Shtëpia e Bardhë publikoi pikat kryesore të bisedës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Presidentin Amerikan, Barack Obama dhe Zëvendësin e tij, Joe Biden.

Në njoftimin për shtyp thuhet se, në takimin e Zëvendëspresidentit Biden me Kryeministrin Rama mori pjesë edhe Presidenti Obama dhe se diskutimet u përqëndruan në tre çështje kryesore; terrorizmi, siguria në rajon dhe reformat.

Ndërsa u theksua edhe rëndësia e partneritetit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti dhe Zëvendëspresidenti, thuhet në njoftimin për shtyp, shprehën vlerësimin e tyre për rolin kritik që luan Shqipëria për çuarjen përpra të sigurisë në rajon dhe ripohuan rëndësinë e mbajtjes hapur të dyerve të integrimit Euro-Atlantik, për stabilitetin në Ballkan.

Ata përshëndetën Shqipërinë për lidershipin në nxitjen e tolerancës fetare, për ndihmesën e rëndësishme të Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit ISIL dhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërmarrë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Presidenti, Zëvendëspresidenti dhe Kryeministri ranë dakort për rëndësinë e vazhdimit të reformave në mënyrë që Shqipëria të përparojë në integrimin europian,

përfundon njoftimi i zyrës së Zëvendëspresidentit Biden, thuhet në njoftim.

Një pjesë të këtyre diskutimeve u zbulua edhe nga Kryeministri Rama në intervistën e tij për “Zërin e Amerikës”.

Në Washington u nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet FBI –së dhe qeverisë shqiptare për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Marrëveshja e parë e këtij lloji mes Policisë Shqiptare dhe FBI –së u firmos nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Byrosë Federale të Hetimit, Xhejms Komej.

Tv Klan