Dhuna e vazhdueshme nga bashkëshorti e ka detyruar një grua shqiptare që të dalë në mes të rrugës për të kërkuar ndihmë. Bëhet fjalë për një familje shqiptare që jetonte në komunën e Cardito, Napoli, ku duket se zënkat dhe dhuna ishin të vazhdueshme.

Sipas mediave italiane, bashkëshortët shqiptarë ishin të martuar prej 10 vjetësh, por kishin jetuar prej shumë kohësh në largësi, pasi burri punonte prej në Itali ndërsa bashkëshortja e tij në Shqipëri. Ata takoheshin disa herë gjatë vitit, kur ai kthehej me pushime, megjithatë kjo nuk e kishte penguar që të ishte i dhunshëm.

Pasi kishin jetuar një periudhë në shtëpinë e motrës së gruas në Gjermani, çifti, që kanë dy vajza të moshës 6 dhe 4 vjeç ishin transferuar së fundmi në Cardito. Por gjatë muajit të fundit, dhuna ishte bërë sistematike, derisa më 26 Janar ajo ishte dhunuar barbarisht me shkelma e grushta.

Megjithatë duket se vetëm ditën e djeshme, ajo gjeti forcën për të denoncuar bashkëshortin. Pasi ky i fundit ishte nisur për në punë, ajo mori përdore dy vajzat e vogla dhe doli në rrugë, duke u kërkuar ndihmë kalimtarëve të rastit. Ishin këta të fundit që njoftuan forcat e rendit.

Karabinierët e Crispano morën denoncimin e gruas me ndihmën e një përkthyesi dhe bashkëshorti i saj tashmë përballet me akuzën e dhunës në familje. Gruaja, identiteti i së cilës nuk bëhet publik, u mor sëbashku me vajzat nën kujdesin e shërbimit social në Cardito.

/tvklan.al