Ujërat e rrëmbyeshëm vërshuan në familjen Ndoj në qytetin e Rrëshenit në Mirditë. Sipas gazetarit të Klan News Martin Marku janë dëmtuar të gjitha pajisjet elektroshtëpiake, ndërsa kryefamiljarja apelon për ndihmë pasi e ka të pamundur për të qëndruar në këtë banesë pasi e ka bashkëshortin të sëmurë.


“Ka hyrë krejt uji brenda. Shiu i madh, nuk e di…Jemi dy vetë në shtëpi, sa u çuam në 5 të mëngjesit për të ik në punë. I ka prish të gjitha materialet. Shpi me qira, hallexhi, ça të bësh! Ne kërkojmë një shtëpi, jemi nishan i tokës. A e sheh se ku po rrijmë? Me një burrë sakat, vetëm të rrimë jashtë. Kemi frikë. Unë s’kam ku rri sot me gjithë burrë“, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër përfaqësues të bashkisë Mirditë janë në terren duke i ardhur në ndihmë familjes Ndoj.

Kryebashkiaku Albert Mëlyshi tha se familja do ketë asistencën e bashkisë ndërsa po bëhet pastrimi nga inertet si pasojë e vërshimit të përrenjve.

“Gjatë natës ka pasur reshje të shumta shiu, gjë që ka sjellë fryrjen e përroit Zmejë që kalon afër Rrëshenit. Ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa banesa, ka dëme në të mbjella e kafshë. Po përpiqemi t’u qëndrojmë afër, t’u vijmë në ndihmë për ushqime dhe gjithçka që e kanë të nevojshme. Po përpiqemi që të mos përsëriten problematikat”, u shpreh Mëlyshi për mediat./tvklan.al