Në mbrojtjen që po i bën klientes së saj, avokatja e këngëtares Fjolla Morina para gjykatës ka pretenduar se ndonëse ekspertiza e armës së gjetur në çantën e saj nuk ka dalë ende, klientja e saj nuk kishte armë të vërtetë, por një pistoletë zhurmuese dhe një çakmak.

“Kjo lloj pistolete që i është gjetur shtetases Fjolla Morina, Zoraki M-906-T është nuk është pistoletë armë zjarri, por pistoletë që përdoret për të trembur qentë apo kafshët e egra dhe për të dhënë sinjal në rast rreziku pasi bën zhurmë dhe qëllimi i përdorimit është në sport dhe ndryshe është pistoletë zhurmuese, ndërsa tjetra është çakmak”.

Fjolla Morina u paraqit mëngjesin e të marte pranë Gjykatës së Kukësit me pretendimin se është shtatzënë dhe nuk mund të qëndrojë në qeli. Seanca ku do të vendoset nëse ajo do të qëndrojë në burg apo jo, do të zhvillohet në orën 13:00 teksa prokuroria ka kërkuar edhe gjinekologun në seancë për të vërtetuar shtatzëninë e pretenduar të saj.

Këngëtarja u ndalua pak ditë më parë në pikën kufitare të Morinës, teksa drejtonte makinën tip Audi dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, brenda një çante iu gjet një pistoletë.

Policia ka marrë shenjat e gishtave edhe dy djemve që udhëtonin me Fjolla Morinën për të parë nëse ata e kanë prekur pistoletën. Ndaj Morinës organi i akuzës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” dhe një garanci pasurore 5 milion lekë./tvklan.al