Mediat në Angli kanë nxjerrë të tjera detaje për shqiptarin Mane Driza, i cili po gjykohet për vrasjen e shokut të tij Stefan Bledar Mone, ngjarje e ndodhur në Britani të Madhe në vitin 1999. Në seancën e radhës gjyqësore ndaj 41-vjeçarit janë bërë publike të tjera detaje nga e shkuara e errët e Mane Drizës.

Shqiptari, i cili njihet edhe me epitetin “Tony Montana” dhe me emrin e dytë Sokol Drenova, akuzohet edhe për vrasjen e 4 personave të tjerë. Më 11 Prill të vitit 1997, Mane Driza me babain e tij vrau at e bir Elmaz dhe Lavdosh Kananin në fshatin Bishan të Fierit. Pas vrasjes ai emigroi në Britani të Madhe duke pretenduar se ishte një 17-vjeçar i larguar nga Kosova për shkak të luftës. Në Dhjetor të vitit 2001, një gjykatë shqiptare e dënoi Drizën dhe babain e tij për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Në vitin 1999, kur Mane Driza kishte shkuar në Britani, vrau shokun e tij shqiptar Stefan Bledar Mone, ngjarje që aktualisht është në proces gjyqësor. Pas vrasjes, Driza u arratis në Itali ku u zbulua në vitin 2000 nga autoritetet britanike. Gjatë qëndrimit në shtetit italian, ai vrau dy persona të tjerë dhe tentoi të vriste një të tretë.

Më 20 Dhjetor 1999, në Siçili ai vrau shqiptarët Artanit Maskaj dhe Albert Blushaj, si dhe tentoi të vriste Lefter Maskaj. Në Qershor 2002 ai u dënua nga gjykata italiane. Ndërsa në 31 Maj të vitit të kaluar, Mane Driza u ekstradua në Britani të Madhe pasi kishte vuajtur dënimin në shtetin italian. Në Angli tashmë po përballet me akuzat për vrasjen e shokut të tij Stefan Mone. Ai ka mohuar këto akuza, por prokuroria pretendon se ai e vrau pasi dyshonte se Mone i kishte vjedhur unazën e martesës.

/tvklan.al