Në një deklaratë Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump do të mbajë një takim kokë-më kokë me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un të martën në mëngjes, ku të pranishëm do të jenë vetëm përkthyesit. Më pas ata do të kenë një drekë pune dhe një takim dy-palësh më të zgjeruar, ku do të jetë të pranishëm Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se më pas, Presidenti Trump do të mbajë një konferencë shtypi dhe në mbrëmje me orën lokale do të largohet po të martën nga Singapori. Në deklaratë thuhet gjithashtu se bisedimet mes zyrtarëve të SHBA dhe të Koresë së Veriut po vazhdojnë dhe se ato kanë përparuar më shpejt se sa pritej.

Presidenti Trump sot pati një drekë pune të organizuar nga kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong, në Istana, që është rezidenca zyrtare e presidentit të qytetit.

Në drekën me Presidentin Trump u servir edhe një tortë me rastin e 72-vjetorit të tij që është në datën 14 qershor

Trump sot foli në telefon edhe me Presidentin koreanojugor Moon Jae-in, i cili sipas zyrtarëve të Seulit, ai është shprehur se në se takimi i së martës përfundon me sukses, kjo do ishte një dhuratë për të gjithë botën.

Shtrëngimi historik i duarve mes zotit Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim do të ndodnjë në mjedisin 12 hektarësh të hotelit luksoz Capella një vendpushim në ishullin e Sentozës.

Për të ndjekur takimin historik, në Singapor kanë shkuar rreth 5,000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël reporterë amerikanë dhe koreanoveriorë do të lejohen të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit të përshëndein njëri tjetrin./VOA