Bashkia e Roskovecit ka nxjerrë një plan për krijimin e një shesh-pushimi dhe disa tuneleve për kalimin e këmbësorëve si pasojë e rilindjes urbane. Projekti në fjalë përfshin edhe një godinë tre-katëshe të zotit Mariglen Hazizi. Ai i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi pretendon, se po i bëhet padrejtësi.

Hazizi tregon se zotëron një biznes dhe një shtëpi, të dyja me certifikatë pronësie. Prej 2-vjetësh në bizneset e tij janë punësuar 6 familje. Por në Shtator i ka ardhur një shkresë, që e lajmëron fillimisht se shtëpia i ishte futur në plan për shpronësim e më pas të njëjtin fat pati edhe biznesi. Godinën e tij e kanë vlerësuar me 32 milionë lekë.

“Unë jam Mariglen Hazizi dhe jam banor i këtij qyteti prej 20 vitesh. Kam këtë objekt që e shikoni edhe ju. Ngjitur me objektin kam edhe shtëpinë prej 60 vjetësh. Është me dokumente pronësie, me tokë të blerë. Jam pronar i ligjshëm i tokës dhe i objektit. Në këtë objekt këtu janë të punësuar 6 familje. Në katin e parë është një parukeri dhe një rrobaqepësi. Në dy katet e tjera janë lokale. Në datën 16 Shtator më vjen një shkresë ku thuhej për shpronësimin e objektit. Ngjitur janë disa familje që nuk kanë asnjë lloj dokumenti. Nëse unë nuk kam asnjë dokument jam i ndërgjegjshëm le të prishet. E prish vetë dhe nuk dua asnjë shpronësim. Nëse zotërinjtë ngjitur disponojnë një certifikatë pronësie jam i ndërgjegjshëm dhe objektin do ta shemb vetë dhe lekët nga shpronësimi do i kaloj për bamirësi. Objektin e kanë vlerësuar 32 milionë lekë të vjetra”, tha Hazizi.  

Marigleni është drejtuar në bashki dhe në ministri, por nuk ka mundur të zgjidhë asgjë.

“Kam shkuar te kryetarja e bashkisë dhe ajo thotë ‘ajo që është vendosur është vendosur. Do prishet dhe kaq’. Këtu nuk ka ardhur asnjë verifikues. Kërkoj të më zgjidhet kjo e drejtë sepse kjo është një padrejtësi”, tha Hazizi.

Ngjitur me të është një objekt tjetër, pa dokumente, por mesa duket fadromat do të prishin pronën e tij. Nga ana tjetër, në plan projektin e bashkisë, që ai ka në dorë, godina ekziston. Gazetarja e emisionit u takua me nënkryetarin e bashkisë dhe ai tha se ky plan do zbatohet dhe nuk ka tagër të interpretojë projektin.

Gazetarja: Unë dua të di, në rast se kjo godinë është me dokumente po shpronësohet? Për çfarë kauze? Çfarë të mirë ju sjell qytetarëve ky projekt?

Nënkryetari: Duke qenë se është miratuar nga Kryetari i Republikës, kauza e qytetarëve është projekti për rehabilitimin e qendrës nr. 2 në qytetin e Roskovecit dhe do ju shërbejë qytetarëve të Roskovecit.

Gazetarja: Për çfarë?

Nënkryetari: Për shesh dhe ambiente çlodhëse për të gjithë qytetarët e Roskovecit.

Gazetarja: Për ambiente çlodhëse, ndërkohë…?

Nënkryetari: Dhe pedonale për rehabilitimin e qendrës së qytetit.

Gazetarja: Ndërkohë afër godinës së tij, është një tunel kalues, apo jo? Sepse unë e pashë edhe projektin, që në fillim i përfshinte shtëpinë, pastaj i përfshinte objektin e biznesit dhe në atë godinë biznesi ka 6 familje që ngelen pa punë, ngelen pa bukën e gojës. Kjo është e mirë që ju vjen qytetarëve?

Nënkryetari: Për këta qytetarë ndoshta s’është e mirë, ndërsa për qytetarët e Roskovecit është shumë e mirë.

Nënkryetari: Nuk kam ç’i dua faktet unë, kam një projekt…

Gazetarja: Nuk ke ç’i do faktet?!

Nënkryetari: Kam një projekt të miratuar dhe bëj ekzekutimin.

Gazetarja: Si i miratoni këto projekte ju, kur prek 6 biznese?

Nënkryetari: S’i miratoj unë projektet, nuk i miratoj unë.

Gazetarja: Si mund ta projektosh pra?

Nënkryetari: Të thashë edhe një herë, ka grup projektimi, për të miratuar dhe që është miratuar.

Gazetarja: Që nuk kalon as nga nënkryetari, as nga kryetari, vetëm nga projektuesit apo jo?

Nënkryetari: Vetëm nga projektuesit.

