Në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Nju-Jork, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte i ftuar në ceremoninë e përurimit, pranë kishës së Shën Athanasit, të shtatores së bamirëses me famë botërore shqiptare, Nënë Tereza, të shpallur Shenjtore nga Papa Françesku pak javë më parë. Kreu i shtetit shqiptar tha ky moment ishte një rast i rrallë për shqiptarët dhe banorët e Bruklin.

nishani 2

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani:

Jam i bindur që të gjithë ju dhe kushdo tjetër që banon në Bruklin, do të frymëzohet dhe marrë shembull nga jeta dhe vepra e kësaj Shenjtoreje shqiptare! Ne kemi fatin e madh si komb që tek kjo grua, e papërsëritshme në llojin e vet, të rridhte gjak shqiptari.

Nishani tha se emri i Shën Terezës bën sot krenar çdo shqiptar.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani:

Ne jemi dhe do të jemi ngaherë krenarë, si shqiptarë, por jo vetëm, sepse e Shenjta Terezë është dhurata më e vyer që vendi im i vogël ia ka bërë njerëzimit, së bashku me traditën e konsoliduar ndër shekuj të shqiptarëve për t’i ofruar ndihmë dhe asistencë kujdo që ka nevojë për to!

nishani 3

Senatori amerikan Martin Golden vlerësoi Presidentin për përkushtimin e tij të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të komunitetit dhe i dorëzoi atij Rezolutën e Senatit të Nju-Jorkut të miratuar edhe nga Guvernatori që e shpall datën 4 Shtator si Ditën e Nënë Terezës në shtetin e Nju-Jorkut. Presidenti vlerësoi punën e Imzot David Cassato dhe Shoqatës “Rrënjët Shqiptare” për ceremoninë e organizuar./ TV KLAN