Oslo.

Tv Klan