Një 48-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane si i dyshuar për vrasjen e fqinjës së tij. Mediat italiane raportojnë se shqiptari, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, ka goditur me sëpatë dy herë një 63-vjeçare italiane duke e lënë atë të vdekur në vend.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të premtes në fshatin Roverto, teksa viktima e identifikuar me emrin Mara Fait ishte në prani të familjarëve të saj.
E ndjera më herët kishte ushtruar profesionin e infermieres dhe po shëtiste poshtë banesës me nënën e saj të moshuar dhe djalin, kur u sulmua. Menjëherë pas ngjarjes shqiptari është vetëdorëzuar në polici dhe ka rrëfyer për krimin e rëndë.
Sipas raportimeve të mediave italiane shkak për vrasjen është bërë një konflikt i nisur disa kohë më parë dhe që kishte vazhduar.
Më herët, viktima mësohet se ka denoncuar shqiptarin në Polici për sjellje të dhunshme dhe ofendime që kishte bërë ndaj saj.
Tv Klan