Gjykata Penale e Tiranës ka lënë në “arrest shtëpie” ish-Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha. Ajo është pjesë e grupit të ish-zyrtarëve të kësaj Ministrie të arrestuar në lidhje me abuzimet me tenderat në këtë dikaster. Hoxha u arrestua së bashku me 10 zyrtarë të tjerë me dyshimin se kanë abuzuar me 5 tendera në periudhën 2016-2017, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm disa milionë Euro.

Gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” vetëm për specialistin e IT-së Lusien Ali, i shpallur në kërkim. Vetëm Ali do të hetohet nën masën e arrestit me burg, 8 ish-zyrtarë do të hetohen në gjendje të lirë dhe 3 të tjerë në arrest shtëpie. Pas gjetjes së shkeljeve, prokuroria ngriti dyshime për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera” për zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Përveç 12 zyrtarëve, ka nisur verifikimi dhe për urdhrat e 3 ish-ministrave të Drejtësisë për të parë se cili ka qenë roli i tyre në këto 5 tendera. Për këtë ata do të merren në pyetje në prokurori.

Abuzimet fillimisht u zbuluan pas auditit të Ministrisë së Financave ku rezultoi se tenderat ishin me probleme financiare. Sipas hetimeve të prokurorisë, janë gjetur shkelje të rënda në tenderin e mbikëqyrjes elektronike për të burgosurit, mirëmbajtjen e regjistrit noterial dhe atë përmbarimor, tenderit e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujës dhe Lezhës, si dhe ai i regjistrit online të 7 Gjykatave Administrative.

Tv Klan