Shtëpia e vjetër muze pranë qendrës së Shkodrës është kthyer në banesën e qindra objekteve të rralla antropologjike dhe etnografike që datojnë që prej lashtësisë Ilire, tek mesjeta e deri tek objektet e rralla të kohës së komunizmit. Objekte të cilat tregojnë ndoshta më shumë se sa dokumentarët. Stili dhe arkitektura të sjellin ndjesitë e një arkitekture tjetër. Në atë shtëpi ka jetuar një prej poetëve më të ndritur të Rilindjes, Filip Shiroka, e po ashtu edhe Marije Kraja, zëri i paharrueshëm i këngëve shqiptare.

Të gjitha objektet e asaj shtëpie janë të mbledhura falë këmbënguljes së Gjon Dukgilaj, një prej koleksionistëve më të pasionuar jo vetëm për qytetin e Shkodrës, i cili gjithashtu është rritur në atë shtëpi.

Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, Dukgilaj tregon detaje për arkitekturën e shtëpisë muze dhe pasionin e tij për etnografinë.

“Kjo shtëpi ka pasur tre dhoma. Muret më të larta që shihen tani kanë qenë ato të dhomave të burrave dhe muret më të ulëta kanë qenë për dhomat e grave. Etnografia është një pasion që unë e kam fituar që në Universitet dhe vazhdoj ta kem. Objekti i parë që kam blerë ka qenë një xhamadan që babai im e kishte veshur shumë herë dhe unë sot vazhdoj ta vesh. Objekti i dytë është një qostek që mendohet që ka qenë e Mehmet Shpendit, prijësit të djelmnisë së Shalës, ishte e para organizatë botërore e rinisë”,

tha Dukgilaj.

/tvklan.al