Mjekët: Infektohen nga prindërit. Kujdes me nisjen e shkollës

Shtatori ka sjellë shtimin e të prekurve me koronavirus tek kategori të ndryshme të popullatës, por në mesin e të infektuarve ka dhe fëmijë. Mjekja pediatre Sonila Brati shprehet se të vegjlit kryesisht e marrin virusin nga prindërit.

“Kemi raste me COVID-19. Momentalisht kam 4 fëmijë që janë drejt negativizimit, të evidentuar me tampon para 10 ditësh. Kemi prekje familjare, domethënë prindër që janë me Covid e pastaj fëmijët. Kërkohet t’i bëhet tamponi fëmijëve, edhe vetë prindërit e kërkojnë, ndryshe nga periudhat e vitit të kaluar ku kishte një vështirësi në bërjen e tamponit, prindërit hezitonin që ta bënin, tani e kërkojnë edhe për mosha më të vogla”.

Rastet pozitive me COVID-19 janë më të shpeshta tek moshat deri në 6 vjeç, por nuk mungojnë as nxënësit e shkollave.

“Mund të them që më tepër janë moshat e çerdheve dhe kopshteve. Përgjithësisht kujdesi kërkohet te moshat shkollore për hir të së vërtetës, mosha mbi 8-9 vjeç që iu kërkohet të jenë më të kujdesshëm në mbajtjen e maskës dhe higjienës. Nuk mund t’ia kërkojmë këtë një fëmije 1-2 vjeç, është e pamundur, tha Brati.

Megjithatë gjatë kësaj periudhe po qarkullojnë edhe virozat e stinës, mes tyre si problemet e lëkurës apo ato të rrugëve respiratore.

“Ka edhe viroza të tjera, laringite, probleme të veshit, probleme dermatologjike që në fakt kanë qenë në periudhën e verës për shkak të frekuentimit të plazheve”.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, mjekët u bëjnë apel prindërve që të tregohen më të kujdesshëm me fëmijët pasi do të jenë më të ekspozuar ndaj koronavirusit.

Klan News