Familja në një fshat të Kavajës jeton në varfëri të tejskajshme, babai prej 17 vitesh me gurë në veshka

Emisioni “Historia ime” në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme historinë e vështirë të një familjeje në fshatin Synej të Kavajës, e cila jeton në një varfëri të tejskajshme. Kjo familje ka 4 fëmijë, të cilët janë rritur mes varfërisë.

Prindërit nuk kanë mundur t’iu japin dhuratat që kanë ëndërruar, por kanë një përkushtim të madh ndaj tyre, duke u përpjekur shumë edhe përtej mundësive që t’i shkollojnë fëmijët e tyre. Dy vajzat, Anxhela dhe Adela janë nxënëse të shkëlqyera në shkollë dhe mësuesja e tyre shprehet se ato janë krenaria e shkollës.

Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka vizituar këtë familje dhe ka ofruar ndihmën e tyre për ta. Ata kanë dhuruar ushqime dhe kanë organizuar edhe një drekë për familjen, por gjithashtu ofruan edhe kurse anglishteje falas për vajzat.

Shtëpia e tyre është duke u shembur dhe kryefamiljari shprehet se çdo e ardhur e tyre ka shkuar për shkollimin e fëmijëve dhe ata nuk janë kujdesur për shtëpinë.

Gazetarja: Sa vite ke që banon në këtë banesë?

Kryefamiljari: Që në ’75!

Gazetarja: Gjithmonë je marrë me bujqësi?

Kryefamiljari: Me bujqësi, kemi punuar dhe kemi ngrënë bukë.

Gazetarja: Ju përveç Anxhelës dhe Adelës keni dhe dy fëmijë të tjerë apo jo?

Kryefamiljari: Po! Matildën dhe Xhevahirin. Matilda është në shkollën pedagogjike në Elbasan, për mësuese e ciklit të ulët. Kurse Xhevahiri ishte në shkollë profesionale në Kavajë, ma mori vëllai, ma kaloi në Itali ai. Mbushi moshën dhe e ndamë si gjithë të tjerët.

Gazetarja: Ti ke arritur t’i arsimosh të katërt dhe kjo është një meritë e jashtëzakonshme.

Kryefamiljari: Po kemi punuar sa më shumë vetëm t’u japim shkollën, se po të kenë shkollën fitojnë jetën, kanë jetën përpara.

Gazetarja: Kjo shtëpia jote, pothuajse po bie?

 Kryefamiljari: Nuk kemi pasur mundësi ta riparojmë, t’i bëjmë shërbim.

Gazetarja: Dhe të gjitha të ardhurat i keni çuar për arsimin e fëmijëve?

Kryefamiljari: Po! Vetëm për këtë punë kemi punuar dhe sa të hamë bukë. Unë kam që në 2002 me gur në veshka.

Gazetarja: Nuk e përballoni dot operimin?

Kryefamiljari: Jo nuk e përballojmë, ishte shtrenjtë, me çfarë ta përballojmë ne? S’kemi lekë me 70 mijë lekë të vjetra ndihma ekonomike s’përballohet dot operacioni./tvklan.al