32-vjeçari shqiptar që mbeti i plagosur me armë dy ditë më parë në Athinë, ka mohuar që djali i një biznesmeni të njohur grek të jetë autori që e qëlloi me pistoletë.

Mediat greke kanë zbardhur dëshminë e shqiptarit me iniciale M.R. që ka dhënë përpara grupit hetimor.

Sipas tij, 35-vjeçari grek, djali i një pronari anijesh në Athinë, nuk është personi me të cilin u konfliktua.

“Personat me të cilët u konfliktova, i kam goditur gjatë përpjekjeve për t’u vetëmbrojtur. Personat që po më tregoni nuk janë autorët e sulmit kundër meje”, është shprehur 32-vjeçari shqiptar.

Ky i fundit u godit me sende të forta dhe një përforcues grushti nga dy persona në lagjen Peristeri të Athinës pasditen e së martës. Më pas njëri prej tyre, e qëlloi me pistoletë në këmbë, duke e lënë të plagosur jashtë rrezikut.

Për këtë ngjarje, policia greke arrestoi Janis Leventakis, djali i një pronari anijesh. Personi i dytë, është nipi i biznesmenit. Duke folur për shtypin grek një ditë më parë, pronari i anijeve tha se djali i tij ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar, duke mohuar që të ketë qenë i përfshirë.

Rasti është ende nën hetim nga policia. Sipas mediave greke, ngjarja mund të tentohet të manipulohet, ndërsa hetuesit kanë prova ndaj dy të arrestuarve. Autorët, pasi plagosën shqiptarin, u larguan me një makinë BMW. Djali i biznesmenit ka një makinë të tillë, por alibia e tij është se ka qenë në pikën e shitjes së automjeteve, vendin ku ndodhi ngjarja, pasi do të linte mjetin e tij BMW për të blerë një makinë tjetër Mercedes. Policia u informua nga një dëshmitar për ngjarjen që ndodhi, i cili i dha përshkrime për makinën e autorëve me të cilën u larguan.

Po kështu, për një çantë me para që ju sekuestrua, djali i biznesmenit ka thënë se ishte pagesa për makinën e re. Djalit të biznesmenit iu sekuestrua gjithashtu edhe një leje për mbajtjen e armëve të zjarrit, si dhe një përforcues metalik grushti. Ndërsa arma nuk është gjetur. Ka dyshime që në ngjarje të jetë i përfshirë edhe një person i tretë.

Megjithatë, hetuesit presin përgjigjet e ekspertizës për të mësuar nëse dy të arrestuarve do t’u gjenden gjurmë baruti në duar, çka do të konfirmonte nëse kanë qëlluar me armë. Për momentin ata mbahen të arrestuar dhe do të dalin para gjykatës ditën e premte. /tvklan.al