Gazetarja: Cili është roli juaj pra dhe i kryetares në këtë mes?

Nënkryetari: Unë kam rol për shpronësimet në bazë të projektit.

Gazetarja: Si mund të shpronësosh një objekt, që ka dokumente dhe ndërkohë objekti ngjitur është pa dokumente?! Një objekt i tillë, sa i kushton shtetit, ndërkohë që s’ka kosto objekti ngjitur?

Nënkryetari: Kërkohet zbatimi i këtij projekti dhe ekzekutimi i Bashkisë, që jam unë nënkryetar bashkie së bashku me kryetaren dhe të gjithë stafin, shërben për zbatimin dhe ekzekutimin e këtij projekti të miratuar.

Gazetarja: Në këtë planin, që ju tregova…

Nënkryetari: Kaq mund të flasim bashkë, se unë nuk e di, ça ke ti tani.

Gazetarja: Jo, ja pra me fakte, më the mos aludo më. Këtu (në projekt) është godina. Pse do shpronësohet?

Nënkryetari: Më pyete mua për këtë punë dhe unë të thashë pyet projektuesit që e kanë bërë.

Gazetarja: Planimetria e përgjithshme e projektit, është godina.

Nënkryetari: Moj, po ti s’je specialiste tani!

Gazetarja: Unë thjesht shoh nga sytë!

Nënkryetari: Specialiste thashë.

Gazetarja: Po specialiste, por arrij të shoh, që kjo është godina.

Nënkryetari: Duke mos qenë specialiste, nuk je e zonja ta interpretosh projektin. Projektin e zbatojnë dhe e interpretojnë të tjerët.

Gazetarja: Po mirë! Më nxirr një specialist, që të mund të ma interpretojë pak!

Nënkryetari: Mund të shkosh tek Drejtori i Shërbimeve!

Gazetarja: Kjo është përgjigja, që nuk e shpjegon asnjë këtu?

Punonjësi: Gjithsecili ka detyrat e veta.

Gazetarja: Nuk ka një specialist tjetër? Të ma shpjegojë mua dhe ty, meqë nuk jemi specialistë!

Nënkryetari: Jo, unë s’ashtu…

Gazetarja: Po se kështu më the, që s’je specialist.

Nënkryetari: Unë s’jam i interesuar.

Gazetarja: Nuk je i interesuar?!

Nënkryetari: Për atë, që thoni ju, jo!

I njëjti qëndrim erdhi edhe nga kryetarja e bashkisë Majlinda Bufi.

Gazetarja: Bëhet fjalë për projektin e ri që keni ku bëhet fjalë për një godinë biznesi tre-katëshe e cila me dokumente që i takon Mariglen Hazizit.

Kryetarja: Shiko! Ka një komision shpronësimi, ka një procedurë shpronësimi, që po merret me këtë gjë.

Gazetarja: Interesi i publikut dhe interesi i shpronësimit është më i madh për 6 familjet që ngelin pa bukë mendoj unë apo jo?

Kryetarja: E para, për këtë gjë ka një procedurë shpronësimi, e cila fillon nga bashkia dhe përfundon nga ministria. Ka disa hapa dhe ka disa institucione dhe kjo në fund fare, do miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Në qoftë se ata kanë përsëri ankesa mund t’u drejtohen institucioneve të tjera.

Gazetarja: Zotëria e ka me të gjitha dokumentacionet e rregullta, ndërkohë është një tunel aty afër.

Kryetarja: E dashur më dëgjo pak, të lutem!

Gazetarja: Më lër ta mbaroj. Një objekt afër tij është pa dokumente. Sa i kushton shtetit shqiptar dëmshpërblimi?

Kryetarja: O e dashur! Më dëgjo cikë mua!

Gazetarja: Po.

Kryetarja: As unë, as ti nuk jemi specialiste për këtë gjë. Ka specialistë, të cilët e kanë parë projektin dhe gjithçka tjetër dhe kanë përcaktuar rëndësinë e kësaj çështjeje. Nuk mund të përcaktoj as unë si titullare bashkie. Ekspertët, që merren me këtë gjë, komisioni i shpronësimit, kanë vendosur për këtë punë. Për gjithçka tjetër, nëse do më shumë sqarime për këtë gjë, të lutem bëni një kërkesë me shkrim dhe do e merrni të gjithë përgjigjen ashtu siç duhet!

Gazetarja: Më dëgjo pak të lutem. Roli jot cili është këtu?

Kryetarja: Unë jam titullare e bashkisë dhe jam e detyruar të zbatoj ligjin.

Gazetarja: Çfarë roli ke në projekt?

Kryetarja: Jam e detyruar të respektoj ligjin.

Kryetarja e bashkisë mbylli telefoni, ndërkohë që për këtë çështje u shpreh që nëse gazetarët duan gjë duhet të bëjnë kërkesë me shkrim./tvklan.al